‘Euronews’ për vizitën e Costas në Kosovë: Pas tre muajsh s’është zgjedhur kryeparlamentari, qeveria s’duket askund

15 maj 2025 | 11:58

Gjatë vizitës së tij në Kosovë të mërkurën, presidenti i Këshillit Evropian, ka ripërsëritur rëndësinë kruciale të dialogut Kosovë-Serbi për integrimin në BE.

Antonio Costa ka vazhduar turneun e tij në Ballkanin Perëndimor të mërkurën me një vizitë në Kosovë, një tjetër kandidate për anëtarësim në BE, ka shkruar sot “Euronews” për vizitën e djeshme të Costas në Prishtinë.

Ky medium ka dhënë edhe një pasqyrë të situatës politike në vend.

Costa ka mbërritur në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, gjatë një krize institucionale dhe parlamentare. Edhe pas tre muajsh zgjedhjesh, kryetari i ri i parlamentit nuk është zgjedhur dhe qeveria e re nuk duket askund, raporton “Euronews”.

Costa është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, i cili është me mandat teknik, ndërsa shërben edhe si deputet në parlamentin e ri.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Osmanin, Costa ka thënë se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për integrimin e mëtejshëm të të dyja vendeve në BE.

“Zgjerimi në Ballkanin Perëndimor është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik për Bashkimin Europian. Është edhe angazhimi im personal”.

“Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm sa i rëndësishëm mund të jetë zgjerimi për Bashkimin Europian dhe, besoj, edhe për ju”.

“Vendi i Kosovës është në familjen e Bashkimit Evropian. Por kjo kërkon gjithashtu që ju të përmbushni angazhimet tuaja”, ka thënë ai.

Kosova është e fundit në radhë midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që i bashkohet bllokut prej 27 anëtarësh, pasi mbetet e vetmja me statusin e një kandidati potencial pas paraqitjes së kandidaturës për anëtarësim në BE në vitin 2022.

Një ish-provincë serbe, Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, të cilën Beogradi nuk e njeh. Një dialog i vazhdueshëm midis të dyjave, i ndërmjetësuar nga Brukseli që nga viti 2013, ka ngecur vitet e fundit, raporton më tej ky medium.

Ndërsa pothuajse të gjitha vendet perëndimore e njohin pavarësinë e saj, pesë vende të BE-së ende nuk e njohin: Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Andi Avdyli shpall të pavlefshme dëftesën e klasës së 10-të…