Elshani: Do ta çojmë procesin në Mitrovicë deri në rivotim

12 nëntor 2025 | 15:09

Procesi i verifikimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë ka përfunduar, ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar se do ta çojnë çështjen deri në rivotim, pas konstatimit të disa parregullsive.

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se ekipet e partisë, bashkë me vëzhguesit në terren, kanë evidentuar “çdo rast të dyshimtë” që lidhet me përzierjen e fletëvotimeve.

“Që nga momenti kur u identifikuan fletëvotime me numra serikë që i përkasin vendvotimeve të tjera, jemi angazhuar me të gjitha ekipet e numërimit dhe me vëzhguesit e PDK-së në Mitrovicë për të evidentuar çdo rast të dyshimtë”, ka shkruar ai.

Sipas tij, është “jashtëzakonisht shqetësuese” që ky fenomen është vërejtur në disa vendvotime, madje edhe në raste kur fletëvotime nga një shkollë janë gjetur në shkolla të tjera.

“Të gjitha këto dëshmi dhe fakte të mbledhura do t’i adresojmë në PZAP, dhe këtë proces do ta çojmë deri në fund, deri në rivotim!”, ka shtuar ai. Ai ka përgëzuar ekipin e PDK-së në Mitrovicë për punën e bërë dhe ka theksuar se synimi kryesor është “mbrojtja e vullnetit të qytetarëve dhe integritetit të zgjedhjeve”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Bashkimit Demokratik në Prizren, Zafir Berisha, i ka…