Fejtoni i plotë për Aziz Kelmendin, enigma e vrasjeve pa luftë në kohë robërie

08 shkurt 2021 | 12:01

Shkruan: Lulzim Sahiti

Njerëzit e mëdhenj veç ditëlindje kanë. Sot është ditëlindja e dëshmorit të kombit, Aziz Kelmendi. Po të ishte gjallë, sot do t’i bënte 54 vjet.

Andaj, në shenjë kujtimi dhe nderimi të veprimtarisë së tij atdhetare po publikojmë këtë fejton, përmes të cilit do të zbardhen për herë të parë shumë ngjarje interesante për publikun, të ndodhura para 34 vjetëve në qytetin e Paraqinit, gjegjësisht në Republikën e Serbisë.

Për të mos mbajtur me vite nën ombrellën e teorisë së konspiracionit të vërtetën për rastin e Paraqinit jemi munduar ta zbërthejmë atë me protagonistët kryesorë të ngjarjes duke u bazuar gjithnjë në fakte dhe të vërtetën e logjikshme.

Në këtë fejton do t’i lexoni rrëfimet e llahtarshme të të dënuarve të pafajshëm shqiptarë të cilat kanë kaluar edhe më keq se të nëntë rrathët e “Ferri”-t të Dante Aligerit.

Është fat i madh që sot kemi të gjallë dëshmitarët të cilët kanë mundësuar zbardhjen e së vërtetës duke treguar vetëm atë që kanë parë e përjetuar në natën ndërmjet 2 e 3 shtatorit 1987 në Paraqin dhe zhvillimet e mëtutjeshme përtej asaj që kemi dëgjuar e lexuar nëpër media të shkruara dhe elektronike.

Foto: Aziz Kelmendi në moshën katërmbëdhjetëvjeçare së bashku me vëllanë e vogël, Besimin, në Arbanë

Ligjit të harresës nuk i shpëtojnë vetëm ata që vdesin për liri dhe atdhe. Njëri prej këtyre atdhetarëve që nuk harrohet përjetë është dëshmori Aziz Kelmendi që me vetëmohim ia dhuroi jetën Kosovës. Aziz Kelmendi lindi më 15 janar të vitit 1967 në fshatin Karaçicë të Komunës së Shtimes. Rrjedh nga një familje me tradita të larta atdhetare.

Prindërit e tij, Sadik Hajriz Kelmendi dhe Salë Rrahman Krapi nga Nekoci i Drenasit, patën shtatë fëmijë (5 djem dhe 2 vajza): Hajrizin, Havën, Idrizin, Isakun, Azizin, Melihaten dhe Besimin. Babai i Azizit, Sadiku, sikurse shumë bashkëkombës të tij, për shkak të kushteve të rënda ekonomike, në vitin 1970 u detyrua të marrë rrugën e kurbetit. Ai filloi të punojë në Republikën Federale të Gjermanisë. Sadiku, në vitin 1971, nga fshati i lindjes Karaçicë shpërngulet në fshatin Medvec të Lipjanit.

Këtu Azizi regjistrohet në shkollën fillore (paralele e ndarë) e fshatit Medvec, ku kryen me sukses katër klasë dhe mandej vazhdon klasën e pestë dhe gjashtë në shkollën amë “Stanko Buriç” të fshatit Magurë. Nëntë vjet më vonë, në vitin 1980, familja e Azizit përsëri shpërngulet në Komunën e Prizrenit, gjegjësisht në fshatin Dushanovë, që tash njihet si Arbanë.

Në këtë vendbanim familja Kelmendi kishte krijuar kushte më të mira për jetë. Edhe këtu Azizi me sukses shembullor mbaroi klasën e shtatë dhe të tetë në shkollën “Aradha e Sharrit”. Ndërsa tri klasë të shkollës së mesme i kreu në Qendrën e Shkollimit të Mesëm “Dimitrie Tucoviq” në Prizren, ku dallohet si një ndër nxënësit shembullor të kësaj shkolle. Po në vitin e tretë e arreston milicia e atëhershme jugosllave në fshatin Vërmicë të Prizrenit dhe e dënon për veprimtari armiqësore dhe tentim për kalimin e kufirit Kosovë – Shqipëri.

Pas vuajtjes së dënimit për kundërvajtje nga 2-17 prilli 1984 në Burgun e Prizrenit, drejtoria e shkollës e përjashtoi nga Qendra e Shkollimit të Mesëm “Jovanka Radivojeviq -Kica” në Prizren. Me të përfunduar të burgut ai në vitin 1984 shkoi në Lipjan dhe u regjistrua në vitin e katërt në Qendrën e Arsimit të Mesëm të Orientuar, në Degën Juridiko-Byroteknike. Meqë e kishte larg shtëpinë për të udhëtuar, Azizi atë vit kishte banuar te djali i tezës së tij, Ibrahim Tahir Bungu, në Shtime.

No description available.

Foto: Aziz Kelmendi, maturant në vitin 1985

Gjatë kohës sa banonte Azizi në Shtime, tregon Ibrahimi se si ai e mësonte të ekzekutonte me çifteli, kurse vetë ishte adhurues i këngës folklorike dhe ekzekutonte me sharki si dhe me instrumente të tjera muzikore. Gjithashtu, Ibrahimit i kujtohet si sot kur i thoshte: “Njerëzit e mençur duhet të jenë gjithnjë të kujdesshëm në veprimet e tyre ngase një sjellje e pamatur, atyre u bëhet e madhe menjëherë”. Ai pa masë e adhuronte shtetin amë, Shqipërinë, saqë më 11 prill 1985 kur mori lajmin për vdekjen e Sekretarit të Parë të PPSh-së, Enver Hoxha, ishte nisur nga Shtimja për në Dushanovë për ta përcjellë ceremoninë e varrimit përmes valëve të TVSh-së që depërtonin në atë zonë. Kur ishte kthyer Azizi nga Dushanova, i tregon se një gjë i kishte bërë përshtypje të veçantë gjatë ceremonisë së varrimit të Enver Hoxhës, në Tiranë më 12 prill 1985, kur gruaja e tij (Nexhmije Hoxha) i drejtohet të ndjerit me këto fjalë: “Enver, po të vë këtë flamur në zemër nga ana e kosovarëve sepse ashtu siç i kishe ata në zemër gjithë kosovarët e shqiptarët atje ashtu dhe ata të kanë Ty.

Kam marrë me qindra telegrame dhe prandaj besoj se plotësoj një dëshirë të tyre. Merre edhe këtë me vete”. Kështu fjalë për fjalë, Ibrahimit i kishte treguar tezaku atë që kishte parë dhe dëgjuar në televizionin shqiptar.

Si nxënës i shkollës së mesme, Azizi e kishte blerë një makinë shkrimi dhe motrës së vet, Melihates, i kishte thënë: “Me këtë do të shkruaj poezi dhe vepra të tjera. Kam me u ba i madh, bota ka me marrë vesh kur të vdes unë!” Ai e donte shumë arsimimin e femrës dhe në një rast kishte thënë: “Dëgjo motër, shko e regjistrohu në bibliotekën e qytetit dhe lexo vepra të ndryshme letrare e romane sepse njeriu pa shkollë është si me qenë pa sy”.
Azizi, pos që ishte nxënës i shkëlqyeshëm, ishte i pasionuar pas leximit. Për t’ia plotësuar dëshirën Azizit, babë Sadiku ia kishte mundësuar krijimin e një biblioteke të veçantë në shtëpi. Krahas shumë romaneve, ai kishte ëndje të lexonte për historinë e popullit shqiptar, filozofi, art e kulturë. Si i ri kishte përvetësuar njohuri të përgjithshme dhe ishte brymosur me ide përparimtare. Ai kishte talent edhe për poezi dhe tri vargje të tij që ende kujtohen nga familja e tij ishin: “Në më gjetshi të vrarë për liri, në ndonjë sokak, mos të më qani, oj nënë aspak…!” Në vitin 1981 shpërthyen demonstratat studentore në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, në të cilat ishte kërkuar që Kosova të bëhej Republikë e shtatë e ish-Jugosllavisë. Në vend se të bëhej edhe Kosova subjekt i barabartë i federatës jugosllave, demonstratat asokohe u shtypën me dhunë nga policia dhe ushtria jugosllave.

Në këtë kohë Azizi kishte mbushur 14 vjet dhe si fëmijë i ishte ngulitur në kokë padrejtësia e regjimit jugosllav që bënte kundër interesave të popullit shqiptar në ish-Jugosllavi. Për të ishte krijuar bindja se të gjithë popujt sllavë në Jugosllavi ishin kundër lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve ngase ishin mbushur burgjet me shqiptarë anekënd Jugosllavisë. Zaten deri në vitet ’90 politika jugosllave ishte udhëhequr nga Serbia, e cila ushtronte dhunë e terror ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në republikat e tjera jugosllave. Krahas shtypjes e dhunës permanente, Serbia përdorte edhe propagandën kundër shqiptarëve për ta mashtruar opinionin publik brenda dhe jashtë vendit.

Me gjithë kushtet e pavolitshme politike dhe ekonomike, Azizi arriti ta përfundojë gjimnazin me sukses të shkëlqyeshëm. Në afatin e parë të regjistrimit, në qershor të vitit 1985, Aziz Kelmendi u regjistrua në vitin e parë student i rregullt në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku kishte ndjekur dy semestra duke dhënë provime në gjashtë lëndë mësimore me nota të larta. Pra, kishte përfunduar me sukses vitin e parë akademik si dhe kishte regjistruar semestrin e tretë. Gjatë kësaj kohe, prej 17. 10. 1985 e deri më 23. 6. 1986 ka banuar në Prishtinë, në konviktin e dytë (në baraka) të studentëve, në dhomën nr. 19.

No description available.

Për periudhën e studimeve evokon këto kujtime për Azizin, Lulzim Muharremi nga fshati Zborc i Shtimes, si student i vitit të parë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës: “Në vitin e parë kishte shumë studentë që i ndiqnim ligjëratat, por në barakën pranë Qendrës së Studentëve ku banonim, njiheshim më shumë ndërmjet vete. Në këtë barakë banonte edhe Aziz Kelmendi. Unë nuk e njihja shumë, por shokët e dhomës më thanë se ishte student shumë inteligjent. Po afrohej afati i janarit dhe ne po përgatiteshim për provime. Në afatin e janarit si lëndë më e vështirë konsiderohej lënda Filozofi marksiste, të cilën e ligjëronte profesor Irfan Pashoja. Kurse në barakën nr. 2, ku banonim, dhoma e Aziz Kelmendit mbushej përplot me studentë. Për ti dëgjuar shpjegimet e tij për veprat e Marksit, Engelsit dhe Leninit, që për shumicën e studentëve ishin të pakuptueshme, Aziz Kelmendi arrinte ti zbërthente. Si një njeri i afërt me të gjithë, me një shëndet të dobët, nuk përtonte, por çdo natë kishte debate në dhomën e tij për ti ndihmuar rreth këtij provimi. Aziz Kelmendi u notua me notën 10 (dhjetë) nga profesori i Filozofisë marksiste, Irfan Pashoja. Provimin e kanë përcjellë shumë studentë, të cilët kishin filluar ta njihnin Aziz Kelmendin dhe me kureshtje e shihnin se si përgjigjej në atë provim. Të gjithë kishin mbetur të mahnitur dhe flitnin me një admirim për të. Unë nuk shkova për ta përcjell provimin e Aziz Kelmendit, sepse po më afrohej dita e provimit. Përkundër dëshirës dhe kureshtjes nuk guxoja të humbisja kohë. Dy-tri ditë më pas më erdhi radha edhe mua të hyjë në këtë provim. Pas përgjigjeve që i dhashë, profesori mbeti shumë i kënaqur dhe më notoi me notën 10. Për këtë provim isha përgatitur shumë gjatë, por ishin kryesisht shpjegimet e Aziz Kelmendit, që unë mora një notë të lartë në provimin tim të parë. Përndryshe, të gjithë studentët e asaj gjenerate, Azizin e thërrisnin Hegel duke e krahasuar atë me filozofin e njohur gjerman.

