Edita Tahiri: Kosovës i duhet një qeveri e unitetit

24 nëntor 20:42

Ish-ministrja për Dialog, kryetarja e Alternativës Demokratike të Kosovës (ADK), Edita Tahiri, ka thënë se vendit urgjentisht i duhet një qeveri e unitetit, në të cilën do të përfshiheshin partitë politike parlamentare.

Në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka theksuar se në momente strategjike për vendin ka ndodhur një lloj uniteti, ku Kosova ishte e fortë për realizimin e synimeve të veta.

Ajo ka thënë se kjo qeveri nuk ka vota të  mjaftueshme për të kaluar një ligj i cili është jetik për qytetarët.

Tahiri ka thënë se qeveria e unitetet është më se e domosdoshme kur kemi parasysh se Kosova në këtë kohë është duke u përballur edhe me Gjykatën Speciale.

“Kosova është në një gjendje shumë të rëndë në përgjithësi, në njërën anë për shkak të pandemisë dhe inicimi i proceseve nga Gjykata Speciale e ka rënduar këtë gjendje edhe më shumë. Kjo gjendje kërkon një mobilizim më të madh të institucioneve të shtetit tonë. E para për të siguruar një mbrojtje shtetërore sa më të mirë për ata që janë në gjykatë, në mënyrë që argumentimi të bëhet me një mbështetje sa më të madhe institucionale”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka theksuar se nëse nuk do të ketë mundësi për një unitet i cili ndërlidhet edhe me çështjen e zgjedhjes së një presidenti konsensual, atëherë alternativa mund të mbesin zgjedhjet e reja.

Në këtë intervistë ish-zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi. Vazhdimin e këtij dialogu ajo e lidh me krijimin e një qeverie të unitetit.

“Mendoj se fillimisht duhet të formohet një qeveri e unitetit dhe pastaj në një konsultë serioze ndërmjet të gjitha palëve, edhe me aleatët tanë, ShBA-në dhe Evropën, të vendoset në lidhje me ardhmërinë e këtij dialogu”, është shprehur ajo.

Tahiri ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave. “Koha është që të liberalizohen vizat këtë vit dhe të mos shtyhet më tej ky proces, se me të vërtetë BE-ja ka rënë në provim para Kosovës sa i takon liberalizimit të vizave, por edhe të përshpejtohet procesi i hapjes së negociatave për anëtarësim të Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.

“Epoka e re”: Znj. Tahiri, pas aktakuzave nga Gjykata Speciale për ish-krerët e UÇK-së, ju në disa paraqitje mediale keni bërë thirrje për qeveri të unitetit. Pse?
Edita Tahiri: Kosova është në një gjendje shumë të rëndë në përgjithësi, në njërën anë për shkak të pandemisë dhe inicimi i proceseve nga Gjykata Speciale e ka rënduar këtë gjendje edhe më shumë. Kjo gjendje kërkon një mobilizim më të madh të institucioneve të shtetit tonë. E para për të siguruar një mbrojtje shtetërore sa më të mirë për ata që janë në gjykatë, në mënyrë që argumentimi të bëhet me një mbështetje sa më të madhe institucionale. Në këtë drejtim duhet të ketë një unitet politik dhe kombëtar. Në këtë kuadër kam bërë thirrje për një qeveri uniteti, që më të vërtetë do ta rriste kapacitetin institucional dhe nevojën për të folur me një gjuhë në këtë kohë të rëndë.

“Epoka e re”: Kjo qeveri, çfarë përbërje do të duhej të kishte?
Edita Tahiri: Çështja e unitetit varet nga partitë sa e kanë prioritet interesin nacional të vendit tonë. Sikurse ta kishin të gjitha partitë prioritet interesin nacional, mendoj se të gjitha partitë që janë në parlament do të duhej të bashkoheshin në një qeveri uniteti. Nga përvoja e kaluar në këto dekada, edhe të periudhës së okupimit dhe të pasluftës, në momente strategjike për vendin ka ndodhur një lloj uniteti dhe kemi qenë shumë më të fortë për realizimin e synimeve. Nuk mund të paragjykoj se të gjitha mund të bashkohen, por një bazë e gjerë e partive parlamentare duhet të reflektohet në një qeveri të unitetit, e cila është e domosdoshme.

