
E turpshme, Haskuka e quan rrugaçe asamblisten e PDK-së (Video)
Kuvendi Komunal i Prizrenit të mërkurën ka diskutuar për buxhetin e kësaj komune për vitin 2021.
Gjatë debatit për buxhetin, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka fyer asamblisten e PDK-së, Sherife Balaj, duke e quajtur rrugaçe.
“Rrugaçeve të cilët shpifin dhe gënjejnë nuk e kam ndërmend me iu përgjigj”, ka thënë Haskuka.
Ky reagim i Haskukës ka ardhur pasi asamblistja e PDK-së ia ka numëruar dështimet dhe premtimet të cilat nuk i ka realizuar.
Ndaj deklaratës së Haskukës ka reaguar edhe njëri nga asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, i cili ka kërkuar nga Haskuka që ta pastrojë fjalorin.
Po ashtu edhe Dega e PDK-së në Prizren ka reaguar ndaj deklaratës së Haskukës. Kjo parti e ka cilësuar si të papranueshme gjuhën përçmuese e fyese të përdorur nga Mytaher Haskuka ndaj Sherife Balaj.
“Shprehja e përdorur e Haskukës në sallën plenare ‘rrugaçe’ është fyese në rend të parë ndaj një kolegeje të Kuvendit Komunal, por mbi të gjitha e përdorur ndaj një kandidate femër e cila edhe në bazë të shumë monitorimeve të organizatave jo qeveritare është vlerësuar si kuvendarja më aktive. Ne e dënojmë fuqishëm si subjekt politik këtë veprim sepse më së paku kjo duhet të jetë gjuha parlamentare e një kryetari i cili u lëshua në fyerja pas fjalimit të Balajt që po kritikonte komunën për anashkalimin nga investimet e rajonit të Hasit. Arroganca, fyerjet dhe akuzat e një kryetari në ikje që është udhëhequr për katër vite nga një grup i ngushtë i njerëzve, flasin më shumë për karakterin e tij dhe mbi të gjitha frikën nga humbja që po e pret këto ditë. Ne jemi duke konsultuar edhe me ekspertët ligjorë për të ushtruar padi për fyerje dhe dëmtim të personalitetit publik të kuvendares tonë, Sherife Balaj. Ftojmë edhe partitë e tjera politike, aktivistet gra e shoqërinë civile që ta dënojnë këtë gjuhë fyese të përdorur në sallën e Kuvendit Komunal”, është thënë në reagimin e Degës së PDK-së në Prizren.