Foto: Nga e djathta në të majtë: Aziz Kelmendi, bashkë me shokun e shkollës së mesme dhe studimeve Nazim Vllaqo nga Prizreni, më 10. 05. 1984

Nga gjenerata e studentëve të vitit akademik 1985/86, Ylber Topalli nga Gremja e Ferizajt, përndryshe i burgosur politik, Aziz Kelmendin e përshkruan me këto fjalë: Me Azizin u njoha në vitin 1985, kur edhe filluam studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Ai ishte një djalë që në dukje të parë ta linte përshtypjen e një njeriu të përvuajtur dhe sikur mbi supe mbante një brengë të madhe. Si i heshtur dhe fjalëpakë që ishte, vështirë hyje në komunikim me të. Azizi rrallë fliste, por godiste fuqishëm ashtu që në ndërdijen e secilit student zgjonte imagjinatën se ky përveç qëllimit për të studiuar ka edhe ndonjë mision tjetër jashtë studimeve. Azizi nuk kishte shkuar në Shërbimin Ushtarak menjëherë pas shkollës së mesme siç ishte e zakonshme te shumica e maturantëve. Ai nga shkolla e mesme kishte ardhur drejtpërdrejt në studime. Nga kujtesa ime e mirë, e di që Aziz Kelmendi brenda një viti ka arritur që të dallohej prej studentëve të tjerë si për nga kapaciteti intelektual ashtu edhe për nga guximi i tij për ti kundërshtuar tendencat e disa profesorëve për ta prezantuar Jugosllavinë si oazë paqeje.

Foto: Nga e majta në të djathtë: Aziz Kelmendi dhe shoku i studimeve Shahin Haziri nga Kumanova

E kam shumë të freskët debatin e Aziz Kelmendit me profesorin Hajredin Hoxha lidhur me të ashtuquajturën vetëqeverisje dhe pozitën e shqiptarëve në Jugosllavi. Një kundërshtim aq të guximshëm dhe aq të argumentuar mund ta bënte vetëm një intelektual, i cili, përveç profilit të lartë të arsimimit, kishte edhe një bazament të fuqishëm kombëtar. Ne studentët e tjerë, debatin e tij të zhvilluar me profesorë e shikonim me admirim e, besa, edhe me xhelozi për guximin e tij dhe për kapacitetin intelektual debatues, i cili ishte larg, madje shumë larg nga kapaciteti i studentëve të tjerë.
Si student i vitit të parë ai arriti ti përfundojë pothuaj të gjitha provimet përveç në Fillet e së drejtës, provim të cilit nuk iu kishte nënshtruar. Azizi, pa dyshim që në mesin e studentëve më të mirë të gjeneratës 1985/86, ishte më i miri dhe jo vetëm kaq. Ai ishte më vizionar, madje edhe më vizionar se vetë disa profesorë me të cilët debatonte, ishte më i guximshmi e profesional edhe në tema që e preknin aspektin kushtetues të statusit të Kosovës. Për mendimin tim, ai kishte lindur jo në kohën e tij, mbase ky mund të jetë një gjykim nga distanca kohore 35-vjeçare, por që Aziz Kelmendi, guximin, vendosmërinë dhe kapacitetet e tij, duhej ti shpërfaqte pasi të kthehej nga shërbimi ushtarak. Ai në shërbimin ushtarak shkoi si njeri shumë i pjekur, me vizione shumë para bashkëmoshatarëve të tij por që, fatkeqësisht, të gjithë këta margaritarë për pushtetin okupues ishin një sinjal, se elanin e këtij njeriu duhet ndërprerë.
Duke e njohur karakterin e pathyeshëm të Azizit, mendoj se ai, si protagonist në ngjarjet e më pastajme të historisë tonë plot beteja, do të përfundonte me po të njëjtin shkëlqim që historisë i japin vetëm dëshmorët e kombit. Ai ishte i lindur për të përfunduar dëshmor dhe, si të tillë, duhet trajtuar. Krisma e tij ishte paralajmërim i krismave të luftëtarëve të lirisë që do të vinin më pas.
Mandej nga Sekretariati i Mbrojtjes Popullore në Prizren, Aziz Kelmendi, është rekrutuar për shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ) dhe pikërisht më 14 shtator të vitit 1986 lajmërohet në Garnizonin Ushtarak 5300 në Leskovc të Serbisë, ku për tre muaj iu nënshtrua trajnimit bazë për tankistë dhe pas kësaj në fund të dhjetorit e transferojnë një javë në Dollovac afër Nishit. Mandej e dërgojnë në Kazermën Ushtarake Branko Krsmanoviq në Paraqin, qytet në jug të Beogradit. Ky garnizon përbëhej nga rekrutë prej gjithë Jugosllavisë, siç ishte praktika e përgjithshme në ish-armatën jugosllave.

Aziz Kelmendi, i prekur deri në sedër

Në sistemin e atëhershëm jugosllav nga komunat e tyre iu përcilleshin të gjitha të dhënat, duke përfshirë ndonjë vepër penale, përshtatmërinë ideo-politike të rekrutëve të rinj se kush janë, nga vijnë dhe çfarë veprimtarie politike kanë pasur në vendlindjen e tyre. E njëjta karakteristikë nga Sekretariati i Mbrojtjes Popullore të Prizrenit ishte evidencuar në kartonin e njësisë, i cili iu përcoll Azizit në postën ushtarake në Leskovc. Kjo dosje për Azizin ishte paksa më e veçantë ngaqë bëhej fjalë për një person të dyshimtë dhe shumë të “rrezikshëm” i cili duhej vënë nën mbikëqyrje dhe përcjellje të përhershme nga eprorë të sigurimit ushtarak. Pasi që karakteristika e tij kishte të bënte me një të dënuar për kundërvajtje politike, sigurimi ushtarak që nga dita e parë kur kishte shkuar në Leskovc dhe më pastaj në Paraqin kishte përcjell dhe vëzhguar atë gjatë gjithë kohës. Ai ishte vënë para një presioni të papërballueshëm psikologjik. Ishte koha kur të rinjtë nga Kosova shkonin ta kryenin shërbimin ushtarak në Jugosllavi dhe vazhdimisht rritej numri i rasteve të ushtarëve shqiptarë të vrarë, kurse trupat e pajetë u silleshin familjeve të tyre të mbyllur hermetikisht në arkivole metalike. Shumë prej tyre vriteshin dhe familjeve u thoshin se ata kanë kryer vetëvrasje. Vetëm në periudhën e viteve 1981-1987 nga ushtria jugosllave ishin kthyer 33 shqiptarë të vrarë. Kjo tregon se pas ngjarjeve të vitit 1981, shqiptarët në armatën jugosllave shikoheshin me një sy krejtësisht ndryshe se me kënd shoqëroheshin, çka bisedonin, pse shoqëroheshin me ushtarë shqiptarë e pse jo me ushtarë të nacionaliteteve të tjera!? Dhe përderisa të gjithë rekrutët sllavë shoqëroheshin ndërmjet vete, shqiptarët gjithmonë mbanin një distancë të heshtur duke u shoqëruar kryesisht mes vete. Zakonisht, shumica e rekrutëve shqiptarë nuk e zotëronin fare gjuhën serbokroate, e cila në ish-Jugosllavi ishte gjuhë zyrtare. Prandaj, krejtësisht ishte e logjikshme që shqiptarët të shoqëroheshin më shumë me bashkëkombësit e vet meqë kishin një kulturë, një traditë dhe gjuhë të përbashkët që nuk lidhej asgjë me sllavët. Ky ishte një hendikep i madh për shqiptarët në ushtrinë jugosllave, gjë që ndikoi drejtpërdrejt në diskriminimin e tyre si në dhënien e kujdestarive të shpeshta, dhënien e rojës, pastaj i detyronin t’i pastrojnë banjat, korridoret, oborret e kazermave etj. Këto detyrime jepeshin rend e pa rend, sidomos për shqiptarët në shenjë hakmarrje ndaj tyre vetëm e vetëm se ata po kërkonin në vendlindjen e tyre të jenë të barabartë me gjithë popujt e Jugosllavisë.

No description available.

Foto: Tetor 1986. Nga e majta në të djathtë: Aziz Kelmendi në këmbë, i 13-ti në radhë, gjatë ceremonisë së dhënies së betimit ushtarak në Leskovc. Ndërkaq eprori i tij shqiptar është Tafil Avdijaj, me gradë toger, i dhjeti me radhë, në këmbë. Ndërsa nga e djathta në të majtë është ushtari Afrim Mehmeti (ulur), i gjashti me radhë.

Edhe pse Azizi kishte vetëm 20 vjet, ishte pjekur para kohe, domethënë jeta e kishte kalitur dhe bërë mjaft inteligjent e syçelë. Ishte paksa i tërhequr në vete, ta linte përshtypjen se nuk shoqërohej me askënd, mirëpo në realitet ishte shumë i dashur dhe atdhetar. Duke vërejtur vendosmërinë dhe karakterin e tij shumë të fortë, ato ditë eprorët jugosllavë Azizin e thërrisnin si Kelmendoviq, për të cilën gjë e kishte njoftuar nënë Salën gjatë pushimit sa ishte në shtëpi, në muajin qershor të vitit 1987. Nëna e tij i kishte thënë: “O Aziz a e di se në çfarë ushtrie je, në ushtrinë e huaj apo tënden? Ai i ishte përgjigjur: “Jam në ushtrinë e huaj!” Prandaj, “kryje ushtrinë e hajde në shtëpi”, i sugjeron nëna e tij. Në bisedë e sipër, Azizi e kishte paralajmëruar nënën e vet për t’u përgatitur për më të keqen. Ai kishte thënë: “Ju nanat e Kosovës duhet mu ba shumë të forta sepse Jugosllavia ka me na marrë neve dhe ka me na burgos, ka me na munu e torturu tu na shti në arkivol e me ua pru nanave tona në shtëpi. Ju duhet mu batë forta se një popull që do liri, bota pa ua dhanë nuk kanë qare”. Mirëpo pas kthimit nga pushimi, eprorë e ushtarë jugosllavë sërish vazhdojnë me metodat më të ndyra të provokimit duke u munduar ta lodhin në aspektin shpirtëror, fizik dhe psikik sa që në fund e prekun atë deri në sedër! Atij i kishin mbetur vetëm dymbëdhjetë ditë për të përfunduar shërbimin ushtarak 12-mujor mirëpo ato ditë për Azizin ishin bërë shumë të gjata dhe të papërballueshme. I mllefosur për gjendjen politike që po mbretëronte asokohe në Kosovë, Azizinë muajin e fundit të shërbimit ushtarak gjatë një pasdite, në bisedë e sipër kishte kërkuar mendimin e shokëve të vet shqiptarë duke ju thënë: “O burraa ja kajm nanën t’ju hyjmë pushkë! Na është dhanë rasti dhe mundësia sepse këta gjatë gjithë historisë prej se kanë ardhë në Kosovë, gjithmonë na kanë vra e pre”. Shokët e tij nuk e marrin seriozisht deklarimin e tij, përveçse i thonë: “Lere bre Aziz ta kryjmë ushtrinë e të ecim te shtëpia”, tregon Rizah Xhakli që ishte i pranishëm në atë takim të rëndomtë me Azizin.

