
Enkileda Carja shkëlqen në Madrid, 3 medalje ari dhe 6 rekorde evropiane
Enkileda Carja nuk ndalet. Peshëngritësja e talentuar shqiptare ka arritur të tjera rezultate të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare, duke u konfirmuar si një prej talenteve më të mëdha që ka nxjerrë ndonjëherë shtanga shqiptare.
Carja është shpallur kampione e trefishtë në Kampionatin Europian për moshat U-17, aktivitet që po zhvillohet në Madrid dhe këtë e ka bërë me një perfomancë të pabesueshme, duke thyer plot gjashtë rekorde europiane për këtë grupmoshë.
E futur si favoritja e madhe e kategorisë së peshave 63 kg, Enkileda Carja i justifikoi të gjitha pritshmëritë.
Carja tronditi që me të parën, duke ngritur 91 kg në stilin e shkëputjes, për të fiksuar menjëherë rekord europian, duke marrë vendin e parë në garë.
Por vajza e artë elbasanase nuk ndal këtu, pasi kaloi me sukses edhe provën e dytë me 93 kg, duke i forcuar pozitat në krye me një tjetër rekord europian.
Enkileda provoi në të tretën me 95 kg, por nuk ia doli, për ta mbyllur kështu shkëputjen me rezultatin mahnitës 93 kg, duke siguruar medaljen e arit.
Më tej ishte radha e stilit të shtytjes, me peshëngritësen kuqezi që e filloi me këmbë të mbarë, duke ngritur 109 kg, për të shënuar rekordin e tretë europian.
Ajo u përmirësua me një tjetër rekord, duke realizuar me sukses 111 kg në provën e dytë, ndërsa provoi me 114 kg në të tretën, por nuk ia doli.
Kështu me 111 kg, Enkileda Carja meritoi medaljen dytë të artë, ndërsa me 204 kompletoi tripletën e arit në dygarësh, për të vulosur edhe rekordin e radhës europian.
Rezultate të shkëlqyera që vijnë si fryt i një pune të madhe që peshëngritësja bën për vite me radhë, e drejtuar nga trajnerja e saj, Eglantina Kalemi.
Kujtojmë që Enkileda Carja, prej më shumë se një viti është sportiste e skuadrës së Teutës.