“Dy premtime” – përmbledhja më e re e tregimeve nga autorja Marigona Krasniqi

22 gusht 2025 | 11:11

Letërsia shqipe është pasuruar me një vepër të re letrare. Autorja Marigona Krasniqi ka botuar përmbledhjen e saj më të fundit me tregime, të titulluar “Dy premtime”.

Me një gjuhë të thjeshtë, stil origjinal dhe rrëfime të fuqishme, Krasniqi sjell një qasje unike në letërsinë bashkëkohore. Personazhet e saj- Artani, Besniku, Gresa, Aurora, Fatjona e të tjerë- janë individë të zakonshëm nga realiteti ynë, por me një të përbashkët: besimin në Zot dhe dashurinë për atdheun.

Në tregimet e librit, ata shfaqen si njerëz të guximshëm që ëndërrojnë, luftojnë dhe nuk dorëzohen përballë vështirësive, pavarësisht paragjykimeve apo pengesave. Me një mjeshtëri të veçantë rrëfimi, autorja ndërthur realitetin me imagjinatën artistike, duke ofruar histori që tejkalojnë përmasat e zakonshme dhe i japin lexuesit ndjesinë e një realiteti të prekshëm.

“Dy premtime” është më shumë se një përmbledhje tregimesh: është një udhëtim nëpër luftën e përjetshme mes së mirës dhe së keqes, ku në fund, sipas autores, e mira gjithmonë triumfon. Libri i fton lexuesit të shndërrojnë durimin në forcë, vuajtjen në motiv dhe padrejtësinë në shtysë për drejtësi.

Me këtë vepër, Marigona Krasniqi rikthen vëmendjen tek tregimi- një zhanër shpesh i lënë në hije në letërsinë moderne- duke i dhënë gjithashtu zë letërsisë islame në hapësirën tonë kulturore. Kritika e ka cilësuar librin si një “premtim për një shkrimtare të madhe”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipje Selimi, nuk ka dhënë përgjigje…