Është koha për një kontratë të re sociale dhe fiskale

11 prill 2020 | 09:34

Shtatë akademikë francezë, përfshirë Thomas Piketty, AnneLaure Delatte dhe Antoine Vauchez, bëjnë thirrje për rritjen e taksave për më të pasurit për të financuar përgjigjen ndaj krizës shëndetësore. Në një letër të nënshkruar prej tyre botuar në ‘Le Monde’ ata thonë se tashmë ka ardhur koha “për të shfrytëzuar fituesit e globalizmit të djeshëm dhe për tu dhënë një shans gjeneratave të ardhshme”.

Përcarjet mes qeverive evropiane rrezikojnë të lënë si zgjidhje vetëm mundësinë e rritjes së borxhit publik dhe huazimit të parave nga Banka Qendrore Evropiane (ECB) për të financuar masat kundër krizës shëndetësore. Por këto zgjidhje shpejt mund të rezultojnë të pamjaftueshme dhe politikisht të paqëndrueshme.

Një alternative është që të financohet një pjesë e masave kundër krizës me taksat. Kjo zgjidhje ka disa përparësi: do të ndihmonte në rivendosjen e drejtësisë sociale dhe fiskale që mungon aq shumë; do të mundësonte financimin e krizës brenda kornizës së një diskutimi demokratik, në veçanti parlamentar (gjë që nuk e lejon mundësia monetare); dhe nuk kufizohet vetëm përgjatë kohës së krizës.

Bllokimet prishën shumë ekuilibra dhe zbuluan dobinë sociale të gjithkujt: jeta jonë varet shumë më tepër nga një infermiere ose një arkëtar sesa nga një përkthyes.

Më shumë se kurrë, sot është koha për të rindërtuar një kontratë më të drejtë sociale dhe tatimore. Institucioni zyrtar i statistikave vlerëson se në mars konsumi ra me 35% dhe se çdo muaj bllokim shkakton një rënie prej 3% të PBB.

Një paralizë e aktivitetit ekonomik për 2-3 muaj do të shkaktojë një rënie të PBB nga 6-10%, tre deri në pesë herë më shumë se recesioni i vitit 2009. Shtyrja e pagesave dhe garancitë e shtetit për kredi do ta lejojnë biznesin të rezistojë pak kohë, por kjo nuk mjafton.

Bomba kohore

Për të parandaluar rrezikun që kjo krizë të kthehet në një recesion të madh që zgjat disa vite, shteti duhet të kompensojë plotësisht humbjen e të ardhurave të bizneseve dhe familjeve që tani.

Plani i mbështetjes në Francë (2% e PBB-së) është ende larg nga shumat e diskutuara në Gjermani (4.5% të PBB-së) dhe në SHBA (10% të PBB-së). Është e vërtetë që gjermanët kanë teprica buxheti dhe amerikanët kanë privilegjin e borxhit të pakufizuar.

Ky nuk është rasti për Francën dhe për shumë vende të tjera evropiane. Borxhi publik pa përdorimin e eurobonove është një bombë kohore. Borxhi ynë publik tashmë është sa 100% e PBB-së dhe mund të shkojë midis 120-140% të PBB-së, sipas shifrave të bankës zvicerane UBS. Kjo do të na ekspozojë në një krizë besimi më të keqe se ajo e 2011.

Një eurobono (koronabond) do të krijonte besueshmërinë e përbashkët në BE dhe do të zvogëlonte koston e shërbimit të borxhit. Fatkeqësisht, gjermanët dhe holandezët vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë zgjidhje. Ata kanë si alternativë kalimin në Mekanizmin Evropian të Stabilitetit (ESM), por ai është sinonimi i kushteve shumë jopopullore që u përdorën në vendet e Evropës Jugore (Greqi), shërbimet publike të të cilëve janë dëmtuar më shumë nga vitet e shtrëngimit.

Në këto kushte, BQE duket se është zgjidhja e mbetur deri në fund të krizës. BQE ose do të transferojë drejtpërdrejt para në llogarinë e të gjitha familjeve dhe bizneseve evropiane (paraja helikopter); ose Franca dhe vendet e tjera anëtare do të marrin një kredi të përhershme nga BQE në shumën e nevojshme për të përballur krizën.

