Eksporti i Kosovës në mars mbuloi importin 10.4 për qind

24 prill 2018 | 20:00

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin mars 2018.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 1.9 për qind në muajin mars 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 228.9 milionë eurosh krahasuar me deficitin prej 233.3 milionë eurosh në vitin 2017. Eksporti mbulon importin me 10.4 për qind.

Eksporti i mallrave në muajin mars 2018 kishte vlerën 26.4 milionë euro, ndërsa importi 255.4 milionë euro, që është një rënie prej -15.4 përqindësh për eksport dhe -3.5 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 26.1 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15.3 për qind e përbëjnë produktet minerale; 13.3 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 13.3 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 4.9 për qind e përbëjnë produktet bimore; 4.7 për qind e përbëjnë lëkura dhe artikujt prej saj; 4.5 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 4.2 për qind e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij; 4.0 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar etj. Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 12.8 për qind të importit e përbëjnë produktet minerale; 11.7 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.2 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.8 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9.8 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 8.6 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 6.8 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5.6 për qind e përbëjnë produktet bimore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 26 mars, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë…