
Erdogani: Nuk do të rikandidojë për president, Turqia ka nevojë për një kushtetutë të re
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka thënë se nuk ka ndërmend të kandidojë përsëri për president, duke shtuar se vendi ka nevojë për një kushtetutë të re, raportojnë mediat turke.
“Nuk kam ndërmend të rizgjidhem ose të kandidoj përsëri për president. Ne kujdesemi vetëm për përmirësimin e reputacionit të vendit tonë. Turqia po ndryshon, bota po ndryshon. Po jetojmë në një epokë të re. A mendoni se mund të arrijmë diçka në një botë që ndryshon kaq shpejt me një kushtetutë të krijuar gjatë një grushti shteti në Turqinë e vjetër që ende ruan një mentalitet puçi? Turqia nuk mund të ecë më përpara me një kushtetutë të shkruar nga puçistët. Ne kemi nevojë për një kushtetutë të propozuar nga civilë, jo nga komplotistë grushti shteti”, ka thënë Erdogan pas kthimit të tij nga Hungaria.
Erdogani, duke folur para gazetarëve në kthimin e tij nga Hungaria ku është zhvilluar samiti joformal i liderëve të Organizatës së Shteteve Turke, ka shpjeguar nevojën për rishkrimin e kushtetutës turke.
Pavarësisht ndryshimeve, kushtetuta aktuale ende mban frymën e grushtit të shtetit të vitit 1980, ka thënë Erdogani, duke përsëritur se ai kishte sugjeruar një kartë krejtësisht të re, civile dhe demokratike që kur kishte hyrë në politikë më shumë se 40 vjet më parë.
Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet po punon për një kushtetutë të re, por ajo që është e rëndësishme është nëse partia kryesore opozitare, Partia Popullore Republikane (CHP) do t’i bashkohet atyre, ka nënvizuar presidenti turk.
Erdogani pas këtij lajmi ka folur edhe për lidhjet me ShBA-në.
“Mund të kem një vizitë në Amerikë. Mendoj se mund të gjejmë një shans për të zhvilluar një takim ballë për ballë me zotin Trump atje. Lidhjet midis Turqisë dhe Amerikës janë shumë të rëndësishme. Pikëpamja e zotit Trump për Turqinë është shumë pozitive, po ashtu edhe e jona për ta. Ne kemi një lidhje të fortë të bazuar në respektin reciprok dhe sinqeritetin”, ka thënë Erdogani.