Dyzet dështime për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

01 korrik 2025 | 11:26

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për të 40-tën herë me radhë, të martën, që ta konstituojnë përbërjen parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Më 1 korrik u shënua hera e tretë që deputetët nuk arritën kurrfarë progresi në konstitutimin e Kuvendit që nga shpallja e një aktgjykimi nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila më 26 qershor obligoi deputetët që brenda 30 ditësh të konstituojnë Kuvendin – afat që skadon më 26 korrik.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate, si dhe Lista Serbe, që nga 1 maji po refuzojnë që të propozojnë anëtarë për një komision që do të mbikëqyrte një votim të fshehtë për kryeparlamentarin e ri.

Këto parti thonë se ndryshimi i votimit nga i hapur në të fshehtë është jokushtetues, dhe kanë argumentuar se kështu është thënë edhe në një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese. Lëvizja Vetëvendosje (LVV) këmbëngul se votimi i fshehtë lejohet.

Pas aktgjykimit, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ftoi në takim krerët e partive politike. Por, edhe pas dy orësh takim, ata nuk arritën një marrëveshje për të dalë nga ngërçi.

Kurti tha se ka ofruar kompromise, por partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë thanë se takimi i ftuar nga ai ishte “farsë”, duke shtuar se kreu i partisë fituese të zgjedhjeve po insiston në pozicionet paraprake.

Për të ofruar një zgjidhje të mundshme, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 30 qershor tha se në ditët në vijim do të ftojë krerët e partive politike për konsultime lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Osmani u ka bërë thirrje deputetëve që të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse paraqitet nevoja, presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, tha këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina.

LVV-ja, si parti fituese, e ka të drejtën ekskluzive që të propozojë kandidatin për kryeparlamentar.

Deri më tani, ky subjekt ka propozuar për këtë post Albulena Haxhiun – që PDK-ja dhe AAK-ja e kanë cilësuar si figurë përçarëse.

Pas aktgjykimit të Kushtetueses, Haxhiu ka deklaruar se do të tërhiqet nga kandidatura, nëse në votim të fshehtë nuk merr 61 votat e nevojshme.

Që Kuvendi të konsiderohet i konstituuar, duhet që të zgjidhet kryetari dhe pesë nënkryetarët.

Vetëm pas kësaj, nisin afatet për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
OKB-ja dënoi të hënën sulmet ndaj palestinezëve që kërkonin ndihmë…