
Ethem Çeku: Adem Demaçi – Shtylla kryesore e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare
Shtatë vjet më parë u nda nga jeta figura emblematike e çështjes kombëtare shqiptare dhe shkrimtari i njohur, Adem Demaçi. Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, janë organizuar një sërë aktivitetesh përkujtimore në nderim të veprës dhe kontributit të tij të jashtëzakonshëm për lirinë e popullit shqiptar.
Në këtë rast, shumë bashkëmendimtarë, përkrahës dhe veprimtarë të çështjes kombëtare e kanë kujtuar Demaçin me respekt të thellë. Ndër ta edhe ish-i burgosuri politik, Ethem Çeku, i cili e ka cilësuar Demaçin si “shtyllën kryesore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare nën ish-Jugosllavi”.
Në një shkrim përkujtimor, Çeku thekson:
“Adem Demaçi përfaqëson shtyllën kryesore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare nën ish-Jugosllavi. Ai u bë zëri më i fuqishëm politik dhe moral i shqiptarëve të shtypur, duke artikuluar me guxim të rrallë idenë se e ardhmja e tyre nuk mund të ndërtohej brenda strukturave jugosllave. Me mendim të pavarur dhe veprimtari të pandërprerë, Demaçi ndërtoi një filozofi politike të bazuar mbi lirinë, vetëvendosjen dhe të drejtën për rezistencë – përfshirë edhe luftën e armatosur si mjet legjitim në kushtet e kolonizimit të brendshëm.
Figura e tij qëndron në themel të përpjekjeve për çlirim kombëtar dhe mbetet një nga personalitetet më të qëndrueshme dhe më përfaqësuese të çështjes shqiptare në Kosovë dhe më gjerë.”