Dumoshi, vizitorja e parë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, pas lehtësimit të masave

19 maj 16:06

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka vizituar të martën Galerinë Kombëtare të Kosovës (GKK), me rastin e nisjes së aktivitetit të saj, pas pandemisë.

Ajo është pritur nga drejtoresha e GKK-së Arta Bunjaku-Agani, stafi i Galerisë dhe nga skulptori Burim Gashi, ekspozita e të cilit është rihapur pas pandemisë.

Dumoshi është shprehur e kënaqur që po e viziton Galerinë dhe që pas një periudhe të mbylljes për shkak të pandemisë artdashësit tashmë kanë mundësi ta vizitojnë Galerinë.

Gjatë kësaj vizite, ajo ka kaluar nëpër ekspozitën e hapur “Heshtje e rëndë” e cila tregon veprat e fundit të skulptorit kosovar Burim Gashi dhe rrëfen pasojat emocionale të ngjarjeve traumatike që ishin krijuar nga lufta, dhuna dhe paqartësia për njerëzit e zhdukur.

Në këtë seri të re të veprave autori ka treguar edhe përvojën personale dhe traumatike që lufta dhe dekadat në vijim i kanë shkaktuar atij dhe shoqërisë kosovare.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës është shprehur shumë e lumtur që vizitorja e parë e hapjes së Galerisë për publikun, pas pandemisë është vet ministrja Dumoshi.

Dumoshi ndër të tjer, ka theksuar se është duke u angazhuar vazhdimit dhe ka shtyrë përpara punën për rregullimin e kushteve brenda GKK-së meqë kjo do ta lehtësonte punën për stafin, por njëkohësisht do të krijonte kushte më të mira për vizitorët e artdashësit e Galerisë. (L.G/ Epoka e re)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të hënën, në fazën e dytë të lehtësimit të masave,…