Sfondi i ngjarjes në Kazermën e Paraqinit

Ditën ndërmjet 2 dhe 3 shtatorit të 1987-s, udhëheqësi i Postës Ushtarake 7518, kapiteni i klasës së parë, Dragan Rosiq, kishte urdhëruar personin përgjegjës, gjegjësisht evidencuesin e Njësisë, Goran Mladenoviq, që me urdhëresë plotësuese ta caktojë ushtarin Aziz Kelmendi ndihmëskujdestar të Njësisë në korridor prej orës 24:00 deri në mëngjes. Ai e kishte vënë Azizin në detyrën e ndihmësit të kujdestarit të Njësisë, por pa shkrimin e urdhëresës plotësuese si dhe nuk e kishte lajmëruar atë meqë, siç ka deklaruar ai, nuk kishte raporte të mira me të. Mirëpo, në mbrëmje dhjetori Zoran Gjekiq e kishte njoftuar me vonesë Azizin për këtë detyrë. Ishte ora 22:00 kur ai mori këtë informatë. Në këtë kohë Azizi kishte pasur dhimbje të kokës, të cilën e kishte lidhur me një këmishë. Me këtë rast ai kishte reaguar, por nuk e kishte refuzuar detyrën.

Ndërkaq, gjatë kësaj dite epror kujdestar në kazermë ishte flamurtar i klasës të parë Dushan Blagojeviq, përndryshe epror i PU 5313. Sipas flamurtarit Blagojeviq, disa çaste para orës 22:00 kishte vizituar të gjitha vendet e rojës, dhomat e fjetjes dhe çdo gjë ishte në rregull. Në orën 24:00 e kishte zëvendësuar dhjetari Mate Dodik, i cili ishte ndihmës i Blagojeviqit.
Në njësinë e dytë nga ora 24:00, në detyrën e ndihmësit të kujdestarit ishte caktuar Safet Dudakoviq, i cili në vend se të ishte në detyrë, ai flinte në shtratin e dikujt tjetër.

Babai dhe nëna e Azizit në mëngjesin e përgjakshëm në Paraqin

Për natën kritike, Azizi nuk u kishte treguar as shokëve shqiptarë për hapin që do të ndërmerrte, me të vetmin qëllim që të mos i implikonte ata sepse ishte plotësisht i vetëdijshëm për pasojat që do të rrjedhin më pastaj. Duke u bazuar gjithnjë në të dhënat zyrtare, atë natë rreth orës 24:00 dhjetari Zoran Gjekiq e kishte ftuar Aziz Kelmendin për ta marrë detyrën e ndihmëskujdestarit në njësinë e Postës Ushtarake 7518 në Paraqin. Gjatë kësaj kohe, Azizi, sa mbante kujdestari, më 3 shtator 1987, kishte dalë në oborr të kazermës dhe shkon deri te dhoma e mësimit, ku afër ishte vend roja numër 1. Atje takon ushtarin Abdylxhemil Alimani, i cili e kishte pyetur: “Çka po kërkon aty në atë kohë?” “Meqenëse jam kujdestar, erdha të marrë diçka për të lexuar, por nuk gjeta asgjë”, kishte thënë Azizi dhe kthehet sërish në kazermë. Atij tashmë i ishte mbushur kupa aq shumë saqë me të hyrë në pavijon, sipas të dhënave zyrtare, ai kishte thyer kasafortën (dollap metalik) e mbyllur me dry dhe dyllë të kuq të vulosur. Kjo arkë metalike gjendej në korridor të pavijonit të njësisë në katin e parë, ku ka siguruar dhjetë plumba 7,62 mm të pushkës gjysmatomatike. Në të njëjtin korridor merr pushkën automatike “Zastava” M70 (D-116689), të cilën e ka mbushur me dhjetë fishekë. Pastaj nga objekti i kazermës është nisur në drejtim të vendit të rojës së kazermës, përkatësisht në çadrën e rojës. Atje, rreth orës 3:00, e zgjon nga gjumi komandantin e rojës, dhjetarin Rizo Alibashiq (boshnjak-mysliman), duke e kërcënuar se do ta mbyste nëse nuk i jep municion. Për ta shpëtuar veten, Alibashiq ia jep dy karikatorë me nga 30 fishekë për pushkë automatike, për të cilën më tepër municion nuk kishte. Mandej duke e kërcënuar me armë në shpinë, ka urdhëruar Alibashiqin që të shkojë në drejtim të kazermës së njësisë së tij. Pasi ka ardhur në ndërtesën dykatëshe të postës ushtarake 5313 dhe 7518, të cilat ishin në një korridor, kanë hipur në katin e parë dhe ka urdhëruar dhjetarin Alibashiq të largohet dhe në orën 03:05 pas mesnatës kishte hapur dyert e dy dhomave nr. 41 e 42 dhe mbi ushtarët jugosllavë ka shtënë gjithsej 26 plumba me pushkë automatike duke vrarë:
1. Safet Dudakoviq nga Orahova e Bosanska Gradishkës (BiH),
2. Srgjan Simiq nga Beogradi (Serbi),
3. Goran Begiq nga Zagrebi (Kroaci) dhe
4. Hasim Gjenanoviq nga Koçiqi i Vitezit (BiH).
Ndërkaq, në këtë aksion u plagosën këta ushtarë:
1. Ante Jazhiq, slloven
2. Petar Gjekiq, kroat nga Vërnezi i Vitisë
3. Andrej Presheren, slloven
4. Huso Kovaçeviq, boshnjak-mysliman
5. Nexhid Mehmedoviq, boshnjak-mysliman. Në rrethana të krijuara ushtari Nazif Axhoviq, shqiptar nga Tuzi i Malit të Zi, nga frika kishte kërcyer nga dritarja prej një lartësie 6-metrash, me ç’rast merr lëndime të lehta trupore.
Në kohën kur janë dëgjuar rafalët, Alibashiq ishte në pistë dhe menjëherë i kishte dhënë rojës alarm. Si në ëndërr, të shtënat i kishte dëgjuar, flamurtar i klasës të parë, Dushan Blagojeviq.

No description available.

Foto: Pamje nga Google Mapse e Kazermës Ushtarake “Branko Krsmanoviq” dhe depove ushtarake në vendin e quajtur “Karadjordjevo Brdo” në Paraqin

Njëherë ai kishte menduar se mos po ushtrojnë ushtarët e rojës. Nuk kishte vonuar shumë kohë dhe shkon ndihmësi i tij, dhjetari Mate Dodik, i cili i kishte treguar se po ngjet diçka e jashtëzakonshme. “Vrapova deri te dera e parë e pavijonit dhe kur e vërejta çka ka ngjarë, u ktheva shpejt dhe me telefon thirra mjekët, organet e punëve të brendshme, eprorët e njësisë etj”, tregon Blagojeviq. Ndërkaq, në orën 3 e 14 minuta të mëngjesit, ushtari Nenad Sarçeviq e thërret në shtëpi me telefon kapitenin e klasës të parë, Dragan Rosiq, të cilin e njofton se “në pavijon ka të lënduar e, ndoshta, edhe të vdekur dhe se sigurisht këtë e ka bërë ushtari Aziz Kelmendi”, epror i të cilit ishte Rosiq. Ky tregon se “kur ka ardhur në kazermë, para çadrës së rojës ka vërejtur të tubuar ushtarët e rojës. Nga ata u nda dhjetari Rizo Alibashiq, udhëheqës i rojës dhe i ka thënë se Azizi me dhunë ia ka marrë municionin”. Mandej, Rosiq “ka shkuar menjëherë në dhomat e fjetjes dhe aty ka vërejtur disa ushtarë gjysmë të veshur, si dhe të plagosurit e të vrarit”.
Dëgjoheshin boritë e ndihmës së shpejtë që vinin nga qyteti. Ishte errësirë, mbretëronte rrëmujë e panik i vërtetë dhe të vërtetën nuk e dinte askush tjetër përpos Azizit, i cili gjatë kësaj kohe shkon në drejtim të depove të municionit, ku atje kalon rrethojën duke shkuar një kilometër nga baza, në vendin e quajtur “Karadjordjevo Brdo” (Kodra e Karagjorgjës). Për të mos rënë në duar të armiqve kishte bërë vetëvrasje duke shkrepur një fishek në arëz të fytit, i cili kishte dalë mbi kokën e tij. Rreth orës 8:00 të mëngjesit nga një çift i moshuar bashkëshortor është gjetur trupi i pajetë i Aziz Kelmendit, i cili menjëherë i njofton organet ushtarake.

No description available.

Foto: Studenti i drejtësisë, Aziz Kelmendi (1967-1987)

Dëshmitarja e rastit, Radmila Petroviq, e përshkruan vendin dhe mënyrën e gjetjes së kufomës të Azizit: “Kam këtu pak tokë dhe një kulm, ku kultivojmë dy dhi dhe shumojmë derra… Mund të ishte rreth gjysmë në shtatë kur unë dhe Milija im me motokultivator quam kashtën për shtazët. Vetëm kur u kthyem, vërejta së pari këpucët, por nuk isha e sigurt nëse po ose jo dhe i thashë burrit: Ndalu! Ku atje kisha edhe çka me pa. Ishte njeriu i shtrirë në shpinë, që ishte ushtar. Me pushkë në mes këmbëve, Zoti na faltë, duart e hedhura, nën kokë pak gjak të ngjizur (mpiksur). Shoh:Djaloshi i vdekur, e mjera nënë që e ka përcjell në ushtri”. Kështu Radmila Petroviq, amvisja nga Paraqini, ka përshkruar kufomën e Aziz Kelmendit pasi që ajo dhe burri i saj, Milija, atëherë punëtor i fabrikës së qelqit, rastësisht e kishin gjetur atë mëngjes të 3 shtatorit 1987, përderisa ndjekja bëhej nga një numër i përzier i policisë ushtarake-civile dhe pa sukses sorollatej më shumë se tri orë.