Ky opsion do të kishte avantazhin e mos kalimit të krizës në kurriz të brezave të ardhshëm. Por përfitimi i parave për borxhin publik nga BQE nuk është i pajtueshëm me parimet gjermane dhe holandeze të stabilitetit monetar, dhe as nuk mund të parashikohet pa ndryshuar traktatet në fuqi.

Dhe çfarë është më e rëndësishmja, është se veprimi politik i financuar nga printimi sistematik i parave, anashkalon debatin e nevojshëm demokratik për rishpërndarjen e barrës së krizës. Zgjidhja monetare është sigurisht pjesë e paketës së krizës, por nuk mund të jetë gur themeli.

Bota e të nesërmes

Pra, bëhet fjalë për gjetjen e burimeve aty ku ka. Siç e dimë, kapitalizmi financiar ka çuar për katër dekada në një përqendrim të lartë të pasurisë në majën e piramidës sociale dhe ka krijuar një numër të vogël individësh jashtëzakonisht të kamur me pasuri dhe të ardhura.

Ai gjithashtu ka nxitur krijimin e ndërmarrjeve shumëkombëshe. Këto kompani dhe aksionerët e tyre përfituan nga konkurrenca e taksave për t’i anashkaluar ata, duke kontribuar në përkeqësimin e shërbimeve publike, veçanërisht ato që nevojiteshin aq shumë në këtë krizë shëndetësore.

Disa mundësi mund të diskutohen sot në Parlament për të rivendosur drejtësinë sociale dhe tatimore. Ne kemi simuluar normat e reja të taksave për të ardhurat që mund të jenë në rendin e 4% të PBB-së.

Këtë ide, Evropa mund ta bëjë të vetën nëse disa shtete mbështesin, ashtu si Franca, nevojën për të financuar në një mënyrë të përbashkët përpjekjen kolektive, me një program të gjerë investimesh publike siç ka propozuar kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.

A do të rrezikojnë masa të tilla të ngrenë kërkesën? Jo, sepse të ardhurat dhe pasuria e lartë mbi të cilat do të peshonin këto taksa do të tërhiqeshin kryesisht nga kursimet e tyre për të paguar taksat dhe prandaj do të zvogëlonin vetëm konsumin në marzh. Ndërsa pjesa tjetër e popullsisë do të kishte të njëtat mjete për të shpenzuar për konsum.

A munden ata të frenojnë investimet? Këto taksa të reja do të peshonin tek shumëkombëshet, disa prej të cilave ende planifikojnë të shpërndajnë dividentë në vitin 2020.

Ata nuk do të peshojnë tek bizneset e vogla dhe të mesme, madje ata do t’i ndihmojnë ata të rriten. Si përfundim, përmes drejtësisë më të madhe tatimore ne do të çlirojmë burimet e nevojshme për t’u përballur me këtë krizë dhe për të ndërtuar botën e së nesërmes.

Shumë më tepër ngase e kishim menduar, jeta jonë varet nga personeli mjekësor dhe shërbimet publike në kuptimin më të gjerë (ushqim, energji, pastërti, transport). Këto profesione, të pasigurta në dekadat e fundit, gjithashtu po paguajnë një çmim më të rëndë përballë koronavirusit. Tani është koha për të shfrytëzuar fituesit e djeshëm të globalizmit për t’i dhënë një shans gjeneratave të ardhshme. /Le Monde

Nënshkruar nga:

Lucas Chancel, ekonomist, bashkëdrejtor i Laboratorit për Pabarazitë Globale;

Anne-Laure Delatte, ekonomiste, profesore në Paris-Dauphine University;

Stéphanie Hennette, profesore e drejtësisë, Universiteti Paris-Nanterre;

Manon Hennin, ekonomist në një administratë qendrore;

Thomas Piketty, profesor në Shkollën e Ekonomisë Paris;

Guillaume Sacriste, pedagog në shkencat politike, Universiteti Paris-I;

Antoine Vauchez, drejtor kërkimesh në CNRS, Universiteti Paris-I

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti i Virologjisë në Vuhan, për të cilin ëshët dashur…