
Erdogan dhe Macron në Tiranë, eksperti diplomatik analizon gjuhën e trupit: Ja mesazhet e fshehta
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Marlind Laçi ishte këtë të diel i ftuar në Euronews Albania ku ka komentuar Samitin e Komunitetit Politik Europian të mbajtur në Tiranë të premten (16 maj 2025).
Një nga momentet “pikante” të këtij samiti, të komentuara nga studiuesi Laçi ishte dhe takimi mes presidentit Francez Emmanuel Macron dhe presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan .
Një video e dy liderëve është bërë virale pasi presidenti Macron vendos dorën e tij sipër dorës së presidentit Erdogan, ndërsa ky i fundit reagon duke i shtrënguar njërin nga gishtat.
“Gjuha e trupi qoftë e Emmanuel Macron, por edhe e presidentit Erdogan tregojnë qartë përplasje gjeopolitike midis Turqisë dhe Francës. Janë të mbartura disa konflikte në rastin e konfliktit Armeni Azerbajxhan, Turqia mbante krahun e Azerbajxhanit, ndërsa Franca mbante krahun e Armenisë. Gjithashtu kemi rastin e përplasjes së interesave turke në Libi me interesat franceze. Në këtë kontekst në të dyja këto konflikte, por edhe në konfliktin e ndodhur vite më parë në Detin Mesdhe.
Duke gjithë këtë, në atë moment presidenti Macron tentoi të superonte dorën e presidentit Erdogan, në gjuhën diplomatike kjo është një lloj dominance, por edhe një farë kontrolli mbi presidencën turke për të treguar superioritet, por në anën tjetër ishte një kthim klasik i situatës.
Në atë rast presidenti Erdogan shtrëngoi gishtat dhe ia mbajti gishtat shtrënguar. Në atë moment Erdogan i ka treguar “Franca dhe Europa është në rënie, ndërsa një yll i ri po rritet në rrafshin global”, kjo është lexuar në nivel ekspertesh dhe diplomatësh që njohin gjuhën e trupit”,-tha Laçi.