Ekzekutime dhe arrestime masive për spiunazh për Mossadin

18 qershor 2025 | 08:24

Ndërsa lufta mes Iranit dhe Izraelit vazhdon të përshkallëzohet, brenda Iranit është në zhvillim një tjetër front i errët: një fushatë brutale e ekzekutimeve dhe arrestimeve të dyshuara për spiunazh për llogari të Mossadit izraelit. Numri i të arrestuarve nga Shërbimi i Inteligjencës së Gardës Revolucionare mbetet i panjohur, por sipas burimeve të brendshme dhe mediave ndërkombëtare, përmasat janë shqetësuese.

Të hënën, një tjetër burrë u ekzekutua pas një “rrëfimi” të nxjerrë në rrethana të paqarta, që sipas raportimeve, përfshinin tortura dhe gjykime të përshpejtuara. Ky rast i shtohet një serie ekzekutimesh të ngjashme, ku të pandehurit kanë “pranuar” nën presion se kanë bashkëpunuar me shërbimin sekret izraelit, Mossad.

Sipas një raporti nga Economic Times, regjimi iranian është kapluar nga një klimë e frikës dhe dyshimit, ku çdo person që bie në sy – qoftë për syze dielli, maska apo thjesht për bartjen e një çante të madhe – mund të konsiderohet një agjent i mundshëm. Në mënyrë të ngjashme me Inkuizicionin e Mesjetës, autoritetet janë përfshirë në një gjueti shtrigash, arrestojnë dhe ekzekutojnë me urgjencë njerëz të dyshuar, pa prova të qarta apo procese të rregullta ligjore.

Frika në radhët e inteligjencës iraniane nuk është pa arsye. Për vite me radhë, Mossad ka infiltruar thellë në strukturat e brendshme të Iranit. Sipas analistëve perëndimorë, këto infiltrime nuk ishin veprime të izoluara, por pjesë e një strategjie afatgjatë me grupe të strukturuara në role specifike – nga vrasës, tek operatorë dronësh, skuadra mbikëqyrjeje e deri tek rekrutues disidentësh iranianë.

Një prej operacioneve më të bujshme, vrasja e shkencëtarit bërthamor Mohsen Fakhrizadeh, u përgatit për më shumë se një vit, dhe u ekzekutua me precizion kirurgjikal nga skuadra famëkeqe “Kidon” e Mossadit. Ai ishte vëzhguar për muaj të tërë, deri në momentin e sulmit.

Gazeta amerikane Wall Street Journal zbuloi detaje tronditëse të një tjetër operacioni të gjerë të Mossadit: futjen e qindra dronëve të armatosur në Iran përmes rrugëve tregtare dhe kontrabande. Ky operacion përfshiu infiltrimin e agjentëve afër bazave raketore dhe mbrojtjes ajrore, të cilat u neutralizuan në prag të sulmeve izraelite. Kështu, avionët F-35 izraelitë operuan me efektivitet maksimal, duke goditur objektiva strategjikë bërthamorë me pothuajse asnjë rezistencë.

Gjatë operacionit, 70 komandantë të forcave speciale izraelite operuan për mbi dy orë brenda territorit iranian, duke shkaktuar kaos të plotë në bazat ushtarake.

Frikë, paranojë dhe reagime

Për udhëheqësin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, këto sulme dhe infiltrime janë një sfidë direkte ndaj autoritetit të tij. Në një postim në rrjetet sociale, përfshirë një në hebraisht, ai deklaroi se “nuk do të ketë kurrë kompromis me Izraelin” dhe “beteja sapo ka filluar”.
Ndërkohë, brenda Iranit, mbizotëron frika – jo vetëm nga sulmet ajrore, por edhe nga represioni i brendshëm. Shumë iranianë tani jetojnë nën kërcënimin e arrestimit arbitrar dhe ekzekutimit pa gjyq, ndërsa regjimi përpiqet të japë sinjale force dhe kontrolli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Izraeli e ka tronditur Iranin javën e kaluar në momentin…