
Facebook do t’i penalizojë krijuesit që vjedhin dhe ripublikojnë përmbajtje
Facebook po ndërmerr masa kundër llogarive që vjedhin dhe ripublikojnë pa leje video, fotografi ose tekste të personave të tjerë, për të reduktuar përmbajtjen spam në News Feed.
Meta njoftoi të hënën se krijuesit që e bëjnë këtë në mënyrë të përsëritur do të humbasin përkohësisht qasjen në programet e monetizimit të Facebookut dhe do të përballen me zvogëlim të shpërndarjes së postimeve të tyre.
Meta thekson se përmbajtjet e kopjuara ulin cilësinë e përvojës për përdoruesit dhe pengojnë “zërat e rinj” të dalin në pah. Kur sistemi detekton një video të dubluar, shpërndarja e saj zvogëlohet për të mbrojtur krijuesin origjinal. Gjithashtu, testohen veçori që të drejtojnë përdoruesit drejt përmbajtjes origjinale, si p.sh. lidhje në video të kopjuara.
Këto ndryshime do të hyjnë në funksion gradualisht gjatë muajve të ardhshëm dhe aktualisht nuk ka sinjale për një politikë të ngjashme në Instagram ose Threads, shkruan theverge.
Raste të spamit dhe krijimit të llogarive false janë identifikuar edhe më parë: në gjysmën e parë të vitit 2025, Meta ka marrë masa ndaj më shumë se 500 mijë llogarive spam dhe ka hequr rreth 10 milionë profile që imitonin krijues të mëdhenj.
Vetëm krijuesit që shtojnë përmbajtje të vërtetë përmbajtjes ekzistuese – si reagime, komente, redaktime të rëndësishme, ‘voice-over’ apo pjesëmarrje në trende popullore – nuk do të dëmtohen.
Meta këshillon që të mos ripublikohen përmbajtje me ‘watermark’ (shenjëzim) dhe materiale të ripërdorura nga aplikacione të tjera si dhe të shtohet këndvështrim unik, reagim apo redaktim kur përdoren materialet e të tjerëve.
Meta po forcon taktikën për të mbështetur krijuesit origjinalë dhe për të minimizuar përmbajtjet vjedhur pa vlerë shtesë.