“Epoka e re”: Aktualisht po mendoni se nuk ka një përpjekje për një unitet të tillë nga partitë?
Edita Tahiri: Jemi të gjithë dëshmitarë se është duke munguar uniteti. Një tregues është se edhe Projektligji për rimëkëmbje ekonomike ende nuk është miratuar, pra gjërat e mëdha nuk po kanë përkrahjen e votave të mjaftueshme për miratim. Përveç pandemisë, kemi edhe gjëra të tjera më të rëndësishme siç është ana ekonomike, sepse qytetarët janë lodhur nga kjo pandemi, në mungesë të të hyrave. Pastaj na gjeti edhe kjo situata me Gjykatën Speciale. Kështu që Kosova ka një agjendë të rëndë dhe kjo agjendë kërkon aftësi më të mëdha me bashkimin e partive në një qeveri.

“Epoka e re”: Këtë situatë aktuale, sipas jush, nuk mund ta përballojë koalicioni aktual qeverisës, duke pasur parasysh pandeminë dhe Gjykatën Speciale?
Edita Tahiri: Ky koalicion është në minimum të votave në parlament, pra me një minimum të legjitimitetit. Vetë fakti që parlamenti nuk po mbërrin t’i kryejë obligimet për shkak të votave të mjaftueshme, urgjentisht duhet të ndërmerren masa për të ndryshuar kjo gjendje. Në radhë të parë, të krijohet një qeveri e unitetit e cila me të vërtetë do të mund të çojë përpara Kosovën në planin e brendshëm, por edhe në planin ndërkombëtar. Mos të harrojmë se kemi edhe dialogun e Brukselit, pra kemi një agjendë të rrallë si shtet.

“Epoka e re”: Qeveri të unitetit duke përjashtuar zgjedhjet e reja?
Edita Tahiri: Në qoftë se nuk do të ketë mundësi për një unitet që ndërlidhet edhe me çështjen e zgjedhjes së presidentit, që po mendoj se duhet të jetë konsensual, atëherë alternativa e vetme mund të mbesin zgjedhjet. Kanë një kohë përpara që duhet ta testojnë dhe në një moment të caktuar, kur shihet që nuk ka rezultat, atëherë ndoshta do të duhet të mendojnë edhe për zgjedhje.

“Epoka e re”: Ju përmendet edhe dialogun me Serbinë. Në këtë periudhë a do të duhej të ndërpritej për një kohë dialogu me Serbinë, kur kohën e fundit kemi parë një fushatë të egër të Serbisë ndaj Kosovës?
Edita Tahiri: Sjellja destruktive e Serbisë ka eskaluar edhe më shumë. E kam thënë këto ditë se derisa e gjithë bota mendon se si të lehtësohet gjendja e popullatës nga pandemia, Serbia e ka mendjen te lufta. E ka shtuar retorikën e luftës, madje bën edhe anketa në këto drejtime, që tregon se problemi kryesor i Ballkanit është Serbia, pra faktor destabilizues i sponsorizuar edhe nga politikat destruktive ruse. Kjo për Ballkanin është shqetësuese. Mendoj se partnerët euroatlantikë si ShBA dhe partnerët evropianë duhet të mobilizohen që Ballkani të mos kthehet edhe një herë në një fushëbetejë të agjendave gjeopolitike, përkundrazi duhet të ecin proceset e integrimeve euroatlantike përpara. Kur jemi të proceset euroatlantike, mendoj se Bashkimi Evropian tani duhet të mendojë shumë më shumë për Kosovën. Koha është që të liberalizohen vizat këtë vit dhe të mos shtyhet më tej ky proces, se me të vërtetë BE-ja ka rënë në provim para Kosovës sa i takon liberalizimit të vizave, por edhe të përshpejtohet procesi i hapjes së negociatave për anëtarësim për Kosovën. Pra t’i jepet statusi i kandidatit, sepse kjo është koha kur BE-ja mund të shtrijë një dorë më të fuqishme drejt Kosovës për ta mbështetur në proceset eurointegruese dhe euroatlantike.

“Epoka e re”: Pra dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë?
Edita Tahiri: Mendoj se fillimisht duhet të formohet një qeveri e unitetit dhe pastaj në një konsultë serioze ndërmjet të gjitha palëve, edhe me aleatët tanë, ShBA-në dhe Evropën, të vendoset në lidhje me ardhmërinë e këtij dialogu. Kosova duhet të jetë e zonja që t’ua bëjë të qartë partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë, se nëse Serbia nuk e ka ndërmend ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe e shfrytëzon këtë dialog për të treguar se gjoja është konstruktive për ta përparuar agjendën e vet evropiane, atëherë ky dialog po kthehet në një proces të dëmshëm për Kosovën. Këto çështje i takojnë Qeverisë së Kosovës me partnerët ndërkombëtarë para se të merren vendime çfarëdo qofshin në raport me dialogun.

(Mal QORRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i Francës, Antonie Grizmann nuk po arrin të shkëlqejë…