
Edi Rama: Shqipëria, 100 për qind e linjëzuar me politikën e jashtme të BE-së
Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar sot se Shqipëria është 100 për qind e linjëzuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, gjatë një konference të përbashkët për medie me përfaqësuesen e lartë të be-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Kaja Kallas, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë.
Kryeministri ka vlerësuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian si të shkëlqyera, duke theksuar se nuk ka asnjë çështje të hapur mes palëve.
“Kemi pasur një takim si gjithmonë shumë pozitiv. Ashtu siç tha edhe Presidentja (Kallas) mes nesh dhe BE-së nuk ka asnjë problem apo çështje të hapur. Përkundrazi, kemi një linjëzim të plotë në të gjitha aspektet, që shprehet më së miri në politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë, e cila është 100 për qind e linjëzuar me politikën e jashtme të BE-së”, është shprehur Rama.
Në fokus të takimit ishte edhe procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, për të cilin Rama ka theksuar se ekziston një kalendari ambicioz i dakordësuar me Komisionin Evropian për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027.
Gjithashtu, gjatë bisedës është diskutuar edhe zhvillimet në rajon, ku kryeministri Rama ka nënvizuar nevojën për stabilitet dhe unitet në Ballkanin Perëndimor.
“Fatmirësisht, të gjitha vendet kanë një synim të shpallur strategjik: anëtarësimin në BE. Ky destinacion është një pikë referimi shumë e dobishme për të kuptuar politikën e përditshme dhe për të koordinuar hapat që na afrojnë me Evropën. Që jo vetëm secili prej nesh të bëhet pjesë e BE-së, por i gjithë rajoni të bëhet pjesë organike e familjes së bashkuar evropiane”, ka thënë Rama.