
Është koha për të ndalur ndotjen plastike – së bashku
Nga Jonas Westerlund, Ambasador i Suedisë në Prishtinë dhe Nuno Queirós, Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së
Nga brigjet e lumit Ibër deri në rrugët e zhurmshme të Prishtinës, një fakt bëhet gjithnjë e më i pamohueshëm: mbeturinat plastike janë kudo. Ato bllokojnë lumenjtë dhe kanalet, rrezikojnë kafshët e egra, ndotin parqet dhe tokat bujqësore, dhe në heshtje kërcënojnë shëndetin publik, ekosistemet dhe klimën tonë të përbashkët. Çdo vit, më 5 qershor, bota shënon itën Botërore të Mjedisit — një moment për të reflektuar mbi marrëdhënien tonë me natyrën dhe për të ripërtërirë përkushtimin tonë për ta mbrojtur atë. Tema e këtij viti, “Munde dotjen nga Plastika”, nuk ka qenë kurrë më urgjente – apo më e rëndësishme për tërë botën. Kriza globale si pasojë e plastikës është tronditëse. Çdo vit prodhohen mbi 430 milionë ton plastikë, dhe dy të tretat e saj shndërrohen shpejt në mbeturina. Asnjë vend, komunitet apo individ nuk është imun. Por ndërsa sfida është globale, zgjidhjet më efektive fillojnë në nivel okal. Si përfaqësues të Suedisë dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), ne qëndrojmë së bashku për të mbështetur përpjekjet lokale drejt një të ardhmeje më të pastër, më të gjelbër dhe më të qëndrueshme.
Të rinjtë si kampionë të ndryshimit
Suedia e ka vendosur prej kohësh klimën dhe qëndrueshmërinë mjedisore në qendër të përpjekjeve të saj për zhvillim ndërkombëtar. Konferenca e parë botërore për mjedisin e Kombeve të Bashkuara u mbajt në Stokholm në vitin 1972, duke vendosur bazat për një partneritet afatgjatë midis Suedisë dhe Kombeve të Bashkuara në këtë fushë. Këtu, ne besojmë se ndryshimi kuptimplotë nis herët – sidomos në bankat e shkollës dhe në familje.
Për këtë arsye, Suedia ka mbështetur zhvillimin e nismave edukative si Heronjtë e Klimës, një seri vizatimore tërheqëse që trajton temat mjedisore përmes syve të fëmijëve. E krijuar në partneritet me edukatorë dhe artistë vendorë, kjo seri fuqizon të rinjtë që të kuptojnë dhe të veprojnë mbi çështje të tilla si zvogëlimi i plastikës, riciklimi dhe energjia e ripërtëritshme.
Ndër këta heronj është edhe një krijesë lokale: Superheroina Mbrojtësja e Ajrit, e imagjinuar nga Ana Krasniqi, 14-vjeçare nga Prishtina. Personazhi i saj na kujton nevojën urgjente për të mbrojtur lumenjtë, liqejtë dhe ajrin nga ndotja. Mesazhi i Anës është i qartë: brezi i ardhshëm është gati të udhëheqë — nëse i pajisim me mjetet dhe mbështetjen e duhur. Suedia ka ëshmuar përkushtim të fuqishëm ndaj qëndrueshmërisë mjedisore përmes mbështetjes së institucioneve qendrore dhe lokale dhe investimeve të rëndësishme në zhvillimin e Strategjisë mjedisore, Planit të Veprimit Mjedisor dhe Planeve Lokale të Veprimit për Mjedisin. Kjo mbështetje është shtrirë gjithashtu në zhvillimin e Planeve Komunale Urbane dhe Hapësinore, me theks të veçantë në integrimin e konsideratave mjedisore në planifikimin hapësinor. Këto iniciativa ndihmojnë komunat të përballen me ndryshimet klimatike, të ruajnë diodiversitetin dhe të zvogëlojnë ndotjen përmes strategjive lokale, duke përfshirë përpjekjet për të frenuar mbetjet plastike. Duke