Estetizmi i triviales

16 shkurt 2018 | 16:27

Dije Demiri-Frangu

Faruk Buzhala, pas bumit të tij me librat poetik “Qeshje jokeriane” dhe “Shtëpia pa rrugë”, deshi të bëhet më serioz dhe iu qas prozës. Buzhala botoi librin në prozë me titullin provokues “Njeriu me katër hije”, libër që ndahet në pjesën me ese si dhe në pjesën fiksionale, me tregime të shkurtra, një zhanër jo shumë i kultivuar te ne.

Në pjesën e eseve, ku njeriu mund të presë një frymë tjetër të këtij autori, Faruku provon ta ruajë natyrën e tij krijuese dhe ndërton esenë e ashtuquajtur jo të mirëfilltë, duke futur ironi dhe humor në shkrimet e tij në funksion të egos së tij poetike. Këto ese janë mendime të lira, autoriale për autorë të mëdhenj, ku autori sikur gërsheton përvojën e tij krijuese me emrat dhe përvojat letrare të Kadaresë, të Bukovskit, të Kasem Trebeshinës, të Cohelos, Moravisë, Heses, Tagorës, Nabukovit, Cvajgut e ndonjë autor tjetër. Përmes gjuhës së tij ironike dhe retorikës letrare ai refuzon me mendime idetë dhe stilet e tyre, si Trebeshinën për filmin, Kadarenë për modelin krijues etj. Përmes një dialogu imagjinar autori bën një dialog-replikë letrare rreth -izmave të ndryshëm. Këtu autori lufton puritanizmin, që kërkon lexuesi në figurat e mëdha, ndaj ai merret me të “këqijat” e tyre. Në realitet, Buzhala bën një interkomunikim me lexuesin të cilit i drejtohet me P.S e me P.P.S, që t’ia thotë mospajtimet rreth ideve të tij për autorë të ndryshëm.

Buzhala herë-herë u drejtohet në formë epistulare lexuesve, duke ndërtuar kështu një raport të barabartë me ta, në vlerësimin dhe interpretimin e veprave. Ky raport bashkëbisedues e bën të veçantë Faruk Buzhalën, i cili jua falë besimin e komunikimit letrar, në anën tjetër ai në këtë formë zvogëlon madhështinë e krijuesve që interpreton dhe në një kuptim i çmitizon, i ofron shumë me lexuesin.

Këto ese joformale dëshmojnë informacionin letrar të autorit, njëkohësisht lirinë krijuese të tij. Esetë e tij janë ese krijuese, që dëshmojnë dellin fiksional të tij krahas se janë ese joformale. Këtë e dëshmojnë episodet kur ai tregon se vepra “Mjeshtri dhe Margarita” i mori tre muaj lexim, kur ai nxjerr si motiv për të shkruar motin me shi, apo kur improvizon atmosferën dhe dekorin japonez në dhomë gjatë leximit-analizës së romansierit japonez ose edhe komunikimi i drejtpërdrejtë me lexuesin e mundshëm se të gjithë e dimë se zot i kësaj bote është djalli, e raste të tjera.

Potenciali novator i këtij krijuesi ka të bëjë me temat, me poetizimin e temave dytësore, me leksikun e lirë e ekskluzivisht me lirinë e tij krijuese, e cila del si imazh kryesor i botës së tij kreative.

Frymëzimi i këtij autori nuk hyn nëpër sita, as ideologjike, as morale e as të shkollave letrare. Është një shkrim i tij, që bën një identitet jo të shpeshtë të krijuesit, bën një krijues që ndihet krijues gjatë gjithë procesit të shkrimit, ndaj është i patendosur gjatë tërë procesit. Këtu sheshohet edhe qasja e tij moderne ndaj realitetit artistik. Autori edhe kur gjuan episode jete – si pushimet në Durrës po e zëmë, krijon ironinë, se ai primare e ka moton, por e keqja është se i ndërron motot ashtu si i ndërron profesionet imagjinare – herë si një shitës, herë kamerier, taksist, i papunë, poet, gënjeshtar, lypës, hajn… që janë rrëfime të thjeshta, derisa thjeshtësinë e tyre dhe rrëfimin në vetën e parë, e përmbys ironia e cila reflekton një problem, ngjarje e imazh më shumë se personal, ngaqë bota e personazheve është e gjerë – gjithë ato kategori njerëzish që mund të jenë gjatë një sezoni në një vend turistik.

