Nano dhe Kosova, kur pushteti nuk trajtohet si domosdoshmëri

01 nëntor 2025 | 21:01

Shkruan: Bedri Islami

Fatos Nano nuk ishte as i pari dhe as i fundit në rendin e kohës. Imazhi më i pa zakontë i tij ishte të strehonte dhe në të njëjtën kohë të fshihte Fatos Nanon, ta tregojë atë por jo ta shfaqë si pamje.

Shumë gjëra njerëzore burojnë nëpërmjet një zvoglimi dhe ndarjeje, dhe jo nëpërmjet një dyfishimi apo një përbërje.

Ai u nda me të shkuarën duke qeshur, në mënyrën më të lehtë të mundshme, dhe, në të njëjtën kohë nuk e ngriti dot të ardhmen si kishte menduar se mund të ngrihej , pasi, nëse në ndarjen e lehtë ai kishte mendësinë e qytetarit, në të dytën rëndoi mendësia e shtetarit.

Nuk e duronte kultin, u përpoq të shembte çdo kult, e mes tyre, shpesh herë rrënoi edhe pjesë të kultit të tij, po aq lehtësisht se kishte rrënuar të të tjerëve.

Në bashkëkohasit e tij kryeministra ishte e mbetet më i dituri, më njerëzori , disa herë më i pranueshëm se të tjerët, por jo pak herë edhe befasisht , sa ishte njeri i lumtur, aq ishte edhe i mallkuar.

Gabimet e bënë atë një kryeministër të madh, pa kaluar në rrugën e gabimeve ai nuk do të ishte kryeministri që nuk e hante meraku për pushtetin si mjet, por për qeverisjen si kënaqësi.

E kam takuar për herë të parë në festimin e 20 vjetorit të lindjes sime, kur ai erdhi me një grup muzikor të ” Petro Ninit” ; për herë të fundit jemi takuar në avionin e linjës Vjenë – Tiranë, ku ai kishte zënë një vend në mesin e avionit dhe njerëzit e shikonin të habitur.

Jemi takuar jo shumë herë. Nganjëherë, si në kohën e luftës në Kosovë, kemi pasur mendime të ndryshme, por jemi mirëkuptuar, Kishte virtytin e të dëgjuarit në heshtje dhe urtësinë e veprimit të shpejtë. Por edhe vetinë e harresës.

Kanë ekzistuar e vazhdojnë ende shumë legjenda urbane rreth rolit të tij në rrjedhat e Kosovës, disa nga të cilat janë veshur me tisin e mjegullës dhe ndjenjës së keqes, por, me siguri, shumë gjëra do të kishin qenë ndryshe, më të vështira, më të lodhshme dhe më të rënda nëse nuk do të kishte qenë roli dhe fryma e tij në trajtimin e marëdhënieve të denja mes qeverisë së shtetit shqiptar dhe përfaqësuesve të UÇK-së.

Në mesin e vitit 1998 me ftesën e presidentit të shtetit shqiptar, zotit Rexhep Mejdani, trupa drejtuese e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe e Drejtorisë Politike të UÇK-së, pas takimit në presidencë, në orët e vona të mbrëmjes ishte ftuar në takimin me kryeministrin Fatos Nano. Duke qenë kryetar i organizatës isha në të njëjtën kohë edhe drejtues i grupit përfaqlsues, ku bënën pjesës edhe Bardhyl Mahmuti, Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Jashar Salihu, Agush Buja dhe Sejdi Gega. Kryem,inisztri kishte thrrur në takim zevëndësin e tij , kastriot Islamin, minisitrin e brendshëm, Perikli Teta, këshlltarin Vladimir Prela, Shefin e SHK-ut, Fatos Klosi dhe , për pak kohë edhe ministrin e mbrojtjes, Luan Hajdaraga, me të cilin kishim pasur një përplasje në orët e paradites.
Kam shkruar për këtë takim të gjatë, më shumë se 6 orë, në librin tim ” UÇK- e fshehta e hapur e Kosovës”, por , sa më shumë lexoj shënimet e atij takimi, aq më tepër bindem se përcaktimi i qeverisë shqiptare në dobi të luftës në Kosovë, mbështetjen pa kushte, por të organizuar, nuk do të mund të kishin ndodhur pa autoritetin e kryeministrit Nano.