Koincidencë, babai dhe nëna e Azizit në mëngjesin e përgjakshëm në Paraqin

Ditën kur ndodhi ngjarja e Paraqinit ishte një koincidencë. Babai i Azizit, Sadiku, që punonte në Gjermani, së bashku me gruan e tij, ishin nisur nga qyteti Fulda për ta kryer pushimin vjetor në vendlindje. Ai, prejse ishte ndërtuar autostrada Beograd – Nish, gjithherë kalonte nëpër Paraqin dhe bashkë me bashkëshorten kishin vendosur të ndalen në kazermë për ta vizituar djalin e tyre. Në mëngjes, më 3 shtator 1987, diku para orës 6:00, kishin mbërritur në Paraqin, ku më vonë marrin vesh për ngjarjen tragjike. Pikërisht në orën 6 e 10 minuta kishin ndaluar veturën e kaltër “Pegueot-304”, para dyerve të Kazermës së Paraqinit. Nanë Sala qëndron në veturë, kurse Sadiku lajmërohet për vizitë në hyrje te porta e Kazermës Ushtarake në Paraqin. Nga aty del një ushtar, me të cilin Sadiku komunikon serbisht. Ky ushtar kishte qenë shqiptar (Pajazit Aliu), por nuk kishte guxuar të fliste shqip. Më pastaj, ushtari në fjalë komunikon me eprorët e tij dhe aty kishin ardhur dy oficerë, të cilët e kishin marrë me vete babanë e Azizit e më pas hyjnë brenda rrethojës së kazermës, në një zyrë, ku fillojnë ta marrin në pyetje hollësisht për Azizin dhe rrethin e gjerë familjar. Pas intrvistimit, Sadikun e dërgojnë në një dhomë ku ishin vendosur kufomat e katër ushtarëve të vrarë. E informojnë se këta i kishte vrarë djali i tij Azizi, dhe i thonë se në fund edhe ai kishte bërë vetëvrasje. Më pas e dërguan edhe në vendin ku ishte djali i tij i dashur, me të cilin priste të takoheshin e të çmalleshin si prindër. Ndërkaq, përnjëherë përpara Sadikut do të shfaqet djali i vet, shtrirë dhe i shndërruar në kufomë! E pabesueshme, por e vërtetë.

No description available.

Pas katër orësh pritje, para portës ushtarake e kanë marrë edhe nënën e Azizit për ta intervistuar në një zyrë tjetër, ku për të përkthyer ishte ftuar ushtari Rizah Xhakli. Nënë Sala me një shami në kokë, e rraskapitur nga rruga e gjatë që kishte bërë, intervistohet nga tre oficerë ushtarakë për gjithçka. E pyesin fije për fije se si kanë ardhur nga Gjermania, për jetën e Azizit, kush ka qenë, çka ka bërë, pastaj për djemtë, vajzat, motrat, vëllezërit, për të gjithë ata që ka pasur në shtëpi. Ajo mbahej e fortë, mirëpo nuk dinte asgjë çfarë kishte ndodhur. Rizahu paraprakisht ishte kërcënuar nga oficerët të mos fliste përpos atë çka pyesin ata. Në fund, nënë Sala u thotë: “Ju çka më pyetët mua unë ju tregova. Tashti edhe ju më tregoni për Azizn çka ka ndodh?” Aty nënë Sala e kuptoi se diçka e keqe kishte ndodhur, por oficerët jugosllavë asgjë nuk i tregojnë. “Pas një kohe, prapë më kanë marrë dy ushtarë e një oficer dhe më kanë dërguar në një dhomë tjetër. Aty ishin bashkë oficerët dhe mjekët. Porsa hyra në atë sallë, ua lëshova sytë të gjithëve. Së mbrami më shkuan sytë te Sadiku. Ai ishte ulur skaj tavolinës së madhe, kurse pranë tij ndodhej një karrige e zbrazët. U ula në atë karrige, i thashë: ‘Sadik, çka u bë kështu bre?’ Ma ktheu: ‘Bëhu e fortë se ka ndodhur shumë… Azizi katër veta i ka mbytur, pesë i ka plagosur dhe vetes i ka ra në qafë! As nuk më tha është mbytur, as s’është mbytur. E pyeta përsëri: A është gjallë Azizi? Ai tha: Jo, ka vdekur…”’, thotë nëna e Azizit. Me këtë rast nga lajmi trishtues që merr, nënë Sala ishte ngritur në këmbë dhe me sa fuqi që kishte me dy grushte godet tavolinën dhe me zemërim u thotë në gjuhën shqipe: “Ku ishit more ju krejt oficerët e kësaj ushtrie që i keni lënë ushtarët mu ba kështu?” Në sallë mbretëronte heshtje, askush nuk fliste, nënë Sala kishte mbetur e shtangur në këmbë. Asaj i ofrojnë një kafe, të cilën e refuzon menjëherë, pastaj i sjellin një injeksion për t’i dhënë për qetësim. Edhe këtë nuk kishte pranuar ta marrë me arsyetimin se me gjithë dhimbjen shpirtërore që ka mund të përballojë!

Bastisja e shtëpisë dhe ceremonia e varrimit nën vrojtimin e rreptë të autoriteteve jugosllave

Pa asnjë paralajmërim, në mëngjesin e 3 shtatorit të vitit 1987, rreth orës 8:00 forca të mëdha policore kishin mësyrë shtëpinë e familjes së Aziz Kelmendit. Ato e rrethojnë shtëpinë e tij në të katër anët, madje kishin hyrë edhe në dy oborre të fqinjëve të familjes Kelmendi. Disa ishin vendosur në rrugën kryesore dhe një pjesë e tyre në rrugicën përballë. Pak pa ardhur policia, vëllai i Azizit, Isaku, kishte shkuar në Qendrën Arsimore të drejtimeve teknike në Prizren, kurse motra e tij, Melihatja, në Qendrën Arsimore “Dimitrie Tucoviq”. Bastisja e shtëpisë së tyre kishte vazhduar deri rreth orës 10:00, ku me vete kishin marrë vëllanë e madh të Azizit, Hajrizin, po edhe Idrizin. Në shtëpi kishte mbetur vetëm gruaja e Hajrizit, Miradija, së bashku me dy vajzat (Nora dhe Majlinda) si dhe Besimin, vëllanë e vogël të Azizit. Shtëpia ishte bërë e tëra rrëmujë, nuk kishin lënë asnjë skutë pa kontrolluar. Para dyerve të oborrit kishte vazhduar të qëndronte për një kohë të shkurtër një patrullë e policisë. Ndërkohë nga shkolla vijnë Melihatja dhe Isaku, mirëpo askush asgjë nuk dinte se çfarë ka ndodhur dhe çka është duke ndodhur. Pas intervistimit në SPB të Prizrenit ishte kthyer në shtëpi Idrizi, kurse vetëm pak kohë pas tij ishte liruar edhe Hajrizi. Ata kishin treguar në familje se e tërë biseda në SPB ishte zhvilluar rreth Azizit, por asnjë informatë atyre nuk u kishin dhënë se çfarë ka ndodhur. Pak pas orës 15:00 kishte rënë zilja dhe te dyert kishte dalë Hajrizi. Kishte qenë një kushëri i tyre i cili kishte dëgjuar lajmet e Radio Prishtinës dhe e kishte njoftuar për lajmin e parë zyrtar që kishte dëgjuar lidhur me ngjarjen e Paraqinit. Pas këtij lajmi të transmetuar nga Radio Prishtina, për ta ndarë dhimbjen me familjen Kelmendi kishte shkuar menjëherë xhaxhai i tyre, Syla, më pastaj një nga një shkojnë edhe fqinjët dhe dashamirët e tjerë.
Atë ditë nga Paraqini dy eprorë ushtarakë shoqërojnë dy prindërit e Azizit deri në shtëpi, në Dushanovë. Njëri oficer qëndronte ulur para me Sadikun, kurse tjetri prapa me bashkëshorten e tij. Të katërtit udhëtonin me veturën e Sadikut, mirëpo gjatë gjithë rrugës nuk kishin komunikuar ndërmjet vete fare. Ata rreth orës 17:00 kishin mbërritur në shtëpi. Me të hapur dyert e oborrit nga Sadiku, Melihatja e kishte parë nga dritarja dhe kishte bërtitur “Baba!” Të gjithë në familje ishin stepur. Vërtet kjo ishte një befasi sepse askush nuk e kishte menduar ardhjen e tyre në këtë ditë kritike. Në mbrëmje familjen Kelmendi për ngushëllime e kishte vizituar edhe profesor Xhamajli Berisha. Siç është tradita, familja Kelmendi kishte hapur të pame për ngushëllime duke vendosur karrigen jashtë oborrit para portës hyrëse. Asokohe e pamja ishte shtatë ditë, mirëpo para kohe familja detyrohet të ndërpresë atë duke hequr karrigen, meqë organet e sigurimit jugosllav e detyrojnë.
Më 4 shtator 1987, pas përfundimit të obduksionit në Spitalin Ushtarak në Nish, nën përcjelljen e organeve ushtarake, e nisin kufomën e Azizit për në Prizren. Arkivoli ishte i mbyllur hermetikisht dhe para se t’i jepej lamtumira e fundit të ndjerit, familja kishte tentuar ta bënte hapjen e arkivolit, por strukturat politike të asaj kohe që vepronin në kuadër të Bashkësisë Lokale në Dushanovë nuk kishin lejuar. Mirëpo, për ta parë fytyrën e të ndjerit ishte mundësia ngaqë arkivoli kishte një xham të vogël nga qelqi. Pushteti i asaj kohe, po ashtu, i kishte ndaluar njerëzit të dilnin në varrim, mirëpo me gjithë vështirësitë e kohës kishin marrë pjesë rreth 50 veta që ishin kryesisht miq dhe anëtarë të familjes Kelmendi.

No description available.

Foto: Varri i dëshmorit Aziz Kelmendi në Arbanë të Prizrenit

Nuk kishte zgjatur shumë kohë dhe nga organizatat e atëhershme shoqërore-politike u mor vendimi që familja e Aziz Kelmendit të lëçitet dhe bojkotohet plotësisht duke filluar nga Bashkësia Lokale e fshatit Dushanovë dhe kudo tjetër ishte propozuar që familja Kelmendi të mbetet e vetmuar. Madje kryesia e KK e LShL e LNÇ-së e Prizrenit shkoi aq larg saqë më 9 shtator 1987 ka marrë iniciativë që familja e Aziz Kelmendit të dëbohet nga Dushanova e Prizrenit dhe të kthehet në fshatin nga ka ardhur.
Në varrim pati më shumë milicë, inspektorë të sigurimit shtetëror, oficerë ushtarakë sesa qytetarë. Atë ditë djali i tezës së Azizit, Ibrahim Bungu, gjatë ceremonisë së varrimit kishte identifikuar Sinisha Didiqin nga Shtimja, inspektor i lartë i Sigurimit Shtetëror në Prishtinë. Përndryshe, ky ishte i biri i Kosta Didiqit që udhëhiqte Sekretariatin e Mbrojtjes Popullore në Ferizaj. Ai me bashkëpunëtorët e vet vrojtonte me kujdes pjesëmarrësit e varrimit. Propaganda jugosllave e bëri të veten duke i frikësuar qytetarët për të mos marrë pjesë në varrim.
Operativistët serbë e shqiptarë nuk qëndronin duarkryq as pas përfundimit të ceremonisë mortore. Vazhduan ndjekjen e pjesëmarrësve që kishin marrë pjesë në varrim. Më 6 shtator 1987 inspektori i Sigurimit Shtetëror, Ramiz Hoxha, kishte shkuar te shtëpia e Ibrahim Bungut në Shtime dhe e kishte marrë atë me vete. Mandej e dërgon në Sekretariatin për Punë të Brendshme në Ferizaj, ku së bashku me inspektorin tjetër, Nezir Sherifi, e interviston në detaje për Azizin duke e pyetur për kohën sa kishte banuar në familjen e tij, për pjesëmarrje në varrimin etj.

