
Dyshohet për vetëvrasje me armë zjarri në Prizren
Një ngjarje tragjike është raportuar sot në qytetin e Prizrenit, ku një 62-vjeçar ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Policia e Kosovës ka njoftuar se bazuar në informacionet fillestare, dyshohet se rasti ka të bëjë me vetëvrasje.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar për media se policia është njoftuar fillimisht nga Emergjenca e Spitalit Rajonal të Prizrenit, ku ishte dërguar viktima me plagë nga arma e zjarrit.
“Njësitet policore, hetuesit dhe teknika kriminalistike kanë dalë në vendin e ngjarjes në lagjen Tusus të Prizrenit, ku sipas dëshmive fillestare dyshohet për vetëvrasje me armë personale”, tha Bytyqi.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Ndërkohë, hetimet rreth këtij rasti tragjik janë duke u zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve.