Elmi Reçica kujton bashkëveprimtarin Tahir Hani në njëvjetorin e ndarjes nga jeta
Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të bashkëveprimtarit dhe veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare, Tahir Hani nga Veleshta e Strugës, ish i burgosuri politik dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, së bashku me bashkëveprimtarë të tjerë nga Kosova, ka kujtuar me respekt dhe mirënjohje figurën e tij të çmuar.
“Dje në Veleshtë të Strugës, në përvjetorin e parë të shkuarjes në amshim të bashkëveprimtarit dhe bashkëluftëtarit, mikut të çmuar Tahir Hani, bashkë me familjarë, shokë, bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë, u mblodhëm për ta kujtuar me respekt dhe mirënjohje të thellë.
Tahir Hani do të mbetet përherë në kujtesën tonë si shembull i përkushtimit, guximit dhe dashurisë për atdheun. Ai dha shumë për lirinë, për idealet që na bashkuan dhe për vlerat që sot i gëzojmë. Kujtimi për të është frymëzim për brezat që vijnë, për të vazhduar me përulësi e përgjegjësi rrugën e atdhedashurisë dhe kontributit për vendin.
Lavdi e përjetshme kujtimit të tij!”, ka shkruar Reçica.
Tahir Hani kujtohet si njëri ndër aktivistët e devotshëm të çështjes kombëtare, i angazhuar në mbështetje të lirisë dhe bashkimit të shqiptarëve, duke lënë pas një trashëgimi të ndritur patriotizmi e humanizmi.