Arrestimi i Sadik Kelmendit dhe bastisja e shtëpisë së tij për herë të dytë

Autoritetet jugosllave, në orët e hershme të mëngjesit, më 5 shtator 1987 e paraburgosin Sadik Kelmendin, të cilin e dërgojnë në Sekretariatin për Punë të Brendshme në Prizren. Diku në mesditë, Njësia Speciale e Policisë ka bastisur sërish shtëpinë e familjes së Aziz Kelmendit. Në secilën derë e dritare të shtëpisë kishin drejtuar nga një armë. Me këtë rast, gjatë bastisjes policia kishte kontrolluar nënë Salën, tek e cila kishte gjetur një revole të tipit CZ me kalibër 7.65 mm, me dy karikatorë e gjashtë fishekë, armë kjo e bashkëshortit të saj. Atë ditë policia kishte marrë të gjitha fotografitë, albumet, librat, fletoret, shënimet dhe gjësendet e tjera të Azizit. Më 7 shtator 1987, Gjykata Komunale për Kundërvajtje në Prizren, Sadik Kelmendin (47-vjeçar), e dënuan me 60 ditë burg dhe menjëherë e dërgojnë në vuajtje të dënimit në burgun e Nishit. Atje e mbajnë në burg një muaj dhe sërish e kthejnë në Burgun e Prizrenit, ku përfundon vuajtjen e dënimit të mbetur prej një muaji. Më 8 shtator 1987 merren në bisedë informative të gjithë anëtarët e moshës madhore të familjes Kelmendi. Nëna e Azizit, Sala dhe djemtë e saj: Hajrizi, Idrizi dhe Isaku, të cilët i morën në pyetje në Sekretariatin për Punë të Brendshme në Prizren. Ndërsa motrën e tyre pesëmbëdhjetëvjeçare, Melihaten, e përjashtuan nga Qendra e Shkollimit të Mesëm “Dimitrie Tucoviq” në Prizren. Gjithashtu, ajo me vendimin e konferencës shkollore të Lidhjes së Rinisë Socialiste të qendrës së shkollës së mesme u përjashtua edhe nga organizata e rinisë. Pushteti i atëhershëm shkoi aq larg saqë për familjen Kelmendi në Dushanovë, kërkoi që të gjithë fshatarët ta izolonin familjen e tyre.
Gjykata Komunale për Kundërvajtje në Prizren më 8 shtator 1987 kishte kërkuar nga SPB në Prizren për zgjerimin e procedurës kundër nënës së Azizit, Salë Kelmendi, për bashkëpjesëmarrje dhe fshehje të armës së zjarrtë. Nuk kishte shkuar shumë gjatë dhe Gjykata për Kundërvajtje në Prizren, Salë Kelmendin e dënon me 60 ditë burg, e cila dënimin e kishte vuajtur në Burgun e Mitrovicës.
Pas rastit të Paraqinit, filloi shqyrtimi i përshtatshmërisë ideopolitike të anëtarëve të ngushtë të familjes së Aziz Kelmendit. Për Hazir Kelmendin është kërkuar të revokohet nga funksioni i delegatit në Dhomën Shoqërore-Politike të Kuvendit të Komunës së Lipjanit ngase ishte xhaxha i Azizit.
Sistemi i atëhershëm jugosllav nën trysninë e Serbisë bënte përpjekje të vazhdueshme ta shkatërrojë familjen e Aziz Kelmendit duke u shkaktuar atyre një varg traumash të rënda psikike e fizike. Gjithashtu, bënte fushatë të egër me shkrime të ulëta denigruese e fyese kundër familjes Kelmendi dhe mbarë popullit shqiptar në Jugosllavi. E vetmja ishte kryesia e Rinisë Socialiste e Sllovenisë, e cila në atë kohë, më 14 shtator 1987, në Lubjanë kishte reaguar duke kërkuar që të themelohet një komision i veçantë për studimin e rastit të Paraqinit si dhe kishte dënuar fushatën kundër familjes Kelmendi dhe mbarë kombësisë shqiptare në Jugosllavi.

Përjashtohet nga shkolla vetëm pse ishte motra e Aziz Kelmendit

Ditën e hënë, më 7 shtator 1987, Melihatja kishte shkuar në shkollë si zakonisht, mirëpo të nesërmen ndryshon gjithçka. Ishte ora e pestë, ajo e Historisë, kur nxënësit prisnin profesoreshën Bukurie Morina për të filluar orën e rregullt mësimore. Pak pa filluar kjo orë shkon në klasë kujdestari i klasës dhe e fton Melihaten, duke e porositur që ta marrë me vete çantën dhe bashkë me të lajmërohen te drejtori i shkollës. Duke zbritur shkallëve nga kati i tretë, kanë takuar profesoreshën Bukurie. Ajo i drejtohet kujdestarit të klasës: “Ku po e çon çikën, ku po e çon çikën…?” E brengosur tej mase, pa pasur mundësi të bënte diç, ishte ngjitur përpjetë shkallëve. Atje në klasë, para nxënësve, thuhej se mësimdhënësja Bukurie sillej vërdallë nëpër klasë duke thënë: “Jua morën shoqen, jua morën shoqen…!” Kur hynë në zyrë, aty gjendej drejtori i shkollës bashkë me anëtarët e Këshillit të Nxënësve, që përbëhej edhe nga mësimdhënësit. I pranishëm ishte edhe arsimtari i gjuhës angleze dhe dy policë. Me këtë rast, drejtori i jep Melihates vendimin e Lidhjes së Rinisë Socialiste që ishte përjashtuar nga kjo organizatë rinore dhe nga shkolla, ndërkaq policët i kishin thënë se duhet të shkojë me ta në SPB të Prizrenit sepse kanë urdhër ta marrin me vete. Nëse ke ndonjë shoqe të ngushtë, policët i sugjerojnë ta marrë me vete, mirëpo fjalë pas fjale kishin vendosur të shkojë ajo vetëm. Me të dalë në oborr të shkollës, nën shoqërim të policisë, një shoqe e klasës (Shyqerije Kryeziu) e kishte parë nga dritarja, e cila nga kati i tretë filloi të çirrej nja dy-tri herë me sa zë që kishte: “Meli ku po shkon…?!” Në Sekretariat kur kishte mbërritur, atë e merr në pyetje një inspektor i sigurimit shtetëror shqiptar, ku në tavolinën tjetër qëndronte ulur edhe një hetues serbë.

Gjatë kohës sa ishte duke shërbyer Azizi në shërbimin ushtarak, në emër të familjes Melihatja kishte komunikuar me të përmes letrave. Siç dihet mirëfilli, shtëpia e familjes së Azizit ishte kontrolluar nga policia më 3 dhe 5 shtator 1987 dhe gjithçka që kishin gjetur në emër të tij e kanë marrë me vete duke përfshirë librat, fletoret, letrat e tij që kishte komunikuar me familjen nga ushtria etj. Gjatë bisedës informative ata ishin të interesuar të dinë se me kënd ishte shoqëruar Azizi, domethënë cilët ishin shokët e tij, pastaj e kishin pyetur Melihaten se a mos kanë komunikuar me kode me të ndjerin e kështu me radhë. Në vitin 1987 ishte koha kur diskutohej për flamurin kombëtar shqiptar, ku asokohe kërkohej që yllit të verdhë pesëcepësh që ishte mbi shqiponjën dykrenare t’i ndërrohet vendi e madhësia e tij. Për këtë, Azizi në atë kohë, gjatë komunikimit me letra, e kishte shprehur shqetësimin e tij, tregon Melihatja. Prandaj, inspektorët e sigurimit shtronin pyetje të ndryshme.
“Ata më ofronin fletoret e Azizit (të gjitha fotokopje), për të cilat më thonin ‘shiqo çka ka shkruar Azizi’”, tregon Melihatja. “Mbaj mend dy vjersha, njëra titullohej: ‘Vëllezërit Gërvalla në Gjermani’, por nuk më kujtohen rreshtat e saj. E di që inspektorët më thoshin: ‘A po e sheh çka ka shkruar?’ Vjersha tjetër mbante titullin ‘Vajza sylaroshe’, ku bëhej fjalë se u ndamë (më duket), thashë lamtumirë, eca dhe e ktheva kokën, ia pashë lotët në faqe…” Ata bënin përpjekje dhe dëshironin të dinë se a ka pasur Azizi ndonjë vajzë të dashur sylaroshe? “Unë vërtet nuk kam ditur lidhur me këtë çështje”, tregon Melihatja.

No description available.

Foto: Melihate Kelmendi

Përjashtimi i saj nga shkolla kishte bërë bujë. Mediat sllovene e kroate kishin reaguar duke potencuar se ngjarja është zhvilluar në Paraqin e në Kosovë po ndëshkohet një e mitër vetëm pse është motra e Aziz Kelmendit. Lajmi kishte bërë jehonë të madhe tek opinioni publik dhe pas dy jave, drejtoria e shkollës detyrohet nga presioni publik që të ftojë Melihaten për vazhdimin e mësimit të rregullt.
“Dy-tri javët e para vlonin gazetarët para shtëpisë tonë”, tregon Melihatja. “Atë ditë që rifillova mësimin një gazetar shqiptar më tha: Këta janë gazetarë sllovenë dhe po iu intereson a të kanë përjashtuar nga shkolla? Po u thashë, por sot më kanë kthyer përsëri. Të nesërmen, për të vërtetuar këtë gjë, të njëjtët gazetarë kishin shkuar në klasën e Melihates, të cilët fotografojnë klasën dhe ditarin…”

Shërbimi ushtarak në Paraqin dhe shoqërimi i shqiptarëve gjatë kohës së lirë

Në Kazermën e Paraqinit shërbenin ushtarë të të gjitha nacionaliteteve të ish-Jugosllavisë, në mesin e të cilëve kishte edhe shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Ata ishin kryesisht rekrutë të ardhur nga kazermat e tjera, të cilët, pas përfundimit të trajnimit tremujor (që njihet si “Obuka”) në lëmenj të ndryshëm ushtarakë, janë transferuar në Paraqin. Më 14 shtator 1986, Afrim Mehmeti dhe Aziz Kelmendi kishin nisur trajnimin ushtarak për tanke në Postën Ushtarake në Leskovc. Mandej, në muajin dhjetor, të dytë së bashku i dërgojnë në “prekomandë”, një javë në Dellovac e pastaj i transferojnë në Kazermën e Paraqinit. Pas kryerjes së trajnimit tremujor për këmbësori, në janar të vitit 1987 nga Kazerma e Knjazhevcit ishte transferuar Pajazit Aliu në Paraqin. Ndërkaq, më 26 qershor 1987 nga Kazerma e Zajeçarit e transferojnë edhe Rizah Xhaklin si vozitës dhe dhjetarin Rizo Alibashiq. Gjithashtu, po në muajin qershor nga Kazerma e Nishit kishte ardhur në Paraqin, Abdylxhemil Alimani, i cili atje, nga data 18 mars 1987, e kishte kryer trajnimin për shërbim teknik-ndërlidhës. Kështu ka vazhduar ardhja edhe e rekrutëve të tjerë në Paraqin. Gjatë gjithë shërbimit ushtarak, Afrim Mehmeti ka qenë gjithnjë së bashku me Azizin, kurse më pas ka vazhduar shoqërimi i tyre edhe me Rizah Xhaklin, Abdylxhemil Alimanin, Shefqet Paçarizin, Pajazit Aliun, Enver Behlulin dhe Islam Mahmutin, i cili ishte pjesëtar i komunitet rom, mirëpo gjithnjë shoqërohej me shqiptarë ngaqë nuk e njihte fare gjuhën serbokroate. Në momentin kritik ka pasur edhe disa shqiptarë të tjerë që nuk kanë qenë në kazermë, por ishin duke ruajtur depot ushtarake të municionit në vendin e quajtur “Karadjordjevo Brdo”, rreth 3 kilometra larg Garnizonit të Paraqinit. Në vendin e rojës kanë qenë: Isuf Ponik nga Prizreni, Sejfullah Selimoviq nga Shkupi dhe Feti Zuka nga Kamenica, ndërsa atë natë ushtari Nexhmedin Hajrizi nga Gumnasella e Lipjanit kishte qëlluar larg kazermës.

