ELIZABETA KARABOLLI NË POLIGONIN E ÇITJES NË KAMENICË NË VITIN 1970

05 tetor 2025 | 03:03

Një vizitë sportive u shndërrua në një ngjarje historike dhe emocionale, që ushqeu atdhedashurinë dhe mbajti gjallë lidhjen shpirtërore me nënën Shqipëri

Në kujtim të kampiones evropiane në çitje me pistoletë – Elizabeta Karabolli

Në vitet ’70, një ngjarje e veçantë la gjurmë të pashlyeshme në zemrën time dhe të shumë nxënësve të shkollave të mesme në Kamenicë, sot Dardanë. Ngjarja lidhej me ardhjen në Kosovë të kampiones evropiane në çitje me pistoletë, Elizabeta Karabolli, bashkë me ekipin nga Shqipëria.
Ishte një mëngjes me mjegull. Në stacionin e autobusëve të fshatit T, nxënësit bisedonin për detyrat e shtëpisë, provimet, ose thjesht përshëndeteshin me njëri-tjetrin. Papritur, përpara nesh u shfaq një autobus i pazakonshëm. Nuk ishte as “Kosova Trans” nga Gjilani e as “Jedinstvo” nga Bujanoci – ishte një autobus me mbishkrimin “Albania-Turist”, me ngjyrë të kaltër dhe shqiponjën dykrenare në tabelat e tij.Atmosfera ndryshoi menjëherë. Të gjithë u mahnitëm: disa duartrokitën, të tjerë ngritën duart në përshëndetje. Për herë të parë, para syve tanë shfaqej një simbol i gjallë i Shqipërisë së dashur. Ky ishte një moment që mbeti kujtim i përjetshëm.Më vonë mësuam se autobusi kishte ardhur për një arsye të veçantë: në poligonin e çitjes në Kamenicë do të zhvilloheshin ushtrime dhe demonstrime nga kampionia evropiane, Elizabeta Karabolli. Lajmi u përhap me shpejtësi. Unë dhe disa shokë vendosëm të mungonim në mësim për të parë nga afër mysafirët nga Shqipëria. Në poligon pamë të njëjtin autobus, tashmë të mbuluar me baltë nga rruga. Me mjetet e thjeshta që gjetëm aty afër, pastruam tabelat me krenari, si një gjest dashurie ndaj simbolit të Shqipërisë.Kur më në fund u takuam me kampionen Karabolli dhe ekipin e saj, përjetuam një emocion të papërshkrueshëm. Aty ishin të gjithë shokët e shoqet: Limoni Lenjani,Neziri Neziri, Vaxhide Morina, Mihane , Safetja Jakupi ,Hasija e shumë të tjerë. Ne nuk kishim ndonjë organizim të mirëfilltë, por na bashkonte besimi te njëri-tjetri, leximi i literaturës ilegale si gazeta “Bashkimi”, gazetat që vinin nga mërgata, apo libra të ndaluar.Më kujtohet kur njëri nga agjentët, që nuk ishin të paktë, deshi ta arrestonte Safeten. Fatmirësisht, ajo ia doli t’i shpëtonte nga duart dhe vrapoi drejt shtëpisë së saj,që ishte jo shumë larg.Përqafimet, buzëqeshjet dhe shëtitjet në qendër të qytetit mbeten kujtime të paharrueshme. Mihanja ecte pranë Elizabetës, ndërsa Safetja me një anëtar të ekipit shqiptar ,ndërsa ne të tjerët ecnim pas tyre. Çdo fjalë e ngrohtë që u shkëmbye në ato momente mbeti e gdhendur në kujtesën time për dekada.Sigurisht, kthimi në shkollë solli edhe pasojat e mungesës. Profesorët na qortuan dhe flisnin me fjalë të këqija për Shqipërinë. Por këto fjalë nuk patën ndikim. Përkundrazi, kjo përvojë e forcoi edhe më shumë dashurinë tonë për Nënën Shqipëri.
Koha tregoi se kjo ngjarje nuk ishte thjesht një episod rinor. Shumë prej atyre nxënësve që kishin pritur kampionen Elizabeta Karabolli u bënë më vonë pjesë aktive e lëvizjes ilegale dhe e demonstratave të vitit 1981.Kështu, një vizitë sportive u shndërrua në një ngjarje historike dhe emocionale, që ushqeu atdhedashurinë dhe mbajti gjallë lidhjen shpirtërore me nënën Shqipëri

Prof.Gani Shala,
Sant Gallen, 5 Tetor 2025

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arsim Qiriqi është kandidat i PDK-së për Asamblenë Komunale në…