Ese për Ditën e Lirisë

12 qershor 2025 | 16:11

Shkruan: Xhenet Berisha – Rashkoc

Klasa e tetë, Shkolla e mesme e ulët “Ali M. Hasi”, Cërmjan, Komuna e Gjakovës

I nderuar arsimtar i gjuhës shqipe,

Po marr shkas nga titulli që na e rekomanduat për esenë që duam t’ia kushtojmë “Ditës së Paqes” në vendin tonë.

Po ju drejtohem juve, jo vetëm sepse jeni arsimtar i lëndës, por sepse jeni edhe djali i Dëshmorit të Lirisë, ish-mësuesit dhe luftëtarit Ali Hasi – Hero i Kosovës. Ju do të më kuptoni më mirë se kushdo tjetër, por mbi të gjitha do ta ndjeni më thellë këtë shqetësim që kam si nxënës, si biri i një veterani të luftës për liri.

Bota synon paqen. Edhe ne jemi pjesë e asaj bote që kërkon paqe, stabilitet dhe drejtësi. Por sot, në paqe, po festojmë një ditë që nuk është as simbol i kompromisit, e as produkt i qetësisë diplomatike. Po festojmë një ditë që shënon një moment historik të fituar me gjak – lirinë e Kosovës dhe të popullit shqiptar.

Prandaj po ju kërkoj ta quani këtë ditë me emrin e saj të vërtetë: Dita e Lirisë.

Sepse pikërisht më 12 qershor të vitit 1999, ndodhi lirimi i Kosovës nga okupimi primitiv dhe kriminal i Serbisë.

Kjo fitore nuk erdhi rastësisht. Erdhi si rezultat i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në beteja të përgjakshme si ajo e Prekazit, Llapushës, Dukagjinit, Pashtrikut, Karadakut dhe Koshares – beteja që shndërruan një popull të pambrojtur në një ushtri me moral të lartë dhe qëllim të vetëm: lirimin e vendit.

Ishte Kosharja që goditi mitin e parrënueshmërisë me forcën e armës, të kufirit që ndante shqiptarët.

Ishin mijëra vullnetarë nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga mërgata që u bashkuan për të luftuar për dinjitetin e nëpërkëmbur të një kombi të ndarë dhunshëm.

Ishte gjaku i të rënëve që rrëzoi kulmin e krimit gjenocidal shtetëror serb, që kishte për synim zhdukjen e shqiptarëve nga harta e Kosovës.

Liria u bë realitet sepse kishte njerëz që e deshën më shumë se vetë jetën.

Prandaj, përmes këtyre rreshtave që po mundohem t’i rendis me përulje e dinjitet, po ju kërkoj: flisni me gjuhën e gjakut të derdhur për liri. Dhe këtë titull – “Ese për Ditën e Paqes” – na e ktheni në: “Ese për Ditën e Lirisë.”

Paqja është vlerë universale që e synojmë të gjithë. Është aspiratë dhe qëllim. Por paqja pa drejtësi është iluzion. Pa drejtësi për viktimat, pa dënim për kriminelët, pa respekt për gjakun e derdhur – paqja mbetet veç një slogan diplomatik.

Kosova e lirë sot është ende peng i padrejtësisë ndërkombëtare, ku kriminelët serbë janë të lirë, ndërsa luftëtarët e UÇK-së janë në gjykime. Qytetarët tanë ndalohen në kufij për fletarreste politike nga Serbia.

Paqja nuk është mungesa e luftës – por prania e drejtësisë.

Nëse çdo gjë tjetër e ka burimin në tokë, liria i ka rrënjët në gjak. Në gjakun e dëshmorëve. Në flijimin e atyre që nuk kërkuan asgjë për vete, përveç se një Kosovë të lirë dhe të bashkuar.

Zoti arsimtar, biri i dëshmorit të dijes dhe të armës – flisni me gjuhën e gjakut të babait tuaj Hero.

Flisni me gjuhën e popullit që nuk e fitoi lirinë me paqe, por synon paqen përmes drejtësisë që mundëson liria.

Sepse ne, brezi i pasluftës, nuk kemi të drejtë ta harrojmë atë që është fituar me gjak. Ne kemi për detyrë ta ruajmë lirinë si sakrificë, jo si dhuratë; si obligim, jo si përfitim personal.

Sot, kur institucionet tona ndonjëherë e shmangin fjalën “luftë”, e relativizojnë fjalën “liri” dhe zgjedhin fjalën “paqë” për të mos i zemëruar të tjerët – ne kemi për detyrë të mos heshtim.

Sepse kur fjalorin institucional e ndërtojmë mbi “paqen”, pa e përmendur “lirinë”, e fshijmë gjakun, e zhdukim kujtesën dhe e relativizojmë drejtësinë.

Sot, mos hesht. Mos festo pa e kujtuar kush pagoi për këtë liri. Dhe mos e quaj paqe atë që është ende peng i padrejtësisë. Quaje siç është: Dita e Lirisë.

Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për këtë ditë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, Kujtim Munishi, ka…