Gjatë kësaj periudhe shqiptarët që shërbenin në Kazermën e Paraqinit gjatë kohës së lirë kishin realizuar ndeja e takime të ndryshme spontane. Gjatë takimeve të tyre të përbashkëta ato shoqëroheshin kryesisht me diskutime të rëndomta për familje, por nuk mund t’i anashkalonin edhe bisedimet e shumta për situatën e atëhershme politike që mbretëronte në Kosovë, siç ishin: Ardhja e Sllobodan Millosheviqit në Fushë-Kosovë më 24 prill 1987, ku me fjalimin e tij nacionalizmi serb u legjitimua nga kreu më i lartë politik i Serbisë, pastaj fushata serbe kundër Fadil Hoxhës, organizimi i mitingjeve serbe, situata e tensionuar me provokime të llojllojshme në Kosovë, kinse shqiptarët po provokojnë serbët e shumë e shumë shkrime dhe lajme të njohura të asaj kohe. Thjesht, fushatës së Serbisë kundër Kosovës dhe çdo gjëje që lidhej me shqiptarët nuk po i shihej fundi. Të gjitha këto lajme, shkrime dhe veprime të Jugosllavisë së atëhershme kishin krijuar një situatë të urrejtjes së vazhdueshme ndaj shqiptarëve. Andaj kjo gjë reflektohej edhe në mesin e shqiptarëve ku shërbenin në ushtrinë jugosllave, ku në shumë raste kanë qenë rëndë të ofenduar në aspektin kombëtar, që ndonjëherë eskalonte deri në përleshje fizike. “Pra, si ushtarë shqiptarë shpeshherë mblidheshim dhe diskutonim këto gjëra, ku më i zëshmi ishte Aziz Kelmendi dhe e dëgjonim me vëmendje. Të gjitha këto diskutime në mënyrë spontane kanë ndodhur në fushën e sportit dhe në korridoret e pavijonit”, tregon Afrim Mehmeti.
Të gjitha këto takime e ndeja më vonë u përdorën nga hetuesit ushtarakë për montim të procesit të Paraqinit, si “takime për koordinim të veprimeve për vrasje me motive armiqësore kundër Jugosllavisë”. Zakonisht, këto takime ishin të rralla sepse shumë nga ushtarët ishin të nxënë me detyra të zakonshme ditore. Kjo karakteristikë apo natyrë e tubimit të ushtarëve shqiptarë në çaste të caktuar ka qenë e natyrshme kudo në Ushtrinë Jugosllave.

Për hakmarrje, paraburgosën të gjithë ushtarët shqiptarë që shërbenin në Kazermën e Paraqinit

Fill pas rastit të Paraqinit kishte nisur transferimi për gjithë personelin e kazermës, me arsyetimin se ka pësuar trauma. Më 7 shtator 1987 ushtarët shqiptarë i marrin me një autobus nga Garnizoni “Branko Krsmanoviq” dhe i transferojnë në Kazermën Ushtarake “Stefan Singjeliq” në Nish, nga aty më pastaj i transferojnë në kazerma të tjera të Serbisë. Në shenjë hakmarrje nga data 13-23 shtator 1987, policia ushtarake pa asnjë faj kishte paraburgosur gjashtë ushtarë shqiptarë, një boshnjak-mysliman dhe një rom që shërbenin në Kazermën e Paraqinit:

  1. Rizah Xhakli (1967) nga Ferizaj, i paraburgosur më 19.9.1987
  2. Abdylxhemil Alimani (1968) nga Bogovina-Tetovë, i paraburgosur më 19.9.1987
  3. Afrim Mehmeti (1968) nga Firaja (Shtërpcë), i paraburgosur më 14.9.1987
  4. Pajazit Aliu (1966) nga Pakashtica e Epërme (Podujevë), i paraburgosur më 13.9.1987
  5. Shefqet Paçarizi (1965) nga Dragobili (Malishevë), i paraburgosur më 14.9.1987
  6. Enver Behluli (1967) nga Dobri Do (Gostivar)i paraburgosur më 19.9.1987
  7. Rizo Alibashiq (1967) nga Babiqi i Graçanicës (BiH) i paraburgosur më 23. 9. 1987
  8. Islam Mahmuti (1967) nga Gjakova (rom), i paraburgosur më 19.9.1987

Në stilin o tash o kurrë, inteligjenca e KOS-it kishte nisur një dramë të jashtëzakonshme duke përdorur ushtarët shqiptarë si kurban për ta kurdisur Procesin e Paraqinit. Për këtë duhej të bëhej arrestimi i të gjithë ushtarëve shqiptarë të Kazermës së Paraqinit, përpos atyre që fatbardhësisht nuk ishin atë natë brenda kazermës. Disa prej tyre arrestohen mu në ditën kur duhej ta përfundonin shërbimin ushtarak njëvjeçar. Brenda dhjetë dite dikush më herët e dikush më vonë u burgosën tetë ushtarë të rinj, të cilët as vetë nuk e dinin pse po arrestoheshin. Të gjithë i dërguan nëpër qelitë skëterrë të Burgut Ushtarak të Nishit, ku vinte vetëm erë vdekje. Faji i vetëm i tyre ishte vetëm pse ata janë shqiptarë. Burgosja e tyre do të mbetet fund e krye një turp i madh i krerëve të KOS-it jugosllavë, të cilët gjatë hetimeve me muaj të tërë duke përdorur dajakun bën sajimin e akuzave me metoda të tmerrshme të dhunës të ushtruar ndaj rekrutëve të rinj shqiptarë. Në burgun hetues të Nishit, gardianët me sy gjarpërinjsh dhe drejtori i tyre, Stanko me shpirt krimineli, ushtronin dhunë e terror si xhelat ndaj shqiptarëve të përvuajtur saqë është e pakapshme për trurin dhe mendjen e shëndoshë të njeriut se si ka mundësi që njeriu-njeriut t’i shkaktojë kaq shumë dhimbje e vuajtje shpirtërore. Gjatë netëve të gjata pa gjumë dhe ditëve skëterrë me muaj të tërë, të akuzuarit e pafajshëm shqiptarë nuk kanë ditur se çka të deklaronin për diçka që nuk ishte bërë nga ta, por për të mbetur gjallë ata është dashur të sajonin e trillonin duke dhënë deklarata të rrejshme ashtu siç kërkonin inspektorët e sigurimit ushtarak. Vërtet për këta tetë ushtarë të mbyllur nëpër qelitë e burgut pa ajër dhe dritë të mjaftueshëm ishte bërë tmerr e hata duke ju fyer atyre përditë dinjitetin njerëzor dhe të drejtat më elementare njerëzore. Çdo ditë janë rrahur me shkopinj gome, grushte, shqelma… me të vetmin qëllim që t’i thyenin shpirtërisht dhe të pranonin akuza të rreme dhe të akuzonin vetveten dhe të tjerët me të pavërteta.

No description available.

Rrëfimi i dëshmitarëve për ngjarjen e Paraqinit

Si ndodhi ngjarja e papritur në natën e 3 shtatorit 1987, tregon dëshmitari i rastit në fjalë, ish-rekruti Rizah Xhaklinga Ferizaj: Kam dëgjuar të shtëna të ndërprera të automatikut por më është dukur që jam në ëndërr dhe pas pak është hapur dera e dhomës tonë ku flinim. Është ndezur drita dhe një nga ushtarët e dhomës ka bërtitur “Uzbuna” (Alarm)! U zgjova dhe filloi rafali edhe te ne. Unë fytyrën e personit që ka shtënë nuk e kam parë sepse kam qenë duke fjetur në skaj të dhomës. Dera ka qenë në mes, kurse shtretërit ishin dykatësh. Unë kam fjetur, në katin e dytë të shtratit, kurse nën shtratin tim ka fjetur Islam Mahmuti. Gjatë të shtënave, unë dhe Islami jemi futur nën shtratin tonë, kur pas një intervali shumë të shkurtër kohor, nën shtratin tonë ka ardhur rrëshqitazi ushtari Nikola Vidoviq, që ka qenë prej rrethit të Novi Sadit. Ndodhën krismat, britmat, qarjet… Nuk e dija njëherë çka u bë? Mendova se po japin alarm me të shtëna, i pashë gëzhojat që nuk ishin të municionit shkollor. Gjithashtu të shtrirë e pashë ushtarin Hasim Gjananoviq, i cili vdiq pas pak kohe. I plagosur në këmbë kishte mbetur, Huso Kovaçeviq, të cilin e pyeta: “Çka u bë?”. “Ai vendasi yt shtiu”, përgjigjet Kovaçeviq. E pyes tjetrin, të njëjtën përgjigja mora: “Ai vendasi yt”. Në dhomën time të plagosur ishin edhe rekrutët: Andrej Presheren dhe Petar Gjekiq. Në rrethanat e krijuara prej frike nga dritarja ka kërcyer ushtari Nazif Axhoviq, shqiptar nga Tuzi i Malit të Zi, i cili asnjëherë nuk fliste në gjuhën amtare dhe prezantohej si mysliman. Në momentin e parë kam dalë në korridor. Aty kishin dalë edhe ushtarët tjerë, të cilët qanin e britnin. Ishte diçka e papritur! Ushtarët shqiptarë ishin të shqetësuar por asnjë nuk qante. Në dukje ndjeheshin të frikësuar kur morën vesh se çka u bë dhe kush e bëri? Tash mendonin çka do të bëhet me ne sepse kishin parandjenjë të keqe. Kam shkuar në dhomën tjetër ku flinin Shefqet Paçarizi dhe Pajazit Aliu. Aty pashë tre ushtarë të vdekur. Në anën e djathtë të dhomës ka qenë Safet Dudakoviq nga Bosnjë-Hercegovina, përballë derës Srgjan Simiq nga Serbia dhe në anën e majtë Goran Begiq nga Kroacia. Në këtë dhomë kishin mbetur të plagosur Ante Jazhiq dhe Nexhid Mehmedoviq. Ndërkohë në pavijon ka ardhur Alibashiqi i frikësuar dhe ka shpjeguar duke quajtur se si kishte shkuar Azizi te tenda e tij duke ju kërcënuar me armë dhe ia kishte marrë municionin.
No description available.

