Ese për Rafi Halilin lajmëtarin e lirisë

30 janar 2023 | 11:24

Nga: Arsim Sinani

Si gjimnazist u shpërnda lajmi se do të lirohej nga burgu Rafi Halili, një lajm që të gjithëve na gëzoi, pamasë. Si të rinj dhe me vrullin që kishim i bëbë përgatitjet që t’i bëhet një pritje madhështore, pasi Rafi Halili lirohej nga kazamatet e Jugosllavisë. Pasi ishte një kohë e një turbulence dhe një organizimi stihik mes shqiptarëve. Kjo ngjarje u pengua dhe u amortizua nga pushteti dhe bishtat e tij, dhe nuk u arrit që t’i bëhet një pritje siç e meritonte figura e tij, ajo e Rafi Halilit. Pushteti jugosllav, e ai sllavomaqedon me shumë kujdes punuan që figura e tij të mbetet në hije, gjë që e bën edhe më të madhe figurën e patriotit, atdhetarit, liridashësit dhe flijimtarit, Rafi Halili. Sa më shumë që Rafi Halili u përndoq aq më shumë figura e tij u ngrit si legjendë e gjallë e heroizmës shqiptare, përballë makinerisë vrastare të popullit shqiptar.

5.Rafi Halili me gruan Mahijen dhe vajzen

Dalja nga burgu ishte një burg tjetër për Rafi Halilin që u ballafaqua me probleme ekzistenciale që do ta detyronin që të merrej me punë që nuk i donte. Shoqëria shqiptare u tregua e padrejtë ne raport me te. Të padrejtë u treguan të gjithë, nga pak dhe vetja. Por në histori njerëzit nuk hyjnë rastësisht dhe Rafi Halili hyri në histori bashkë me: Shaip Kamberin, Mehmet Riza Gegën, Zaim Beqirin si figura të vetëdijshme dhe që nuk bënë llogari, e aq më pak tregti me ndjenjat kombëtare. Do ta shohim Rafinë të tërhequr gjatë gjithë kohës, por dua të rikujtoj për hir të mbamendjes tonë se në një moment ai e ndjeu veten të braktisur, dhe që nga ai moment u tërhoq në një jetë asketi në tokën e të parëve, në Sharrin aty ku e gjente qetësinë e tij shpirtërore. Aty Rafi Halili do të sodis dhe do të merr frymë duke i ujitur idealet e veta buzë Lumit Artat, nën hijen e mollëve të Tetovës, e zërit të zogjve dhe gurgullimës së burimeve të Sharrit. Aty e gjen qetësinë për t’a ruajtur me xhelozi dashurinë e tij, për Shqipërinë.

2.Nena e Rafi Halilit pas nje bastiesjeje nga policia maqedone

Historia e shqiptarëve kjo pas 1945 ka shumë probleme dhe hije nga më të ndryshmet që kërkojnë të sqarohen. pasi figurat që më së shumti dhanë për ta mbajtur gjallë dëshirën për liri, për shqiptarët, janë të lënë në harresë të qëllimshme. Harresë e cila është punuar me kujdes të jetë kolektive, për atë kush jemi, çfarë përfaqësojmë, deri te çështje që kanë të bëjnë me atë se kush ishte armiku ynë, që varësisht nga koha ndryshoi pamjen. Por këtu del para dhe qëndron stoik Rafi Halili, që me: “Kushtrimin e lirisë” mbetet një nga figurat më të fuqishme, që e kishte lëvizja për çlirim kombëtar, nga zgjedha e huaj, nga robëria, nga Jugosllavia, nga pushteti i sotëm maqedonas e shqiptar.

Rafi Halili, Oso Kuka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Afrim Zhitia,  Fahri Fazliu, Gafurr Loku, Harun Aliu, janë emra të përveçëm të sakrificës së plotëshme, që lirinë e shohin si të vetmen udhë për tu sakrifikuar vetë, për lirinë tone, kolektive.

3.Rafi Halili me Gafur Lokun dhe familjen ne Tetove

E Rafi Halili është shembull se si do të duhej të arrihej liria e një populli të robëruar. Rafiu asnjëherë nuk i njohu sistemet jugosllave, sllavomaqedone deri në ditën e përtejme. Këtë ia kemi borxh t’ia themi publikut, për mbamendjen kolektive. Këtu lipset kujtuar se një pjesë mjaft substanciale ndryshoi vijën e mendimit dhe u adaptua me sistemet që vijnë e shkojnë përreth shqiptarëve në Maqedoni veriore. Prandaj figura e Rafi Halilit është shumë bindëse dhe na kujton se çfarë nuk kemi realizuar, ku kemi gabuar, çfarë ka ndodhur me harresën, çka ka ndodhur me betimin për liri, çfarë metamorfoze ka pësuar mendimi kinse i lirisë që është akomoduar thellë në sistemin e huaj. Rafi Halili na kujton se liria kërkon kontinuitet të mendimit, gjykimit, veprimit. Prandaj lotët që dalin për te tregojnë më së miri se ku kanë gabuar ata që e tjetërsuan idealin dhe e shkëmbyen për poste e ofiqe, për pushtet absurd.

1. Rafi Halili me Mehmet Riza Gegen

E kam takuar sa herë që kam mundur kryesisht ditën e enjte kur rrinte nën hijen e një peme në Çarshi të Epërme, ditën kur artin e tij të drugdhendjes e nxirrte në treg për të mbijetuar, pasiqë, kurrë nuk arriti ta ketë lirinë e vetë, pasi atë lirinë, duhet ta gëzonin të tjerët. Dhe Rafi Halili duhej të vuante, kur të tjerët i gëzoheshin, kishin privilegje, luanin me pushtetin, ishin komod, bënin gjumë të rehatshëm, sodisnin yjet etj. Në këto rrethana të një burgu të madh siç do të më thoshte në një rast Rafi Halili zgjodhi heshtjen e tij kundrejt të gjithë atyre që lirinë e këmbyen. Më ka thënë jo një herë se më duhet ta lozi këtë rol në këtë shoqëri, që ndryshon idealin për materialen. E them me përgjegjësi për tu mbajtur mend se Rafi Hahlili kurrë nuk bëri asnjë kompromis, përveç një kompromisi që e bënte dhe e ngushëllonte, për atdheun, Shqipërinë. Rafi Halili besonte se zgjidhja e çështjes shqiptare përfundon në ditën kur shqiptarët do të jetojnë bashkë në një shtet, në Republikën e Shqipërisë. Kjo është e vërteta e pamohueshme e këtij brezi që për simbol dhe inspirim e kishin Adem Demaçin. I tillë ishte Rafi Halili që rrugëtimi i tij është i qartë, i sigurtë, i vërtetë, real, pa taktizime e hiperbolizime. Rafi Halili kishte një atdhe, Shqipërinë.  Rrugën me te u nda pasiqë ideali i tij kishte adresë, qëllim, mision.

Historia do ta kujtojë Rafi Halilin, këtë burrë të madh pa teke, por me shumë ideale, si themeltar të vazhdimësisë së përpjekjeve për liri, ndër shqiptar. Ata, që se kuptuan e kanë të vështirë edhe sot t’a kuptojnë, pasi liria e Rafi Halilit është një liri magjike, e përjetshme, që na bën nder të gjithëve. Liri për të cilën ai nuk u tërhoq, pa kërkuar asnjë çmim. Kjo ese për Rafi Halilin lajmëtarin e lirisë është një qasje imja, për ta kuptuar këndvështrimin tim se si e shoh rrugëtimin e tij jetësor.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka mbajtur…