FAKTORËT MALINJ QË E USHQEJNË GJYKATËN SPECIALE

02 qershor 2025 | 15:47

Shkruan: Milazim Krasniqi

Nga faktet që janë zbuluar tashmë, mund të ngrihen disa hipoteza mbi komplotin mbi të cilin punon dhe është ngritur Gjykata Speciale. E para, Gjykata Speciale duket se ka gjetur terren të përshtatshëm tek pasioni i disa njerëzve e familjeve shqiptare për hakmarrje. Serbia e ka njohur mirë këtë dobësi shqiptare të gjakmarrjes dhe e ka shfrytëzuar në maksimum, duke rekrutuar individë e familje me pasion hakmarrës ndaj figurave qendrore të UÇK-së. E dyta, si duket janë përfshirë në dëshmi të rrejshme shumë persona që kanë qenë ose profiterë ose të shantazhuar. Faktori i tretë rezulton të jetë korruptimi i hetuesve e prokurorëve të huaj. Faktor pasues me gjasë ka qenë edhe naiviteti i jo pak ish luftëtarëve të UÇK-së, që kanë shkruar libra e ditar me gënjeshtra, që kanë folë mbarë e mbrapsht, duke i zmadhuar e deformuar ngjarjet. Dhe brenda kësaj është edhe naiviteti në rastin e publikimit të dosjeve të Gjykatës Speciale, të servuara nga qarqe poashtu antishqiptare. Gjithsesi edhe përçarja e faktorëve politikë është faktorë me ndikim në tërë këtë skenar ogurzi të armiqve të Kosovës.

Natyrisht në themel Gjykatës mbetet shantazhi që është bërë ndaj politikanëve e deputetëve për formimin e Gjykatës Speciale nga qeveria e Partisë Demokratike të SHBA-së dhe nga shtete evropiane e struktura të BE-së, të cilat as që e njohin Kosovën si shtet. (Gjykata u ka shërbyer si arsye që ta heqin nga rendi i ditës çështjen e njohjes së Kosovës si shtet.) Dhe në fund është me peshë në këtë tregim të hidhur edhe manipulimi me sukses abnormal i opinionit publik nga propaganda intensive kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e krerëve të saj, gjë që e ka lehtësuar punën e të gjithë armiqve të Kosovës, të cilët me Gjykatën Speciale synojnë të komprometojnë e mbase edhe ta zhbëjnë shtetin e Kosovës. Të bërë bashkë të gjithë këta faktorë malinj, e rrezikojnë seriozisht jo vetëm legjitimitetin po edhe ekzistencën e Republikës së Kosovës. E sigurt është se nëse dënohen Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi për krime lufte, hapen dilema dramatike për shtetin e Kosovës: mund të ketë tërheqje të njohjeve, bllokim të njohjeve, përjashtim nga organizatat ndërkombëtare ku Kosova aderon, rebelim të serbëve lokalë, inkursion ushtarak nga Serbia, reagime iracionale të ndonjë pjesë të shqiptarëve dhe rrjedhimisht delegjitimim-izolim, secesion-copëtim e demolim faktik të shtetit. Mbani mend! (2 qershor 2025)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën se shteti…