
Fatmir Limaj shpall kandidaturën e Albulena Balaj-Halimajt për Prizrenin
Kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka shpallur zyrtarisht Albulena Balaj-Halimaj si kandidate të partisë për kryetare të Komunës së Prizrenit. “Albulena Balaj-Halimaj është alternativa e vetme që garanton ndryshim, zhvillim dhe përfaqësim dinjitoz për qytetin e Prizrenit.”, ka thënë Limaj pasi e ka shpallur kandidaturen e znj. Halimajt.
Njoftimi i plotë:
Albulena Balaj-Halimaj është një grua e jashtëzakonshme, e cila është e gatshme t’ia kushtojë gjithë qenien e saj Prizrenit.
NISMA Socialdemokrate është e bindur se, si një nënë e mrekullueshme, një grua e guximshme dhe me përvojën e saj në nivel shtetëror si zëvendëskryeministre, deputete dhe në role të tjera me përgjegjësi të lartë Albulena ka dëshmuar përkushtim, profesionalizëm dhe ndershmëri.
Tani, më shumë se kurrë, Prizreni ka nevojë për një udhëheqëse që e njeh shtetin, që ka përvojë konkrete dhe që punon për qytetarët. Prandaj, NISMA zyrtarizon sot kandidaturën e saj për kryetare, si garanci për zhvillim, angazhim dhe profesionalizëm në Prizren.
Albulena Balaj-Halimaj është alternativa e vetme që garanton ndryshim, zhvillim dhe përfaqësim dinjitoz për qytetin e Prizrenit.