
E vërteta e Vasfije Krasniqit
Shkruan: Msc. Nafi Krasniqi
E vërteta është kërkuar gjithmonë, përderisa për të është sakrifikuar shumë. Ajo mban brenda vetes peshën e dijes, të drejtësisë dhe të ndërgjegjes. E vërteta ka frymëzuar filozofë e shkrimtarë, ka ndarë epoka, ka rrëzuar pushtete, ka krijuar heronj, profetë e artistë. Përtej librave, teorive e doktrinave, e vërteta mbetet një përpjekje e përditshme, një proces i brendshëm dhe i heshtur që njeriu zhvillon në raport me vetveten dhe me botën. Të kërkosh të vërtetën do të thotë të përballesh me frikën, me kërcënimin, me vuajtjen, por edhe me iluzionin shtysa që lind nga mospranimi i mashtrimit, sado i rehatshëm apo i qetë të duket ai.
Platoni e përfytyroi të vërtetën si dritë që shpëton njeriun nga errësira e padijes, sidomos kur ajo zbulon ndjenja të thella dhembshurie. Ai e përshkruan njeriun që thotë të vërtetën si të burgosurin që del nga shpella për të parë diellin, një përballje që dhemb, por ndriçon shpirtin.
E vërteta duhet thënë. Kështu përtej çdo aspekti personal, Vasfije Krasniqi ia kishte vënë vetës një detyrë më të madhe: ta thoshte të vërtetën, dhe atë para botës. Një detyrë që shkon përtej interesit personal dhe bëhet akt moral, qytetar e kombëtar.
Në këtë frymë, Vasfije Krasniqi qëndron si një nga zërat më të rrallë të së vërtetës në historinë moderne të Kosovës dhe të kombit shqiptar. Ajo nuk është vetëm viktimë dhe dëshmitare, ajo është mishërimi i vetë guximit që u lind nga dhimbja. Të thuash të vërtetën, veçanërisht atë që sfidon heshtjen kolektive, moralin shoqëror dhe plagën kombëtare, është akt që tejkalon kufijtë e individit: është akt ndërgjegjësimi kombëtare. Për më tepër, në një vend ku për dekada e vërteta e dhunës seksuale gjatë luftës ishte fshirë, mohuar dhe mbuluar nga turpi, Vasfije Krasniqi ngriti zërin dhe, me të, ringjalli dinjitetin e shumë grave e burrave që ishin detyruar të heshtnin. Kjo heshtje ishte pasojë e stigmës, e mendësive arkaike dhe e paradokseve që kishin ndarë jo vetëm shoqërinë, por edhe familjet.
E vërteta e Vasfijes nuk është teori, ajo është dëshmi. Është trupi që flet, kujtesa që nuk pranon harresën, shpirti që refuzon të fshihet pas frikës. Në rrëfimin e saj publik, shtatë vite më parë, ajo i dha formë një të vërtete që njerëzit e kishin kërkuar për dekada, ndoshta për shekuj: një të vërtetë që nuk është ide, as koncept, por përvojë e jetuar, përvojë që e përjetuan mijëra gra e burra të kësaj kohe dhe të kohërave të mëhershme. Në momentin kur ajo foli, ndodhi ajo që Platoni do ta quante “dalja nga shpella”: nga errësira e turpit, shoqëria kosovare – shqiptare u detyrua të përballej me dritën e realitetit. Dhe si çdo dritë e vërtetë, ajo fillimisht dhemb.
Të thuash të vërtetën, sidomos atë që rrëzon narracione të ndërtuara për dekada, është formë heroizmi e brendshme. Është guxim që nuk kërkon armë, por kërkon ndershmëri; nuk kërkon fitore, por kërkon drejtësi. Në këtë kontekst pak njerëz kanë pasur guximin të thënë të vërtetën. Por, Vasfija e kishte, madje ky akt nga shumëkush cilësohet si heroizëm: ajo nuk kërkoi as hakmarrje, as lavdi, por njohje të së vërtetës dhe drejtësi përmes saj. Sepse vetëm e vërteta dhe drejtësia mund ta shërojnë njeriun, të mbijetuarat si Vasfija dhe në fund, një shoqëri të tërë. Vitet që pasuan pas dëshmisë publike të Vasfijes dëshmuan se ajo kishte arritur të rikthente dinjitetin e humbur në vetëdijen tonë kolektive.
Është e dhimbshme dhe pafalshme, madje edhe shumë e rrezikshme se si në shoqërinë tonë, e vërteta mohohet hapur, ajo zëvendësohet me versione të buta, të pranueshme, që kërkojnë më pak përgjegjësi. Gjithashtu, ajo relativizohet, komentohet, negociohet, por kurrë në interes të saj. Kështu, njeriu mësohet të jetojë me “gjysmë të vërteta” dhe ta quajë këtë mençuri. Në të vërtetë, ky është dështim kolektiv, sepse ai që mohon të vërtetën mohon vetveten. Siç shkruante Albert Camus, “të thuash të vërtetën është një akt rebelimi”. Rebelimi i Vasfijes ishte pikërisht ky: refuzimi për t’u pajtuar me heshtjen, dhe për t’u bërë pjesë e harresës.
E vërteta e saj ishte një thirrje për përgjegjësi. Përkundër gjykimeve, keqkuptimeve dhe heshtjeve të rënda, ajo qëndroi e palëkundur. Sepse e vërteta, kur është e pastër, nuk ka nevojë të mbrohet, ajo e mbron vetë njeriun që e thotë. Ajo mund të sjellë dhimbje, të shembë rrëfime të tëra, të ekspozojë plagët që shoqëria dëshiron t’i harrojë, të sfidojë norma arkaike të rrënjosura thellë në qëndrimet tona, por mbetet e vetmja forcë që shëron. Në këtë kuptim, e vërteta e Vasfije Krasniqit është shumë më tepër se një rrëfim personal, ajo është postulat njerëzor, akt moral dhe testament historik.
Pra, në një kohë kur e vërteta shpesh humbet nën zhurmën e opinionit, Vasfije Krasniqi ia ktheu kuptimin e saj fillestar “e vërteta është dritë”, jo dogmë, “është prani”, jo si armë, por si shpëtim. Ajo dëshmoi se e vërteta, edhe kur dhemb, është më e vlefshme se çdo gënjeshtër që të rehaton. Sepse vetëm ajo i jep njeriut dinjitet, dhe vetëm përmes saj një popull mund të shërojë plagët e veta.
Në fund, hero i vërtetë nuk është vetëm ai njeri që fiton betejat e jashtme, por edhe ai që përballon betejën e brendshme, duke injoruar frikën, turpin dhe heshtjen. Vasfije Krasniqi e fitoi këtë betejë me ndershmëri, me dinjitet dhe me një ndriçim që e tejkalon kufirin e dhimbjes. Sepse e vërteta e saj nuk është hakmarrje, as thirrje për urrejtje, por ringjallje për shërim dhe drejtësi.
E vërteta e Vasfijes është vetë drita që nuk shuhet kurrë dhe do të ndriçoj çdo ditë e më shumë.