ËNDRRAT E PËRDORURA

29 mars 15:37

ALBANA KOZELI

 

 

Ëndrrat e përdorura

që shkrihen në muzgje vetmie

nuk do të të thonë kurrë

cila është vetja jote e re…

 

Ku është horizonti i mbarimit

Dhe ku fillon përplasja e dallgës

 

Klith

Klith

Edhe kundër ëndrrës

që zgjimi të shpërthejë si vullkan

derisa vdekja të t’i shterë buzët…

 

Ndalo, dëgjo

Nuhat dritën e shpërbërë

të mugullimës së mëngjesit

Pasqyrash fshihu

që ta rigjesh veten

në natën më të zezë

 

Ëndrrat e përdorura

janë si e njëjta rrugë pa kthim

ku grushtet i bëra gjak

në murin e indiferencës

 

Sot isha shkumë

se zërin nuk desha t’ua dhuroj

shtriganëve që nginjen me frymën

Fytyrash të egra u shformova

më egër më xixëlluan sytë

 

I lashë

i lashë

ashtu të tretur në pabesi

dhe tutje këndova

përplasa

godita

shpërtheva

veten time të re

 

UDHËKRYQ

 

Jam ulur këtu, në udhëkryq

Pa koordinata, pa miq

Si pykë

Rrugët duhet me i shpikë

 

Kam ftohtë

Dielli m’ godet nga lart

Si thikë

Zotin duhet me e shpikë

 

Është ora e hiçit

Pa çarçafë të ngrohtë kotësie

Frikë

Dashninë duhet me e shpikë

 

Pa dyer që mund të hapen

Kryqit tashmë, ulur, pa udhë…

Kërkund me ikë

Njeriun duhet me e shpikë

 

EJA DREJT MEJE

 

Eja drejt meje, PËRBINDËSH

i mëkatit tim

I butë, i thyeshëm, i dobët

Me krahë ngërthyer frike

rropulli ngatërruar intrigës

I fshehtë si gjarpër zvarritesh

I ftohtë, i zjarrtë, kopuk

Për mishi më ngjitesh…

 

Më kot kërkon në mish

Atë që kam në shpirt

 

Mashtrimin nën ballin e ulët e fsheh

Vështrimi të fikët nga droja

E ndizesh prej epshi në xixëllimë sysh

Nuk fle kur fle

Zgjuar mëkaton në gjumë

E shumohesh si krimbat kur i ndan dysh

 

Me qelqin e thyer të zilisë

Më hy thellë në mish

 

Më duaj, më duaj

Me kthetrat e tua më bluaj

Se sot kam lindur

E sot mësova të qaj

Nga forca a ligështia

S’e di

Të dy të ngjitemi në qiej

Të dy të rrokemi e mbytemi

Në gjakun e purpurt të pasionit të ndaluar

Oh, më kap, më thith

Më përshko me duar

 

Të pastër mëkatin ta ndiej

 

Ti mbreti im

Un’ skllavja jote

I etur, i mbrapshtë, i qielltë

HUMBELLE

Humbelle e ëndrrave të mia

 

Terr

Muzg

Ferr

Dritë e mekur parajse, o hije

Më kot mundohesh përmes meje të jesh

Kur trupin tim e kryqëzon

Urrejtjen e zbrazë me fjalë dhembshurie

Atëherë un’ iki, atëherë

Un’ shkoj

Në vise të largëta ku një tjetër kërkoj

Dhe gjej, po po gjej

Atë, të pafrikurin, të ngjashmin

Të pafundmin njeri

Atë që heshtja e pastër ma fal

Kthej kryet e lodhur e ty

Të kam këtu

O engjëll, o djall…

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala Çështja e taksave në…