Autori shpesh i “vizaton” në formë kroki personazhet e vet, sa për ta gjuajtur mesazhin sepse, si thotë ai, tani është duke shkruar diçka tjetër dhe radhën tjetër do të merret po me këtë temë. Kjo formë komunikimi, tipar krijues i Faruk Buzhalës, tipar që diskursin e tij e bën bashkëbisedim me receptorin, rrëfim të gjallë, të drejtpërdrejtë, ndaj intervenon e i drejtohet lexuesit-dëgjuesit se do t’jua tregoj herën tjetër rrëfimin e tij intrigues. Një stil që t’i kujton përrallat arabe.

Alternimi i egos krijuese përmes personazheve që janë të përditshmërisë dhe të familjes, tregon aftësinë krijuese në poetizimin e situatave të përditshmërisë. Kështu autori me ironinë e tij personazhet i bën “viktima” të imagjinatës e të lojës ironike e humorit të emancipuar. Sado që kjo duket fitore e autorit, kjo është pikërisht dhembja që ndien ai për banalitetin e jetës, kotësinë dhe budallallëkun e pafund të saj. Aksidentet e jetës sa janë qesharake aq edhe tragjike dhe këto bien mbi ndërgjegjen e njeriut. Këto janë planifikimet e autorit Buzhala, të bëjë analiza situatash dhe sjelljesh njerëzish për ta nxjerrë njeriun me shumë hije e individët qëllimshëm mund të merren nga autori si rekuizita të tij. Autori nuk lodhet dhe nuk e lodhë lexuesin me përsiatje. Ai ka idetë e tij që i plason si botë subjektive, me kuptime të ndryshme në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë. Ai nuk shqetësohet për asgjë që u ndodhë personazheve. Përkundrazi, ai relaksohet edhe me gabimet e tyre dhe është tolerant ndaj gabimeve dhe mosdijes së tyre. Kjo gjë e bën prozën e tij triviale në kuptimin përmbajtjesor, më reale në kuptimin e qasjes dhe më moderne në kuptimin e hapjes së autorit ndaj botës së tij krijuese.

Tregimet e tij i bën të veçanta, qasja e tij ndaj temave, pasi që nuk merret me tema të mëdha. Ai temat i merr nga më trivialet, nga margjina apo, thënë ndryshe, periferia e jetës, por që janë të mëdha në psikën provincionale të qytetarit – lexuesit.

Amerikani dhe unë – një prozë që reflekton raportin e vendësve-shqiptarëve, me amerikanët që gjithmonë paraqisnin një ëndërr për njeriun e rëndomtë dhe ky tregim është shembulli më ilustrues i cilësisë vrojtuese të realitetit që bën autori. Këtë e dëshmojnë mirë edhe tregimet Aknet, Gjurmët, Fëmijët e mëhallës, Dhurata e ditëlindjes, Dhëmbi, Koncerti, Pantallonat, Narkomani, Shitësi i vogël i cigareve etj.

“Si u njoha me vetveten” është pjesa e fundit e librit, ku autori ndërron diskursin, bën një rrëfim jetësor në formë ditari e kronike. Udhëtimi i tij në Shqipëri, prezantimi i vetvetes e shumë detaje të tjera, dëshmojnë se Faruku punën e shkrimit e ka marrë shumë seriozisht dhe, para së gjithash, në mënyrë shumë origjinale, duke ndërtuar një estetikë të re dhe befasuese për lexuesin tonë.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
(Bashkim Shehu, “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”, “Toena”, Tiranë,…