Federata e Shëndetësisë paralajmëron grevë nëse pagat bllokohen nga kriza institucionale
Shpërbërja e Kuvendit dhe caktimi i zgjedhjeve për 28 dhjetor kanë futur vendin në një “situatë të papranueshme pasigurie institucionale”, ka paralajmëruar për “Front Online” Tevide Imeri nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë.
Ajo tha se Kosova sot është pa Kuvend dhe pa buxhet të miratuar, çka krijon rrezik real që nga 1 janari të mos ekzekutohen pagat e punëtorëve të sektorit publik.
“Sot Kosova është pa Kuvend dhe, pa buxhet të miratuar, rreziku që nga 1 janari pagat e sektorit publik përfshirë punëtorët shëndetësorë të mos ekzekutohen është real dhe shumë shqetësues”, tha ajo.
Sipas saj, është e papranueshme që punëtorët të mbahen peng të bllokadave politike.
“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë e konsideron të papranueshme që punëtorët të mbahen peng të bllokadave politike. Shëndetësia nuk mund të funksionojë mbi pasiguri dhe improvizim”, u shpreh Imeri.
Federata paralajmëroi se nëse pagat nuk ekzekutohen nga 1 janari, do të ndërmerren hapa konkretë, duke mos përjashtuar protestat ose grevën.
“Nëse pagat nuk ekzekutohen nga 1 janari ,Federata do të ndërmarrë menjëherë hapa konkretë:
-Kërkesë urgjente për zgjidhje institucionale.
-Mobilizim të strukturave sindikale.
-Reagime publike të ashpra;
-Veprime sindikale përfshirë protestë ose grevë, nëse cenohet e drejta ligjore e punëtorëve”, ka deklaruar ajo.



