
Emisarja e Britanisë për Ballkanin Perëndimor takohet me Krasniqin e Abdixhikun
E dërguara e Posaçme të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, është takuar ndaras sot me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun.
Pas takimeve, Krasniqi e Abdixhiku kanë bërë me dije se në këto takime është diskutuar për ngërçin institucional.
Krasniqi ka thënë se kriza institucionale po e dëmton vendin, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
“E njoftova me qëndrimet dhe përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate, përmes respektimit të Kushtetutës”, ka shkruar Krasniqi.
Ndërkohë, Abdixhiku ka thënë se ka nënvizuar domosdoshmërinë urgjente për krijimin e institucioneve legjitime dhe funksionale, duke theksuar se zvarritja e këtij procesi po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve tanë.