
Eto’o: Afrika na humbi ‘Topin e Artë’
Lionel Messi arriti të fitojë “Topin e Artë” për herë të gjashtë në karrierën e tij, një finish i pabesueshëm që u rrit në vlerë edhe prej formës së rivalëve.
I dyti Van Dijk dhe i treti Ronaldo ndërsa mbeti jashtë podiumit Sadio Mane. Pikërisht për sulmuesin senegalez, u pretendua më shumë në renditje, për shkak të rolit të tij në fushatën e Liverpoolit në Ligën e Kampionëve.
Samuel Eto’o legjenda e futbollit afrikan lëshoi akuza të ashpra ndaj kapitenëve dhe gazetarëve në kontinent, për votimin e tyre aspak korrekt dhe jo të bashkuar.
“Nëse Mane do të kishte fituar ‘Topin e Artë’ askush nuk do ankohej sepse e meritonte. Messi e fitoi trofeun sepse e gjithë Amerika e Jugut votoi pro tij, mendoj se dhe evropianët ishin për Van Dijk. Afrikanët nuk votuan për Manen dhe ky është problem shumë i madh. Afrikanët kanë probleme me njëri tjetrin dhe i dhamë vetës një zhgënjim të madh. Duhet të bashkohemi për të ndërprerë dominimin e të tjerëve”, ka thënë Eto’o.
Këtë qëndrim ish sulmuesi i Barcelonës, Interit dhe Celsit e kishte mbajtur dhe një ditë pas ceremonisë, por me tone më të moderuara.