Emrat e anëtarëve të rinj të Bordit të AKA-s dërgohen në Kryesinë e Kuvendit

23 janar 2018 | 16:52

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, me 6 vota për dhe 2 abstenime, të martën ka vendosur që t’ia dërgojë Kryesisë së Kuvendit emrat e anëtarëve të rinj të Bordit të Agjencisë Kosovare e Akreditimit (AKA), por me disa vërejtje.

Vërejtjet të cilat i kanë paraqitur anëtarët e këtij komisioni, kanë qenë se emrat e disa anëtarëve të propozuar në këtë bord nuk janë të profilizuar në fushën e arsimit, si dhe nuk përmbushin kuotën gjinore 50/50.

Deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj, ka thënë se ky agjension nuk duhet të përbëhet nga grada shkencore të drejtimeve tjera, por nga njerëz që merren me fushën e arsimit.

“Vetëm një merret me fushë të arsimit nga bordi i ri, agjensioni kryesor i shtetit për arsim të lartë nuk duhet të ngarkohet me njerëz që nuk janë të fushës së arsimit, dhe jo doktor apo ekonomist”, ka thënë Çoçaj.

Kurse deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se ky vendim do të duhej të vinte me një shkresë me arsyetimin e emrave të propozuar për anëtarë të Bordit të AKA-së.

“Bordi i ri i propozuar kanë grada të larta shkencore dhe respektoj fushë veprimtarinë e tyre, por të gjithë vijnë nga fushëveprimtaritë e tjera dhe jo nga arsimi, vetëm një prej tyre është njohës i arsimit, dhe mendoj që bashkë me CV-të e tyre do duhej të vinte një shkresë pse këta do kryejnë këtë punë”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, nënkryetarja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Teuta Haxhiu, ka shprehur shqetësimin se prej të gjithë kandidatëve është emëruar vetëm një femër si pjesë e këtij bordi. “Është shqetësuese se prej të gjithë të emëruarëve në këtë bord është vetëm një femër”, ka thënë ajo.

Emrat që ka propozuar Ministria e Arsimit dhe ka nënshkruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj janë: Gazmend Luboteni, Rozafa Koliqi- Lila, Berim Ramosaj, Arben Qerezi, Dukagjin Zeka dhe Ilir Doçi si dhe 3 anëtarë ndërkombëtarë.

(Arbisa SHEFKIU)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, është…