
Faleminderit mërgatë, faleminderit UÇK — Kush nuk e tha dje, le ta thotë sot
Shkruan: Sami Fejza
Mërgata shqiptare nuk ka qenë thjesht spektatore e luftës për liri — ka qenë zemra që rrahu për Kosovën, edhe kur ishte larg. Nga kafshata e bukës ka ndarë paranë, nga jeta e qetë ka dalë në luftë, dhe nga gjaku i saj ka lindur liria jonë. Sa dëshmorë kemi nga mërgata? Sa trupa që erdhën veç për të luftuar, për të dhënë gjithçka pa kërkuar asgjë?
E sot, në vend të mirënjohjes, dëgjojmë injorim. Dëgjojmë akuza. Dëgjojmë zëra si ai i Dimal Bashës, që në vend të nderimit, zgjedh të përfshihet në punime që cenojnë vlerat e UÇK-së dhe sakrificën e mërgatës. Ai mund të thotë se nuk ka pasur qëllim të fyejë, por fjalët kanë peshë — dhe kur ato fjalë lëndojnë ata që dhanë gjithçka, nuk ka justifikim që i mjafton.
Mos pyet për udhëheqës që heshtin. Mos pyet për ata që sot flasin pa e ditur fare se çfarë ka bërë mërgata për Kosovën. Le ta dinë: liria nuk u soll nga fjalët, por nga gjaku. Dhe mërgata ka derdhur gjak për këtë tokë.
Hajr Zoti e baftë mërgatën dhe çdo dëshmor që ra për Kosovën. Kush nuk tha faleminderit, le ta thotë sot. Se nesër mund të jetë vonë.