Kur po dilnim, më ndali mënjanë, kishim qenë bashkë edhe në forumet e larta drejtuese të PS, dhe më tha lehtë se do të ishte mirë nëse nga strukturat e larta do të largoja një figurë, që i ishte bërë e lodhshme dhe e padurueshme.
” Koha, më tha, i dha atij një mundësi për të treguar madhështi karakteri, por ai nuk e përdori. Këtë nuk duhet të ia falë askush”.

Ai e jetoi kohën e tij. Nuk tha kurrë , ” sikur të kisha jetuar në një kohë tjetër”. Përgatiti një kohë tjetër, nuk ishte faji i tij që të tjerët , ose nuk e kuptuan, ose nuk donin ta kuptonin, ose nuk ishin të aftë ta kuptonin.

Shpesh herë mendojmë se vlera e filozofisë së tij gjendet tek fryma liberale me të cilën ai ngriti ndërtesën e ideve të tij, te kompleksi, por ata që do të vijnë pas nesh, me gjakftohtë dhe të liruar nga mëkati i paragjykimit do e gjejnë atë vlerë tek vizioni me të cilin ai u përpoq të ndërtonte shtetin e rënë pas vitit 1997, por edhe më pas, përmes frymës e jo urrejtjes. Megjithëse shpesh herë dukej se kishte rreth vetes shpirtëra të dalë nga një bllok i vetëm, ai arriti të nxjerrë cifla që u bënë gurët e duhur për të ringritur atë që ia dhanë të rrëzuar, e më tej : të rrënuar.

Ai kishte një shpirt fëmijëror, që shpërthente në gaz nga një batutë e vetme; mjeshtër i fjalës së fundit, ai ngriti nga hiçi një forcë politike që, në disa momente kishte bezdi nga vetë ai, sepse nuk donte të ngrihej; më i shkëlqyer ishte në kohën e burgut të kotë, hakmarrës e primitiv të Berishës, se në kohën pas tij; ishte një mjek i çuditshëm, që, pasi të shëronte , të shkaktonte plagë të tjera, për të qenë përsëri mjeku i duhur.

Kishte pasione të befta, disa të rrjedhura nga rinia e shkujdesur, harrakate, plot pasione dhe dashuri, ashtu si çaste kur mërzitej edhe me veten, me të afërmit, kolegët, kishte bindjen e ngulitur se dashuria e madhe e urren ndryshimin, por ndryshimi ishte i domosdoshëm.

Pushtetin nuk e trajtonte si domosdoshmëri, por kënaqësi estetike. Disa ditë para zgjedhjeve të vitit 2005, në një takim të veçantë me Ali Ahmetin, miqësisht i tha se tashmë duhej të afrohej më tepër me Berishën, pasi ai do të ishte kryeministri i ardhshëm. Ishte lodhur nga pushteti? , nuk e besoj. Ishte lodhur nga poshtërimi vullnetar që i bënin vetes kolegë të tij. Ai çuditej që parta që e kishte reformuar kishte aq dëshirë të merrte pamjen e një martiri.

Hoqi dorë nga pushteti në forcën e tij politike sepse e ndjeu humbjen si një përjashtim të jetës së tij.

Në thellësinë e shpirtit i përkiste rinisë, ndrësa vonesat në marrjen e vendimeve të guximshme të dukej se kishte të bëje me një plak të rrënuar.

Medet, fryma e tij liberale u shemb së bashku me largimin e tij.

Si çdo vdekëtar ai iku nga kjo botë pa e kuptuar. ashtu si kishte ardhur.

Do të kujtohet gjatë , mjerisht më shumë nga kundërshtarët e tij.

Të cilët i mundi duke qeshur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari aktual i Komunës së Vushtrrisë dhe kandidati i PDK-së…