
E shtyu fizikisht dy herë, AGK-ja dënon pengimin e gazetarit nga mbrojtja e afërt e Kurtit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar shtyrjen fizike të mbrojtjes së afërt të Albin Kurtit ndaj gazetarit Genc Godanci.
“Kjo nuk është hera e parë që gazetarët pengohen me dhunë nga mbrojtja e afërt në sytë e kryeministrit në detyrë, Kurti. AGK-ja e fton Policinë e Kosovës dhe kryeministrin në detyrë që të krijojnë kushte normale pune për gazetarët, kur ata kërkojnë përgjigje në ambient publik nga zyrtarët e lartë”, është thënë në reagimin e AGK-së.
Postimi i plotë:
AGK-ja dënon pengimin e gazetarit, Genc Godanci të T7 nga mbrojtja e afërt e kryeministrit në detyrë, Kurti
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), dënon fuqishëm pengimin që mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti, i ka bërë sot gazetarit të T7, Genc Godanci derisa ai ka provuar t’i bëjë pyetje për Indeksin e Lirisë së Medias të Reporterëve pa Kufij.
Një nga pjesëtarët e mbrojtjes së afërt shihet dy herë duke ia kapur fizikisht dorën gazetarit, dhe një tjetër paraqet pengesën e dytë në përpjekjen për të marrë përgjigje.
Kjo nuk është hera e parë që gazetarët pengohen me dhunë nga mbrojtja e afërt në sytë e kryeministrit në detyrë, Kurti.
AGK-ja e fton Policinë e Kosovës dhe kryeministrin në detyrë që të krijojnë kushte normale pune për gazetarët, kur ata kërkojnë përgjigje në ambient publik nga zyrtarët e lartë.