Durkee: Bëhej përpjekje për ta paraqitur Drejtorinë Politike më të rëndësishme se Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së
Duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues të përfaqësuar nga gjyqtari, Christoph Barthe, dëshmitari Michael Durkee, ka thënë se UÇK-ja bënte përpjekje për ta paraqitur Drejtorinë Politike më të rëndësishme se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.
Veç kësaj, Michael Durkee ka thënë se shqiptarët e Kosovës kishin imituar strukturat e ushtrisë jugosllave të cilat kishin elemente politike në Shtabin e Përgjithshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në ushtritë perëndimore nuk ka drejtori politike brenda Shtabit të Përgjithshëm. Në vendet e Paktit të Varshavës, ushtritë e tyre kanë siç ishte ushtria jugosllave, kanë një element politik në Shtabin e Përgjithshëm. Pra, ne kuptuam që shqiptarët e Kosovës kishin imituar strukturat e ushtrisë jugosllave. Megjithatë, ne lexuam shtypin lidhur me Drejtorinë Politike ku bëhej përpjekje për të paraqitur Drejtorinë Politike më të rëndësishme dhe më të lartë se Shtabi i Përgjithshëm që për një ushtarak është ngatërruese dhe shkakton konfuzion. Ajo paraqitej se ekziston”, ka thënë Durkee.
Durkee ka theksuar se Hashim Thaçi përshkruhej si udhëheqës i kësaj drejtorie, por ata si ndërkombëtarë nuk e kuptonin qartë marrëdhënien në mes elementit civil dhe luftëtarëve.
“Thaçi përshkruhej si udhëheqësi i Drejtorisë Politike, por ne nuk e kuptonim qartë marrëdhënien në mes elementit civil dhe luftëtarëve, në veçanti luftëtarët në terren në Kosovë”, ka thënë Durkee.
Dëshmitar ka deklaruar se nuk është në gjendje të japë koment se struktura e Drejtorisë Politike është ndërtuar brenda Shtabit të Përgjithshëm.
Më pas, ai është pyetur se a kishte njohuri se kush ishin drejtorët e ndryshëm të drejtorive të Shtabit të Përgjithshëm.
“Ne dinim për Thaçin. Ne e dinim edhe për një person që ishte identifikuar si zëdhënësi i UÇK-së dhe ky ishte Jakup Krasniqi”, ka thënë dëshmitari.
Durkee po ashtu është pyetur se a mund të ketë njohuri që drejtorët e drejtorive mund të ishin edhe pjesë e Shtabit të Përgjithshëm. Ai ka thënë se në atëkohë kur ishin në Mons të Belgjikës nuk e dinte se si shkonin këto gjëra.