Dikur filloi veç të zdritet dhe nisën të vijnë eprorë e policë ushtarakë nga anë të ndryshme. Neve na dërguan në dhoma të mësimit, ku në mbrëmje zakonisht shkonim ndonjëherë për të këqyrë televizorin. Kah ora 8:00 një ushtar po thotë se po të thërret oficeri. “Hajde me shkuar me marrë ushqimin” më thotë oficeri në fjalë. Unë, oficeri dhe një ushtar i kuzhinës u nisëm për në Çupri. Gjatë gjithë rrugëtimit tonë ka pasur kontrollime të hatashme nga policia ushtarake dhe civile. Ishte hera e parë dhe e fundit që unë dola nga Kazerma sepse me atë ditë që unë e mora mëngjesin kur u ktheva mi morën çelësat. Madje kur kemi hyrë në kazermë, na kanë bastisur edhe pse kamioni ishte me tabela ushtarake. E morëm ushqimin bashkë me oficerin, i cili rrallë herë vinte me mua, kurse për ta shpërndarë atë në dy vendet e rojës nuk vinte asnjëherë. Mirëpo, atë ditë erdh së bashku me mua. Ndërkaq, kur erdh koha e drekës për të shkuar me marrë sërish ushqimin, po më thërret oficeri dhe më thotë: “Mi jep çelësat. Ia dhashë dhe kurrë më nuk më dhanë kamionin për të vozitur.

Dikund pas dreke, kufomat e ushtarëve të vrarë i futnin në një kamion ushtarak “Dajc” për t’i dërguar në Spitalin Ushtarak të Nishit për obduksion. Po e shoh një kufomë, të cilën refuzonin ta bartin ushtarët serbë dhe të nacionaliteteve tjera. Unë nuk e dija njëherë se ishte trupi i pajetë i të ndjerit, Aziz. Me këtë rast, e kuptova se për kënd bëhet fjalë. Jam afruar dhe e kam kap lesën te koka duke e ngritur për ta ngarkuar në kamion. Trupi i të ndjerit ishte i mbuluar me çarçaf të bardhë dhe e pashë një pjesë të trurit të kacavjerrtë mbi çarçaf.

No description available.

Atë ditë ka nisur marrja në pyetje për të gjithë ushtarët e kazermës tonë. Realisht pyetjet ishin të rëndomta: “Ku keni qenë, çka ka ndodhë, çka keni parë…?” Pra, gjithçka bëhej në mënyrë të mirë e të çetë. Gjatë kësaj dite, erdhi një kapiten shqiptar që quhej Xhavit Teneqja nga ana e Kaçanikut. Edhe ky nisi të më merr në pyetje! Filloi të më provokoj, maltretoi por jo fizikisht. Më bënte fyerje të ndryshme, unë rrija gatitu, ai qëndronte ulur dhe më thoshte: “Mos e shiqo Titon se me pas dashur ju Titon nuk e kishi bërë këtë. Pse e keni bërë këtë, s’keni lexuar historinë jugosllave por keni mësuar për Naim Frashërin – “Bagëti e Bujqësinë”! Çka ju kanë nevojitur ato gjëra?”. Kështu na bënin maltretime të tilla që nuk ka pasur nevojë të bëhen fare por ky i bënte, bashkë me oficerët e tjerë jugosllavë, tregon ndër të tjera Rizah Xhakli.

No description available.

Abdylxhemil Alimani nga fshati Bogovinë i Tetovës tregon se natën kritike, më 3 shtator të vitit 1987, kam qenë në vend rojën numër 1 prej orës 2:00 – 4:00 të mëngjesit, ndërkaq në vend rojën numër 2 ishte Shemsudin Selimoviq. Dikund pas orës 2:00 të natës, Aziz Kelmendi kishte ardhur i paarmatosur te mësonjëtorja dhe kishte hyrë nga dera brenda. Kur më pa se jam në rojë, doli nga dritarja. Po e pyes: “Çka po lypë në dhomën e mësimit? Azizi u përgjigj: “Jam sonte kujdestar dhe dola me marrë diçka për të lexuar por nuk gjeta asgjë”. Ai u kthye në kazermë pa e zgjatur më shumë. Ndërkohë, të shtënat ndodhën në ora 3 e 5 minuta, kështu rastisi që në atë kohë unë të gjendem në rojën e kazermës. Unë e kam pas vështirë t’i vërej lëvizjet te kazerma gjatë natës, pasi kam qenë në rojë dhe kam qenë i kufizuar në lëvizje. Vendi i ngjarjes ka qenë larg rreth 200 metra nga vendi im i rojës, ku kam mundur të dëgjoj vetëm krismat. Kur dëgjova rafalët, kam tentuar që përmes telefonave ushtarakë të vë lidhje me komandantin e rojës, dhjetarin Rizo Alibashiq, por pa sukses.

Afrim Mehmeti tregon për natën kritike të 2 shtatorit të vitit 1987

Pas një ore i njëjti komandant, Alibashiq, erdhi me vonesë dhe më informoi për vrasjet në kazermë të cilën e kishte bërë Aziz Kelmendi. Edhe pse më kishte kaluar afati i rojës aty, të përforcuar edhe me një ushtar, më lanë deri në mëngjes. Kah ora 6:00 e mëngjesit, kur shkova në kazermë, sërish më caktuan që të bëja rojë në dhomat ku paraprakisht ishin vrarë ushtarët. Aty pashë kufomat, pashë gjakun, pashë krevatet të cilët ishin të shpartalluar, pashë krevatin tim mbi të cilin ishte gjuajtur mirëpo, për fat, unë nuk kam qenë aty. Menjëherë pas kryerjes së rojës filluan të më marrin në pyetje. Edhe kryenim detyrat ushtarake edhe na merrnin në pyetje. Pyetjet ishin sistematike dhe në pyetje i merrnin të gjithë ushtarët. Në pyetje fillimisht nuk “dyshonin në lidhshmërinë tonë”, por pyesnin gjithçka: Çfarë kemi parë, çfarë kemi dëgjuar…

Afrim Mehmeti nga Firaja e Shtërpcës më 13 maj të vitit 1997 ka përfunduar vuajtjen e dënimit dhe është liruar nga Burgu i Nishit. Ai përndryshe ishte në një dhomë me Aziz Kelmendin dhe për natën kritike tregon: “Në mbrëmjen e 2 shtatorit të vitit 1987, rreth orës 21:30, në korridorin e pavijonit apo katit të parë të pavijonit, në tavolinën ku bëhej kujdestaria, unë bashkë me Aziz Kelmendin, Enver Behlulin… qëndruam për një periudhë të shkurtër, deri sa bëheshim gati për të fjetur. Këto ndeja të rastit bëheshin shpesh nga ushtarët shqiptarë duke diskutuar shpesh, temat aktuale të asaj kohe. Ajo që më kujtohet është se së bashku me Azizin kemi hy në të njëjtën dhomë për të bërë gjumin dhe mbajë në mend se dikush Azizit i ka thënë se sonte je në shërbim të kujdestarisë dhe Azizi ka bërë një reagim për këtë caktim të tij në këtë shërbim, por jo ndonjë reagim kategorik, vetëm duke i thënë pse më keni caktuar në shërbim të kujdestarisë. Sipas praktikave, caktimi në detyrë bëhej për çdo ditë në rreshtimin e mëngjesit, por ka pas raste të ndryshimeve edhe në rastet e më hershme për shkak të problemeve shëndetësore që u ndodhnin ushtarëve gjatë ngarkim-shkarkimit të municionit. Ka qenë një punë shumë e rëndë, të gjitha llojet e peshave të municionit bëheshin me krah, nuk ka pas mekanizëm.

Pas mesnatës, më 3 shtator 1987, rreth orës tre të mëngjesit isha në shtratin e gjumit dhe për një çast ma nxorën gjumin disa krisma nga thyerjet e xhamave të dritareve. Njëkohësisht kisha dëgjuar edhe krismat e pushkës. Gjithçka më dukej sikur jam në ëndërr. Për një moment apo instinktivisht kam marrë një pozicion të shtrirjes nën shtrat për t’u mbrojtur. Këtë veprim e kam bërë, se kisha një ndjenjë se po sulmohemi nga ana e dritareve. Ka qenë pothuajse një minutë kohë kur unë kam dëgjuar zhurmën e ushtarëve në pavijon dhe kam dalë në korridor. Porsa hapa derën, në krye të shkallëve, të cilat ishin shumë afër dhomës së gjumit ku kishim fjetur unë dhe Azizi, kam parë disa ushtarë duke lëvizur vërdallë. Pothuajse të gjithë ishin të çorientuar. Menjëherë më ra në sy një ushtar mysliman-boshnjak, Nexhid Mehmedoviq, i plagosur rëndë në njërën këmbë. Ishte ulur duke ulëritur për dhimbjet që kishte. M’u drejtua me disa fjalë, po as sot nuk kam mbajtur në mend çfarë më tha. Për një moment e kuptova se kishte diçka kundër meje dhe u bëra sikur nuk e kuptova. Në ato çaste një ushtar maqedonas, Zvonko Zatkovski, me të cilin deri në ato çaste kishim raporte të mira, m’u drejtua: “Ai vendasi (zemljaku) yt Azizi ka vrarë shumë ushtarë dhe ka ikur. Dhe po ta nxëmë kemi me gozhduar në mur!” Unë vetëm dëgjoja dhe për të gjithë shqiptarët ishte një moment i trishtueshëm nga frika e ndonjë hakmarrje. Secili na shikonte me një gjuhë tjetër të urrejtjes. Mbaj në mend se kur takoja secilin ushtar shqiptar, i thoshim njëri-tjetrit se tani e tutje mund ta kemi vështirë dhe mendonim veç për mbrojtje. Në ato çaste e gjithë kazerma ishte në alarm apo, më mirë të thuhet, në një situatë të veprimeve të çrregullta. Alarmi ishte se Azizi është i armatosur dhe mund të ketë sulme të tjera.

Të jemi realë, të gjithë ne shqiptarët që komunikonim në mes vete i thoshim njëri-tjetrit, shpresojmë që Azizin të mos e zënë të gjallë. Kjo përshtypje ishte për shkak se në sytë e secilit ushtar joshqiptar u kuptua, se jo vetëm Azizi, por të gjithë ne mund të pësonim në të njëjtën mënyrë të vrasjes apo ekzekutimit. Të kuptohemi, në kazermë mbretëronte një situatë e rëndë dhe e nderë.

Për një kohë të shkurtër në kazermë kanë arritur shumë eprorë ushtarakë. Nga të parët që më ka takuar ka qenë një oficer (nuk mbaj në mend emrin) se nuk ishte oficer i njësisë time dhe e kam kuptuar se, përveç shërbimit të zakonshëm, kishte qenë edhe në shërbim informativ ushtarak.

Këtë e kuptova pasi ai filloi të më marrë menjëherë në pyetje. Pyetjet ishin kryesisht të natyrës së shoqërimit tim me Azizin. Pastaj më urdhëroi të futem në dhomën e gjumit, ku m’i dha disa letra të shkruara të Azizit. Letra që Azizi kishte pasur nga shoqëria dhe familja. Pasi përktheva dy apo tri letra në gjuhën serbe, pas një ore më tha të ndërprisja. Për një moment erdhi lajmi se Azizi ishte vrarë apo vetëvrarë, qarkullonin të dy variantet. Këto informata qarkullonin nga ushtarët e pranishëm por, jozyrtarisht. Për një kohë shumë të shkurtër u përhap lajmi se në kazermë gjenden edhe prindërit e Azizit, nëna Salë dhe axha Sadik. Unë nuk besoja për një moment, por që kishte qenë e vërtetë, sepse i pashë edhe vetë. Se si ka shkuar puna me prindërit e Azizit nuk kam qenë më në ngjarje. Sepse shumë nga oficerët më merrnin në pyetje dhe nuk e kam parë më ngjarjen se si zhvillohej. Por për një moment kur isha duke u marrë në pyetje, hyri brenda zyrës një oficer dhe po i thotë  na duhet Afrimi që ta identifikojë Azizin. Edhe pse më vonë e kuptova se po të njëjtën gjë e kishin bërë edhe me prindërit e Azizit. Por edhe unë shkova, me mua erdhën edhe tre oficerë që unë nuk i njihja. Nuk ishin oficerë të kazermës që ne kishim shërbyer. E shpalosën të ndjerin. Unë e identifikova menjëherë se ishte vetë Azizi. Më kujtohet se derisa e pashë Azizin, të gjithë këta oficerë ishin duke më shikuar mua. Unë pohova se është Azizi. Njëri nga oficerët më është drejtuar: “Si po e njeh kaq shpejt? Ndërhyri njëri nga ata duke i thanë: ‘Se ky është shoku i ngushtë i tij’. U larguam pa bërë zë, në drejtim të të njëjtës zyrë që isha duke u pyetur për rastin.

