E DREJTA E HIJES

31 tetor 2022 | 13:06

Shkruan: Ragip Shala

E drejta e hijes është institut juridik i drejtës zakonore shqiptare, që është praktikuar ndër shekuj për rregullimin e të drejtave pronësore të objekteve fetare. Një institut i tillë nuk ka ekzistuar, praktikuar te as një popull tjetër madje as në të drejtën zakonore anglo – saksone, dhe si i tillë përbën një institut zakonor krejtësisht i rrallë dhe i veçantë në korpuset juridike botërore. E drejta e hijes nënkupton përkufizimin e pronave të paluajtshme përreth objekteve fetare të kishave, xhamive dhe objekteve tjera. Mjetë përkufizimi kanë shërbyer hijet e ndërtesave të kishave, manastireve dhe më vonë xhamive. Matja, përkufizimi i pronës është bërë gjatë lindjes dhe perëndimit të diellit, në ditën e festës së Shën Gjergjit. Ngulitjen e gurit në përkufizimin e shtrirjes së pronës e ka përcaktuar shtrirja e hijes, deri aty ku ka arritur hija e objektit, varësisht nga përmasat e secilit objekt. Meqë në Dardani që nga mesjeta e hershme kanë ekzistuar 1700 kisha paleokristiane, kurse pas islamizimit janë ngritur disa qindra xhami, prandaj popullata është shërbyer me institutin juridik të hijes në përkufizimin e pronave. Perimetri i pronave të paluajtshme në bazë të drejtës së hijes për 1700 kishat, dhe disa qindra xhami, përbënë një të drejtë kapitale zotërimi të Kosovës ndaj të gjitha objekteve fetare: katolike, ortodokse dhe islame. Praktikimi i të drejtës së hijes është respektuar nga Perandoria Romake, Perandoria Osmane deri në mbarim të Luftës së Parë Botërore. Ky praktikim është suprimua dhunshëm me ligjin mbi reformën agrare të Mbretërisë SKS, me të cilin ligj u kufizohej e drejta e pronës së paluajtshme popullit shqiptar në dobi të kolonëve sllavë. Mbretëria SKS, shqiptarët i shpronësoi nga mijëra hektarë tokë pjellore, pyje, kullosa duke ua bartur pronësinë kishave dhe manastireve ortodokse. Nga ky uzurpim, Manastiri i Deçanit përfitoi mëse 5 mijë hektarë tokë dhe pyje, kurse Manastiri i Graçanicës mëse 3 mijë hektarë, dhe nga qindra hektarë kishat në rrethet tjera të Kosovës. Mbas LDB, qeveria federative e Jugosllavisë suprimoi ligjin e reformës agrare, që rezultoi me shpronësimet e Manastirit të Deçanit, Graçanicës dhe kishave tjera ortodokse në Kosovë. Ngritja në skenën politike i S. Millosheviqit me ndihmën e kishës “pravosllave” u mundësoi përsëri Manastirit të Deçanit dhe Graçanicës të zotëronin pa të drejtë prona të paluajtshme për rreth objekteve. Më 1997 Manastiri i Deçanit uzurpoi 24 hektarë tokë prona të ndërmarrjeve Apiko dhe Illiria, ndërmarrje prodhuese të themeluara që nga vitet e ‘70-ta. Pas përfundimit të luftës (1999) ishte Veton Surroi që midis Beogradit pos që legjitimonte uzurpimet, ai ulërinte për rrezikun e mundshëm të manastireve serbe prej “nacionalistëve” dhe “shovinistëve” të UÇK-së. Edhe ish-deputeti i LDK-së, Sali Morina në Komisionin për Trashëgimi Kulturore patë konfirmuar legjitimitetin e uzurpimit të tokave në Deçan dhe të “drejtën historike” të Serbisë mbi Manastiret e Deçanit dhe Graçanicës. Kurse Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 ka marrë vendim që i njihte Manastirit të Deçanit të drejtën e pronësisë për 24 hektarë të zaptuar nga popat gjatë Manastiri i Deçanit okupimit serb. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në favor të manastirit, kumtimi i V. Surroit dhe S. Morinës është në përputhje të plotë me ligjin e reformës agrare të Mbretërisë SKS, si dhe vendimin e S. Milosheviqit, dhe si të tillë përbëjnë vepër penale të llojit të veçantë që duhej denoncuar para drejtësisë së Republikës së Kosovës, për cenimin dhe rrezikimin e interesave shtetërore dhe kombëtare. Njohja e uzurpimit për të drejtë pronësie përbënë një bazament për eksterritoritet të KOS-it serb në Kosovë, dhe si e tille nuk i shërben paqes përfundimtare në mes shqiptarëve dhe serbëve, përkundrazi do gjeneroi tensione dhe kriza tejet të rrezikshme në çdo kohë. Republika e Kosovës është rezultat i mbijetesës së spastrimit etnik, krimeve të gjenocidit të programuara dhe zbatuara nga makineria terroriste shtetërore serbe. Pjesë ideore, nxitëse ishte edhe kisha ortodokse serbe (KOS) e cila mjeshtërisht ka përvetësua kishat dhe manastiret shqiptare në Kosovë, dhe jo vetëm, por ka uzurpuar edhe toka jashtë ligjshëm. Eksterritori i Manastirit në Deçan është shndërruar në çështje kyçe në raportet kosovare-serbe, si rezultat i makinerisë propagandistike dhe diplomatike të Beogradit. Për këtë çështje është mobilizuar një garniturë diplomatike ndërkombëtare për t’i “qitë kapak” kësaj çështje. Republika e Kosovës në këtë çështje s’ka pse të ngujohet në mitet serbe, as të përkundet në “djepin serb”, sepse e drejta historike, fetare, etnike etj, është në anën e Kosovës. Arbërit kur i janë lutur zotit në 1700 kisha në Dardani, sllavenët (lexo: serbët) akoma kanë qenë paganistë në stepat e karpatëve, prandaj këtu qëndron e drejta absolute e shqiptarëve në trashëgiminë e kishave dhe manastireve jo vetëm në Kosovë por dhe në Serbi. E drejta e hijes që është praktikuar me shekuj për 1700 kishat, manastiret dhe xhamitë, është e drejtë që përmbysë synimet ekspansioniste, hegjemoniste të pansllavizmit serbo-rus në Kosovë. Kjo e drejtë zmbrapsë edhe presionet diplomatike të Brukselit, Berlinit, Parisit, Uashingtonit, Londrës për “republikat” serbe në territorin e Kosovës. E drejta e hijes si institut juridik i drejtës zakonore shqiptare është e drejtë autoktone, është pasuri juridike botërore, si e tillë mundë t’i shërbejë të drejtës ndërkombëtare për t’i zgjidhë kontestet pronësore juridike të objekteve fetare, kudo në botë. Republika e Kosovës me këtë institut juridik mundet dhe duhet të eksportoi drejtësi në arenën ndërkombëtare. Përfundim: E drejta e hijes si një institut juridik i korpusit zakonor shqiptar, është praktikuar mëse 1500 vite ndaj 1700 kishave, dhe disa qindra xhamive në Kosovë. Kjo e drejtë përbënë bazamentin e paqes së qëndrueshme në mes Kosovës dhe Serbisë. Republika e Kosovës duhet të shërbehet me këtë të drejtë. Pse Jo?!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i mirënjohur shqiptar, Ismet Munishi e ka dhënë një…