Fati i arbëreshëve në poezinë “Vrull” të Zef Serembes

13 janar 2021 | 10:11

Albert Mustafa

Teoritë, nga filozofia klasike gjermane e këndej, shkruajnë se ekzistojnë tri gjini letrare: lirika, epika dhe dramatika. Platoni dhe Aristoteli nuk u pajtuan me këto konstatime, se ekzistojnë tri gjini letrare por, sipas Platonit dhe Aristotelit, ekzistojnë tri mënyra të imitimit (mimesisit). Sipas Platonit, lirika është formë jopërfaqësuese, jo e rëndësishme, jo e lartë, sepse nuk ka veprim, ngjarje e mit, por ka shprehje të ndjenjës, emocionit. Pra, poezia Vrull nuk ka veprim e mit, por ka shprehje të ndjenjës nga autori për atdheun, tjetërsimin e shqiptarëve, largimin e shqiptarëve me dhunë nga trojet e tyre, vargjet e poezisë i përcjell një emocion i fuqishëm mallëngjimi e zie për fatin e arbëreshëve.

Ana formale e poezisë është: poezia përbëhet nga katër strofa, strofat janë katërshe, rima e tyre është ABAB.

Poezia është lirike sepse autori identifikohet me poezinë, me subjektin e poezisë. Në poezi paraqitet uni i poetit. Në strofën e parë paraqiten dy botë të ndryshme, bota e jashtme e cila është ambienti i jashtëm Zogj të bukur këndojnë me hare, botë me emocion pozitiv, kurse vargu i dytë i strofës së parë Po zëmra do më plas mua në gji. Kemi antitezë ndaj vargut të parë, paraqitet gjendja shpirtërore e poetit, një gjendje e rëndë. I helmuar shkoj jetën te ky dhe / Mërzitem në katund, në vetëmi. Këto vargje paraqesin vetminë, mënyrën e jetesës në dhe të huaj.

Njëlloj sikurse jeta e tij edhe poezia Vrull është këngë e dhimbjes dhe e pësimit. Vendlindja (Arbëria) ia kujton se Serembe është i huaj në këtë dhe. Arbria matanë detit, na kujton / Se ne të huaj jemi te ky dhe! Edhe Serembe u lind dhe u rrit jashtë vendlindjes, u adaptua sadopak me jetën e dheut të huaj, zemra e tij nuk e harron vendin e të parëve, nga e kishte lozën autori dhe bashkëkombësit e tij. Poeti për këtë gjendje të rëndë emocionale dhe shpirtërore e fajëson turkun që e la pa atdhe. Sa vjet shkuan! E zëmra nuk harron / Që ne turku na la pa Mëmëdhe. Shpresa e vetme e poetit për formësim kombëtar është hakmarrja ndaj atyre të cilët shkaktuan zemërim të madh ndaj autorit dhe popullit shqiptar në përgjithësi.

Poezia lirike është quajtur kështu nga emri i një instrumenti muzikor (lyra-lira) me të cilën grekët e vjetër shoqëronin recitimin e një poezie. Nga se dimë sot për trashëgiminë letrare antike greke dhe latine, shkurtësia mbetet elementi përcaktues i poezisë lirike.

Poezia është lirike sepse autori gjendjen e rëndë shpirtërore e paraqet në vargje, për ta artikuluar dhe përçuar më lehtë te lexuesit mesazhin e tij. Termi lirikë njihet që nga tradita e Aleksandrisë. Edhe lirika sikurse melosi nënvizojnë planin melodik, këngën, për ta lënë në plan të dytë tekstin – poezinë.

Poeti paraqet emocionet e tij, dhembjen e tij, për fatin e shqiptarëve, largimin e tyre nga vendlindja jo për shkak të tyre, por për shkak të pushtuesve të ndryshëm. Asnjë romantik nuk ka shprehur kaq shkurt e kaq fuqishëm vetminë kolektive apo humbjen e atdheut. Serembe si lirik i kulluar nuk predikon asgjë. Ai shpreh dhe rikthehet në vetvete. Kthimi në vetvete e bën poezinë të fuqishme, shprehëse, gjithëpërfshirëse, duke transmetuar edhe botëkuptimin e popullit në përgjithësi.

Serembe nuk bën portretin e botës apo të rrethit ku jeton. Ai krijon vetëm portretin e vetvetes, autoportretin. Kjo shihet edhe në poezinë Vrull ku mbizotëron ndjenja e mallit, melankolia, dhimbja, mërzia dhe vetmia. Vargu i Serembes, i pikëlluar e i trishtuar nga karakteri, por shpesh patriotik dhe idealist për nga frymëzimi, vjershat e tij kanë literaritet dhe kumt të fuqishëm.

Dhembja shpirtërore e poetit është e madhe, aq e madhe saqë poeti nuk gjen çlodhje përpos Aq sa vetëm pushoj kur bje në gjumë. Ky varg i fuqishëm na tregon për ngushëllimin e vetëm të tij, gjumin, i cili, sipas Bonapartës, është gjysma e vdekjes.

Serembe, njohës i mirë i rrethanave të popullit shqiptar, i lindur në Itali, e atdheu ideologjik shpirtëror, Shqipëria, i thërret shqiptarët sikurse edhe romantikët e tjerë për vetëdijesim dhe formësim kombëtar, që fatin e Serembes mos ta përjetojnë edhe bashkatdhetarët e tij të shpërndarë nëpër troje të ndryshme.

Në poezitë e tij lirike autori paraqet një brengë të madhe që ka në zemër. Pikëllimi i tij është ndërrimi i identitetit të shqiptarëve, asimilimi i tyre.

 

Zef Serembe (1844-1901)

 

“Vrull”

 

Zogj të bukur këndojnë me hare,

Po zëmra do më plas mua në gji.

I helmuar shkoj jetën te ky dhe:

Mërzitem në katund, në vetëmi,

 

Tërë shkëlqim m’hapet përpara deti

Që zgjon te trutë e mi mendime shumë,

Zëmra m’u shqerr nga tmerri mua të shkretit

Aq sa vetëm pushoj kur bje në gjumë.

 

Arbria matanë detit, na kujton

Se ne të huaj jemi te ky dhe!

Sa vjet shkuan! E zëmra nuk harron

Që ne turku na la pa Mëmëdhe.

 

Hakmarrja na kep shpresë e na ndriçon,

Por fryn era dhe akulli më zë,

Se ç’ka qënë Arbëreshi po harron:

Dhe s’i vjen turp aspak, po rri e fle.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Loriana Kuka ka kaluar pengesën e parë në Mastersin e…