përputhur planifikimin hapësinor me objektivat mjedisore, komunat mund të sigurojnë që vendimet për përdorimin e tokës, si ndërtimi i banesave, infrastrukturës dhe mbrojtja e hapësirave të gjelbra, të kontribuojnë në një qëndrueshmëri ekologjike afatgjatë. Këto plane dhe struktura të fuqishme ofrojnë një rrugë të qartë drejt qëndrueshmërisë. Nga vetëdija në veprim Rritja e vetëdijes është vetëm hapi i parë. Ndryshimi i vërtetë kërkon veprim praktik — dhe këtu UNDP luan një rol kyç, duke bashkëpunuar me institucionet qendrore e lokale, partnerë ndërkombëtarë, shoqërinë civile, akademinë dhe sektorin privat për të luftuar ndotjen plastike në shumë fusha. Çdo ditë punojmë me shpresën për të bërë një ndryshim: përmes mbështetjes së iniciativave të ekonomisë qarkore që zvogëlojnë plastikën njëpërdorimëshe, përmes investimeve në punë të gjelbra dhe nxitjes së inovacionit lokal për ripërdorimin e mbeturinave, përmes forcimit të sistemeve të mbetjeve në komuna dhe promovimin e prodhimit të qëndrueshëm, duke ju ndihmuar komunave për të pilotuar programe riciklimi dhe mbledhjeje më të mençur të plastikës, duke fuqizuar ndërmarrësit e gjelbër – shumë prej tyre të rinj e të reja – me financim, trajnime dhe mentorim, përmes avokimit për reforma të politikave në përputhje me direktivat mjedisore të BE-së, dhe në fund përmes nxitjes së ndryshimit të sjelljes për të mbajtur plastikën larg natyrës. Këto përpjekje nuk kanë të bëjnë vetëm me pastrimin e problemeve të sotme — ato synojnë hedhjen e themeleve për një ekonomi të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, që mund të lulëzojë në dekadat në vijim.
Një e ardhme e gjelbër për të gjithë
Varësia nga thëngjilli për energji në rajon ka sjellë pasoja të rënda për shëndetin publik dhe mjedisin. Për ata që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian, një kthesë e guximshme drejt energjisë së pastër dhe zhvillimit të qëndrueshëm është rruga e vetme përpara. Suedia dhe UNDP janë të gatshme të mbështesin këtë transformim. Një rimëkëmbje e gjelbër e ndërtuar mbi inovacionin lokal, fuqizimin e të rinjve dhe politika të harmonizuara me BE-në, është thelbësore për përmbushjen e angazhimeve për zhvillim të qëndrueshëm, krijimin e vendeve të punës që do të kenë qëndrueshmëri në të ardhmen dhe ndërtimin e një ekonomie që i shërben si njerëzve ashtu edhe planetit.
Një lëvizje lokale me ndikim global
Në Ditën Botërore të Mjedisit, mesazhi ynë është i thjeshtë: lufta kundër ndotjes plastike fillon në shtëpi — por kontribuon në një zgjidhje globale. Komunat, bizneset, shkollat, familjet, individët — secili ka një rol jetik për të luajtur. Le të jetë ky vit një pikë kthese. Jo vetëm në rritjen e vetëdijes, por në nxitjen e një lëvizjeje të vërtetë mjedisore — një lëvizje që është në pronësi lokale, e udhëhequr në mënyrë lokale dhe e lidhur në nivel global. Së bashku, ne parashikojmë një të ardhme ku lumenjtë janë të pastër, hapësirat e gjelbra janë të mbrojtura, dhe zhvillimi ekonomik është i rrënjosur në qëndrueshmëri. Një të ardhme ku fëmijët e sotëm, si Ana dhe Heroina e saj Mbrojtësja e Ajrit, bëhen kampionë mjedisorë të së nesërmes. Le ta ndërtojmë atë të ardhme. Duke filluar tani.