E ardhmja e luftës: Me mercenarë apo me robotë?

12 prill 2024 | 23:37

Nga Howard Chua-Eoan – Bloomberg

Edhe vendet europiane në distancë të madhe nga Ukraina dhe Rusia, po ndërgjegjësohen mbi mundësinë shumë reale të një lufte në kontinent. Një konflikt, që mund t’i detyrojë qeveritë të rekrutojnë në masë qytetarët e tyre për të luftuar.

Debati mbi shërbimin ushtarak u ndez sërish kur Kievi e uli së fundmi moshën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak nga 27 në 25 vjeç. Për vendet që janë më afër betejave në vazhdim, rekrutimi ushtarak ka një rëndësi më të madhe.

Analisti Lionel Loren thotë: “Danimarka e ka zgjeruar grup-moshën e rekrutimin për gratë, dhe madje e ka shtuar edhe kohëzgjatjen e tij. Edhe Norvegjia po ndjek të njëjtin shembull. Anëtarja më e re e NATO-s, Suedia, e riktheu atë në vitin 2018”.

Megjithatë, ai shton: “Askush nën moshën 45-vjeçare në Francë, nuk ka veshur i detyruar uniformat e ushtrisë apo të ketë marrë një armë, duke përfshirë presidentin aktual Emanuel Macron”. “Dulce et decorum est pro patria mori”, shkroi poeti romak Horaci, që vdiq në vitin 8 Para Erës Sonë.

Ajo do të thotë: “Është një akt ëmbël dhe i duhur të vdesësh për atdheun!”.

Por tmerret e dy luftërave të para botërore vështirë se gënjejnë ndokënd në Britani, Francë, Gjermani dhe gjetkë. Po ashtu, Loren nxjerr në pah dy sfida: “Njëra është demografike, në një kontinent ku mosha mesatare është rreth 42 vjeç dhe ku nivelet e lindjeve janë në rënie”.

Tjetra, thotë ai, është mungesa e joshjes nga shërbimit ushtarak, edhe kur nuk ka një luftë në horizont. “Ushtritë po përpiqen t’i rekrutojnë të rinjtë në një karrierë që duket se ka më shumë kufizime sesa përfitime dhe stimuj. Pastaj mendoni pak për fshehtësinë e detyrave, mungesën e mediave sociale dhe kohën e kaluar larg shtëpisë”, shton më tej ai.

Unë pyes veten nëse Europa mund t’i duhet t’i rikthehet një modeli nga e kaluara e saj e Mesjetës dhe Rilindjes: ushtritë mercenare që luftuan në të gjithë kontinentin, udhëheqësit e të cilave themeluan ndonjëherë edhe dinastitë e mëdha. Britanikët punësuan hesianët nga Gjermania për t’iu kundërvënë Revolucionit Amerikan.

Garda Zvicerane e Papës ishte me origjinë mercenare. Jo, mund të thoni ju, sepse Kombet e Bashkuara ndalojnë aktivitetin e mercenarëve. Është e vërtetë, por pavarësisht kësaj ata kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë. Për këtë marrim si shembull kompaninë amerikane “Blackwater” në Irak. Vetëm se tani e quajnë veten kontraktorë ushtarakë privatë. Ata janë më shumë sesa truproja. Sigurisht midis tyre është edhe Grupi Wagner, që përparoi dhe u zgjerua shumë, u rebelua dhe u mposht në Rusi. Nëse qytetari nuk është më i gatshëm të vdesë për vendin, domosdoshmëria mund të tejkalojë edhe ligjet ndërkombëtare.

Apo mos ndoshta ka ardhur koha e robotëve? Dronët janë tashmë pjesë e luftës midis Ukrainës dhe Rusisë. A do të shohim ushtri androidësh si në filmin e famshëm “Star Wars”? Romancieri vizionar polak Stanisllav Lem – që vdiq në vitin 2008 – përshkroi përmbledhjen e një libri që  imagjinonte se do të botohej në të ardhmen (konkretisht në vitin 2105) me titull “Sistemet e armëve të shekullit XXI”.

Në të përshkruhej një evolucion me kokë poshtë, ku arma përfundimtare mund të mos jetë bomba apo raketa, apo edhe ushtarët android. Përkundrazi, do të jenë miliarda mikro-botë, që sillen si milingona, bletë ose insekte koshere, të përhapura gjithandej dhe që do të veprojnë si një e tërë për t’i mposhtur armiqtë.

Këto “insekte”, siç i quajti ai mund të kombinohen madje për të shpërthyer në mënyrë apokaliptike, nëse secila mbart një ose dy molekula të materialit bërthamor. Ky është lloji i ushtrisë së madhe dhe të stërmadhe nga e cila duhet të kemi vërtet frikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-inspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani…