Enigma e Mesopotamisë, gara për t’i deshifruar gjuhët e lashta

03 gusht 2025 | 08:41

Nga: Sue Gaisford / The Financial Times

Papirusi shpërbëhet, pergamena dhe letra digjen, por pllakat prej balte mund t’i mbijetojnë zjarrit – madje edhe një zjarri të fuqishëm, si ai që në vitin 612 p.e.s. shkatërroi pothuajse gjithë pallatin e madh të mbretit Senaherib në Ninevë në Veri të Irakut të sotëm. Thellë në bibliotekën e djegur të atyre rrënojave, në fillim të viteve ’60 të shekullit XX, George Smith zbuloi një fragment të historisë së Utnapishtimit. Ky sundimtar ishte i rrallë në kohë të lashta – një mbret i mirë – i cili u paralajmërua nga lart të ndërtonte një anije për t’i shpëtuar një përmbytjeje të madhe. Kur shiu pushoi, ai e dërgoi një pëllumb i cili u kthye teksa anija po ndalej mbi majën e një mali.

Fragmenti ishte një kopje e një pasazhi të shkruar në periudhën e Babilonisë së Vjetër dhe i paraprin tregimit të Noës për disa shekuj. Zbulimi i Smithit, që e lidhte një tekst kaq të lashtë me rrëfimin biblik, shkaktoi një bujë të jashtëzakonshme, veçanërisht në një kohë të skepticizmit fetar. Historia është pjesë e Epit të Gilgameshit dhe ishte shkruar me stilin kuneiform [kunjor] – një stil shkrimi i krijuar duke gërvishtur shenja të vogla trapezoide mbi baltë të lagësht përmes një kallami të mprehur. Interpretimi i saj kishte sfiduar studiuesit për shekuj me radhë. Në [librin] The Mesopotamian Riddle [Enigma e Mesopotamisë], Joshua Hammer rrëfen jetën dhe punën e tre burrave që garuan për të qenë të parët të cilët do ta kuptonin atë.

Kuneiformi u përdor, me variante të panumërta, në shumë gjuhë të lashta – tri prej të cilave janë të gdhendura në një shkëmb të pjerrët në Behistun, në Iranin perëndimor, nga Dari i Madh. Duke u kthyer në shtëpi pas një fitoreje të madhe dhe tipikisht të dhunshme, ai ndaloi për të regjistruar rëndësinë e tij të pamasë, në tri gjuhë, për brezat e ardhshëm. Për shekuj me radhë, të tri ato mbetën të pakuptueshme. Megjithatë, ashtu siç Guri i Rozetës u bë çelës për deshifrimin e hieroglifeve, po ashtu edhe Behistuni kishte çelësin vendimtar. Të tri gjuhët përmbanin të njëjtin mesazh: nëse e deshifroje njërën, kishe gjasa të zbërtheje edhe dy të tjerat.

Henry Rawlinson, një ushtar dhe punonjës i Kompanisë së Indisë Lindore, ishte i përcaktuar për t’i deshifruar ato. Me sa duket, persishtja e vjetër dhe elamishtja kanë qenë relativisht të lehta, dhe ai i përdori ato për të punuar mbi të tretën dhe më të lashtën: gjuhën semite/sumeriane të njohur si akadianishtja. Ai përdorte kallëpe prej letre [në teknikën papier-mâché] – të cilat i quante “shtrydhëse” – për të riprodhuar shkrimin dhe, sipas vetë tij, ia doli mbanë: megjithatë, shumë prej përfundimeve të tij rezultuan më pas mjaft të dyshimta.

Njeriu i dytë ishte Austen Henry Layard, një arkeolog këmbëngulës dhe praktik, i cili punoi për një kohë me Rawlinsonin dhe bëri zbulime shumë të rëndësishme. Më në fund, Edward Hincks, një pastor fshati në Irlandë dhe ekspert i hebraishtes dhe hieroglifeve, vuri re ngjashmëri tërheqëse me tregimet biblike. Hincksi ka marrë më pas vlerësimin që iu mohua gjatë jetës nga konkurrentët xhelozë dhe herë pas here të pandershëm. Siç shkruan Hammeri, ata formonin një “pas de trois [treshe] herë miqësore, por shpeshherë kontradiktore”.

Hammer është një shkrimtar dhe gazetar jashtëzakonisht produktiv, subjektet e të cilit shtrihen nga Timbuktuja te Palestina, Japonia e përtej. Siç pritej, Enigma e Mesopotamisë përfshin një numër marramendës tregimesh dytësore: është jashtëzakonisht i ngarkuar, por njëkohësisht i pasur për së mbari. Ngjarjet historike që konkurrojnë për vëmendje dhe udhëtojnë përmes kontinenteve dhe mijëvjeçarëve, ndërpresin vazhdimisht rrëfimin.

Lufta e Krimesë, themelimi i Muzeut Britanik, uria e patateve, viti i revolucioneve, lufta e parë anglo-afgane, Loja e Madhe e rivalitetit perandorak mes Rusisë dhe Britanisë, zbulimi i Pompeit, ekspedita e Napoleonit në Egjipt, grabitja e Halikarnasit dhe zakonet halucinogjene të magëve zoroastrianë – që të gjitha shtyhen për të zënë vend në këtë rrëfim – ashtu si edhe shumë ide gjuhësore, nga gjuha ende e padeshifruar e Ishullit të Pashkëve, te mënyra se si shkruhet Joseph Biden në shkronjat cirilike. Logograme, glife, determinanta, fonema dhe sistemet silabike përplasen me përpjekjet vërtet heroike të shtypit për të riprodhuar pa fund ato simbole të bezdisshme si këmbët e zogjve, që përbëjnë formulat joshëse, por të pakuptueshme, të shkrimit kuneiform. Mbase do të më duhet të marr frymë thellë dhe ta lexoj sërish librin nga fillimi. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aty ku më parë mbizotëronte entuziazmi për transformimin trupor, tani…