E kaluara dhe e tashmja e shkruar për të ardhmen

25 nëntor 2025 | 08:10

Sadik Krasniqi

Ali Sh. Berisha, Gallapi i Prishtinës 1, monografi, Design House, Prishtinë, 2008

Bërja dritë e librit të trembëdhjetë me radhë brenda njëmbëdhjetë vjetësh që nga botimi i parë i Ali Berishës, tregon për posedim intensiteti, elani, vullneti dhe zelli të madh të këtij krijuesi në fushën artistike dhe shkencore. Monografia Gallapi i Prishtinës dëshmon në veçanti prir­jen, entuziazmin dhe pasionin e këtij autori që të rreket me këtë lëndë tejet komplekse. Ky libër karakterizohet për një shtjellim tejet të thellë vertikal apo kohor deri në parahistori dhe për një shtrirje të gjerë horizontale apo hapësinore të lëndës në shqyrtim, duke ofruar në mënyrë shumë interesante dhe atraktive zanafillën apo gjenezën e emërtimeve të vendeve dhe njerëzve në një hapësirë të gjerë që tejkalon edhe vetë hapësirën administrative të Gallapit.

Libri përmban qindra toponime, mikrotoponime si dhe antroponime dhe kjo dendësi e madhe e emrave dhe shpjegimi i thukët i prejardhjeve të tyre, bën që ky libër të jetë një toponomastikë e vërtetë.

Në këtë trajtesë të gjerë vërehet qartë se shumica e makrotoponimeve janë konstrukte të krijuara me tendenca mjegulle nga të huajit që erdhën kohë pas kohe si pushtues në Kosovë, kurse mikrotoponimet janë krejtësisht me domethënie të qartë vendore, që do të thotë se në to përherë është jetuar dhe frymuar shqip.

Qasja ndaj këtij libri do të zgjojë diskutime dhe dilema të shumta te studiuesit e kësaj lënde, andaj leximi i tij nuk do të jetë i rehatshëm, por intrigues dhe provokues.

Kjo monografi mund t´u shërbejë shumë arkeologëve të ardhshëm për zbulime të reja në këtë trevë të banuar historikisht vetëm me shqiptarë.

Monografia Gallapi i Prishtinës ka mirësinë e të shkru­arit nga një artist i fjalës, andaj struktura e gjuhës në të është e natyrshme, e qartë dhe tërheqëse, si dhe do të jetë kënaqësi për lexuesin e rëndomtë dhe profesionist.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sadik Krasniqi Albumi i dalë në Gjermani përmban 15 këngë…