
Elezi: Javën e ardhshme fillon votimi me postë për rreth 44 mijë votues
Në javën e ardhshme, më 17 shtator, pritet të fillojë procesi i votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Koosvës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Ky proces do të vlejë për rreth 44 mijë shtetas të Kosovës, të cilët janë bërë pjesë e procesit zgjedhor, duke u regjistruar për votim me postë në zgjedhjet e nivelit lokal.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar se si do të zhvillohet votimi me postë për votuesit jashtë Kosovës. Detajet e tjera dhe procedurat specifike, ka shtuar Elezi, do të publikohen shumë shpejt nga KQZ-ja, duke siguruar transparencë dhe qartësi për çdo votues.
“Periudha e votimit përmes postës vlen vetëm për votuesit jashtë Kosovës që janë regjistruar për votim përmes postës në periudhën 23 korrik – 29 gusht 2025. Votimi përmes postës do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor. Pra, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në Zgjedhjet Lokale nuk ka votim në përfaqësi diplomatike, por vetëm përmes postës”, tha Elezi për Express.