E padiskutueshme se lirika e Bujarit vjen midis atyre më të mirave

08 qershor 2021 | 09:38

Adem Gashi

 

SPROVË LEXIMI

(Librit të Bujar Salihut Linga e heshtjes)

 

Nuk do t’i shmangem natyrës ngjarjes për të cilën jemi mbledhur, përurimit të librit të Bujar Salihut, Linga e heshtjes. Urime Bujar!

Megjithatë, në trajtë sprove, do t’ju rrëfej sesi e lexova këtë libër. Në të përfshihet edhe bindja, konstatimet dhe shijet e mia, pa përjashtuar elementet e vlerësimit dhe të analizës.

E gjitha mbështetet në tri paragjykime. Unë e di që paragjykimet të shpien doemos në lajthitje, po ç’t’i bëj kësaj kokës sime rebele që tundohet kaq hovshëm e me kënaqësi nga përballjet (sfidat)!?

I pari. Duke ndjekur zhvillimin e hovshëm të poezisë sonë, paraqitjet e shumta në çdo shteg publikimi, mosseleksionimi i duhur, largesa me autorin (emër i njohur për mua gjithsesi), por me paraqitje të rralla, më mbërtheu përtacia e leximit. Pastaj u kujtova se ç’u them miqve kur u dhuroj librin tim të ri. Ma ke borxh të ma lexosh vetëm një poezi, aty ku qëllon të hapet libri! Kështu bëra edhe me librin e Bujarit. Libri u hap në faqen 85 ku gjeta poezinë Buka. Kaq m’u desh. Po të doni mund ta kap mbështetjen tek Eko-ja: Lexomëni së paku tridhjetë a dyzetë faqet e fillimit të prozës, pastaj ndaluni po mundet! E lexova librin dhe më pëlqeu. Kur m’u dha detyra për të hedhur dhe ndonjë mendim a mbresë, siç bëj rëndom, edhe e rilexova.

E padiskutueshme se lirika e Bujarit vjen midis atyre më të mirave në gjithë regjistrat që trajtojnë poezinë sot dhe këtu, domethënë në arealin e shqipes. Nuk po ju lodh me epitetet e panevojshme dhe të fryra si tullumbace se është poezi moderne, se është poezipostmoderne, kontemporane, reale dhe ireale a diçka midis. Është poezi e bukur, lirikë e pastër me kulturë gjuhësore dhe shtresime dijesh autoriale, me denduri tropesh e figurash stilistike, ku dominon metafora, oksimoroni dhe ironia. Një vlerë më vete paraqet ritmi poetik. Autori ka zotësinë që përmbajtjet t’i vesh me kostume formash nga më të ndryshmet (vargu distik, tercinë,katrenë, njëshkolonë etj.). Në planin tematik buis jeta me shtjella të dendura kujtimesh, të rënda, të vrazhda e të mallshme, atdhedashuria pa farfuri folklori dhe dashuria me ndjeshmëri urbane, liria si përmbysje dhe lufta si liri në horizont.

Mendoj se edhe struktura e një libri, pra strukturimi i materies poetike, sjell në një variant profilin prej krijuesi të mëvetësishëm të autorit. Salihu është mjeshtër i lirikës përkushtuese, ose siç thuhet, me dedikim. Ai skalit ngeshëm e shkurt portretet e miqve, të figurave historike që janë e s’janë në jetë. Jo me lavde e përthirrorë, por me penel depërtues në profilin shpirtëror të tyre. Të këtillë e gjeni figurën e Gjergjit, të Adem Jasharit, të Agim Ramadanit, të Adem Demaçit, e Podrimjes; të babait, të nënës e të xhaxhait e deri te ShaipBeqiri.

Këtu edhe paragjykimi i dytë.

Bashkëfolësit me mua do ta trajtojnë më ngulmueshëm strukturën e këtij libri, ndaj unë nuk do të merrem më tej me të.

Në rilexim më ngeli vëmendje në një nocion poetik që vjen e bëhet fjalë – çelës: Ëndrra. Po jua paraqes:

…po ne s’e kemi braktisur kurrë ëndrrën për ty / f. 12

…të shihja ëndërr në mëngjes / nuk dija ta tregoja ëndrrën / f. 13

…Naisus mbeti veç hije në gurë / Ëndërr e atyre që s’u kthyen kurrë / 14

…A ke parë ëndërr / Copëza të thyera qielli / 21

…Kishin parë veç një ëndërr / 23

…Po kthimin tënd të fundit e mbaj mend si ëndrrën e keqe / 29

…Ëndrra m’u fik në qivur/ 31

…Mbi flatra pulëbardhash / Fluturoi ëndrra e fundit / 34

…Si në një jetë tjetër bubullimash ëndërr për Atdheun / 41

…Në ëndrra hyjneshash / Zunë të futen kalorësit e qytetit tënd / 46

…E i se s’të besohet si në një ëndërr të keqe plot trishtim / 47

…Vegime të fjetura mashtrim apo ëndërr e huaj / 52

…Po më shfaqen e rishfaqen si në ëndërr të plagosur / 71

…Mes ëndrrash e klithmash / 78

…T’ua dëftojmë edhe ëndrrën e parë / 84

…Dhe kam frikë lojën në ëndërr… / 89

…Armëpushim shikimesh dhe ëndërr / 101

…Në ëndrra pasqyra letra që zakonisht vinin vonë / 106

…Në ëndrra bënim shumë dashuri / po aty

…t’i laj sytë me vesë ëndrre / 111

…Ti mos u fut në ëndrrën e saj / po aty

Janë pra njëzetë e një raste që në një përimtim të vëmendshëm do të kapnin një trajtim prej së paku njëzetenjë faqesh. Po këtu mund të konstatohet shkurt se ëndrra tek autori vjen si metaforë, si oksimoron, si togfjalësh, si mbiemër, si gjendje. Në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, asnjëherë e kërkuar dhunshëm dhe asnjëherë e ndërfutur dhunshëm. Ja mjeshtëria e përdorimit të fjalës.

Ja edhe paragjykimi i tretë.

Autori kot e ka vënë në fund poezinë Në vend të pasthënies. Ajo, në strukturën e këtij libri, s’mund të lexohet veçse si parafjalë e tij. Dhe titulli? Ah titulli! Mund të jetë monogram i përmbajtjes, sipas Shopenhauerit, vullnet i autorit sipas zgjedhjes së lirë, apo edhe nunëri e një tjetri.. Kur pashë nënshkrimin prej redaktori të ShaipBeqirit thashë më vete: ky duhet të ketë dorë këtu, mbase në trajtë rekomandimi për ta përzgjedhur. Përfundimi im: Nuk i rri mirë zilka e heshtur (Linga e heshtjes) tramundanës shpirtërore.

Libër që më gëzon gjithsesi.

_______________________

Prishtinë, 4 qershor 2021

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK) ka njoftuar të martën…