
Ekitike: Nuk më tremb konkurrenca me Isak, ky do të jetë një problem i trajnerit
Hugo Ekitike mezi pret të përballet me konkurrencën e fortë për një fanellë si titullar te Liverpooli, pas ardhjes në fundin e merkatos së verës të Alexander Isak. Të dy lojtarët mbërritën në “Anfield” këtë verë për një tarifë të kombinuar prej 204 milionë eurosh.
Ekitike ka shijuar një fillim mbresëlënës në skuadrën e Arne Slot, duke shënuar tre gola në katër paraqitjet e tij të para sezonale në Premier Ligë. Ndërsa tani do të përballet me konkurrencë të fortë nga Isak në të ardhmen.
Kur u pyet për balancimin e minutave midis dy lojtarëve, Ekitike e klasifikoi atë si një problem të trajnerit Arne Slot, që në fund duhet të vendosë për formacionin. “Kur luan për ekipet më të mira, në mënyrë të pashmangshme pret të konkurrosh me lojtarët më të mirë”, ka thënë Ekitike. “Isak është një lojtar që e kam parë më parë, kështu që është kënaqësi ta shohësh të vijë. Do të jetë një garë e forte mes nesh, por unë do të punoj shumë për të qenë i mirë dhe për të performuar mirë. Kështu që, problemi është vetëm i trajnerit”, ka deklaruar Ekitike.