Pajazit Aliu nga Pakashtica e Epërme e Podujevës: Në orën 3 e 05 minuta, në dhomën ku isha duke fjetur në gjumë të thellë, janë dëgjuar krismat e automatikut, të cilat më zgjuan nga gjumi. Porsa hapa sytë, më shkuan kah dera e dhomës. I përgjumur vërejta një figurë të njeriut që gjuante nëpër ushtarë. Atëherë kam dëgjuar britma të ushtarëve të tmerruar. Në ato çaste, të plagosur për vdekje kam parë Safet Dudakoviqin, shtrirë në krevat dhe e kam dëgjuar kur ka thënë:“Bëhet mirë” (Biće bolje). Po në atë moment kam vërejtur Srgjan Simiqin që ishte i shtrirë ndërmjet shtretërve dhe kokën e kishte të mbështetur për ormani (kasetë). Jam nis prej derës e drejt te Goran Begiqi dhe e pashë se edhe ky ishte i vdekur. Të gjithë ushtarët ishin në këmbë duke bërtitur ndihmë. Në ato çaste jam kthyer drejt shtratit tim dhe i kam thanë Shefqet Paçarizit të m’i japë teshat nga ormani t’i vesh se ai ishte duke u veshur. M’i gjuajti teshat e mia mbi krevat. Jam veshur dhe jam nisur me Shefqetin në drejtim të derës së dhomës. E kam vërejtur të plagosur Ante Jazhiqin që përpiqeshin ta shtrinin në krevat. Në dhomën tonë ishte plagosur edhe Nexhid  Mehmedoviq. Unë nga dhoma numër 42 kam dalë në korridor duke mos ditur se çfarë ka ndodhur në dhomën numër 41. Porsa dola në korridor nuk gjeta askënd. Jam kthyer sërish në dhomë dhe u kam thënë të pranishmëve se në korridor nuk ishte askush. Menjëherë ushtarët kanë filluar të dalin nga dhoma. Atëherë u njoftuam se ka të vrarë dhe të plagosur edhe në dhomën tjetër. Kam hyrë në dhomën tjetër dhe kam vërejtur se është i vrarë Hasim Gjananoviq dhe tre të tjerë ishin të plagosur: Huso Kovaçeviq, Andrej Presheren dhe Petar Gjekiq, kurse nga dritarja e dhomës kishte kërcyer Nazif Axhoviq, shqiptar nga Mali i Zi.

Ndërkohë i kanë marrë të plagosurit me autoambulancë për t’i dërguar në Spitalin Ushtarak të Nishit. Më vonë na kanë thënë të gjithë ushtarët të bëhen rresht dhe drejt nga pavijoni të shkojnë nëpër klasë. Dolën të gjithë dhe secili hynte në klasat e veta. Në orën 8:00 erdhi lajmi se Aziz Kelmendi ka bërë vetëvrasje. Diku rreth orës 10:00 një helikopter ka aterruar në fushë të sportit në Paraqin. Thuhej se atë ditë nga Beogradi ka ardhur sekretari federativ i Mbrojtjes Popullore, admiral i flotës Branko Mamulla. Rreth orës 12:00 na kanë ftuar të gjithë ushtarëve të shkruajmë nga një deklaratë. Porsa i dorëzuam në zyrë deklaratat, ishte koha e drekës. Pas pak kohe një ushtar më tha, eja se po të thërrasin në raport. Shkova, eprori i sigurimit shtetëror kishte qenë duke më pritur në korridor. Kur hyra me të në zyrë, aty kishin qenë edhe dy eprorë të tjerë, të cilët nuk i njihja. Po më pyesin se çfarë kam shkruar? Fillova të përsëritja me gojë atë çfarë kisha shkruar më parë. Më pas më pyetën: Çfarë ushtari ka qenë Azizi? Ju them: Si çdo ushtar tjetër. Dil jashtë, më thanë. Dola në korridor. Aty kishin qenë Shefqet Paçarizi dhe Afrim Mehmeti, të cilët më thanë të kam kujdes se çfarë po flas. Ndërkaq, pas darke kemi shkuar të gjithë së bashku për t’i dëgjuar lajmet. Shkuam dhe u kthyem, por askush nuk fliste. Atë natë na dërguan të flemë në dy dhoma të tjera. Mua më kishin mbetur edhe dhjetë ditë për ta kryer shërbimin ushtarak. Më 7. 9. 1987 i kanë transferuar të gjithë ushtarët e Paraqinit në kazerma të ndryshme të Jugosllavisë, ku mua më dërguan në Kazermën Ushtarake të Nishit.

Pikërisht në ditën që duhej të udhëtonte për në shtëpi, Pajazit Aliu më 13 shtator të vitit 1987 ishte paraburgosur nga policia ushtarake dhe dërguar në hetuesinë kriminale të Burgut Ushtarak të Nishit. Më 28 janar 1988 Pajaziti në shkallën e parë të Gjyqit Ushtarak të Nishit është dënuar me 10 vjet heqje lirie, kurse më 20 prill 1988 shkalla e dytë e Gjykatës Supreme Ushtarake në Beograd ia ngriti dënimin në 13 vjet burg. Më 24 maj të vitit 1997 ka përfunduar dënimin dhe është liruar nga Burgu i Nishit.

Isuf Ponik nga Prizreni: Natën kritike kam qenë duke fjetur rreth tri kilometra larg Kazermës Ushtarake të Paraqinit, në vendin e quajtur “Karadjordjevo Brdo”. Atje ishim në vendroje të depove të municionit dhe armatimit. Me mua ishin edhe dy shqiptarë: Sejfullah Selimoviq, me detyrë udhëheqës i qenve dhe Feti Zuka që bënte rojë si unë. Pas të shtënave brenda Kazermës “Branko Krsmanoviq” që kishin ndodhur, tek ne kanë dhënë menjëherë alarm duke na vënë të gjithëve në gjendje gatishmërie. Na kanë treguar që Aziz Kelmendi ka sulmuar Kazermën dhe është i armatosur. Mua ma kanë dërguar në vendrojën numër 1. Rreth orës 3 e 40 minuta kam dëgjuar një të shtënë, por nuk e kam ditur se kush ka gjuajtur. Më vonë u kuptua se kjo e shtënë ka qenë nga Aziz Kelmendi, për të cilin thuhej se ka bërë vetëvrasje.

Pas tri-katër dite të “Rastit Paraqini” më kanë transferuar në një kazermë të vogël ushtarake në Nish, ku ushtarët e saj merreshin kryesisht me çështje mjekësore. Atje gjatë shërbimit tim katërmujor më kanë marrë në pyetje vazhdimisht inspektorët e sigurimit ushtarak. Kanë bërë presion të madh psikik në mënyra të ndryshme duke kërkuar nga unë të pranoj se kam ndihmuar Aziz Kelmendin.

Deklarata e dëshmitarit kyç lidhur me “Rastin Paraqini”

Meqenëse dëshmitari kryesor i ngjarjes së Paraqinit ishte dhjetari Rizo Alibashiq nga Bosnja dhe Hercegovina, Haviz Xhakli, xhaxhai i Rizahut kishte vënë kontakt telefonik me këtë dëshmitar kyç të “Rastit të Paraqinit”, i cili në atë kohë kishte përfunduar vuajtjen e dënimit. Atë e kishte lutur që ta bënte një deklaratë pa asnjë ndikim në lidhje me ngjarjen e vërtetë të Paraqinit dhe ky dokument shumë i rëndësishëm ishte vërtetuar edhe në Gjykatën Komunale të Graçanicës në Bosnjë-Hercegovinë. Deklaratën në fjalë Hafiz Xhakli e kishte marrë përmes postës, më 28.04.1998. Duke ditur se historia për “Rastin e Paraqinit” për shumëkënd deri më sot ka qenë kontradiktore për të mësuar më shumë rreth të vërtetës së kësaj ngjarje historike, lexuesi ka mundësi ta ketë në dispozicion këtë dokument origjinal të përkthyer në gjuhën shqipe:

DEKLARATË

Unë, Rizo Alibashiq, djali i Avdiut, lindur I0. 05. 1967 në Babiq, komuna e Graçanicës, Bosnjë dhe Hercegovinë, ku edhe jetoj, në “procesin e Paraqinit”, si i akuzuari i shtatë, i dënuar me kohëzgjatje 14 vjet burg, pa prova faktike të vërtetuara plotësisht (materiale të pavërtetuara dhe të pabazuara), vullnetarisht, pa detyrim dhe pa ndikim deklaroj:

Si ushtar-dhjetar, pasi përfundova trajnimin tim, u transferova nga Zajeçari në Paraqin në PU 5513, nga ku u transferova më 18 shtator 1987 në Nish, në policinë ushtarake, ku isha deri në arrestim më 23 shtator 1987.

Në PU 5313 kam kryer detyrat e kujdestarit të kompanisë dhe komandantit të rojës. Ushtarin Aziz Kelmendin nuk e kam njohur (ka qenë në njësinë tjetër) deri në ditën kur u përlesh me ushtarin Safet Dudakoviq në kuzhinë nga kur ushtari Dudakoviq shpesh provokon ushtarin Kelmendi në prani të ushtarëve të tjerë që përkrahnin Dudakoviqin e ku Kelmendi as Dudakoviqit dhe as ushtarëve të tjerë nuk u jepte asnjë arsye për provokim. Për më tepër, ushtari Kelmendi shmangte Dudakoviqin dhe nuk i përgjigjej provokimeve të tij.

Më 30 gusht 1987, si kujdestar kompanie, ushtari Miodrag Vukoviq, në prani të disa ushtarëve më njoftoi se ushtari Kelmendi i kishte vjedhur portofolin që ishte në bluzën e tij të cilën e kishte hequr dhe e kishte vënë pranë fushës sepse po luante basketboll. Unë e informova oficerin kujdestar për këtë, kështu që pas një kohe ushtarët më thirrën dhe më thanë se e kishin gjetur një portofol në dhomën ku flinte ushtari Vukoviq edhe atë nën dyshekët e paluar në një shtrat ku askush nuk flinte. Portofolin e kam marrë dhe e kam dërguar te oficeri kujdestar, i cili telefonoi Vukoviqin dhe Vukoviq vërtetoi se nuk i mungonte asgjë nga portofoli i tij.

Atë mbrëmje, rreth orës 20:00, në kohë kur oficeri kujdestar po verifikonte numrin e ushtarëve, filloi një grindje e pastaj një rrahje mes ushtarit Kelmendi dhe Vukoviq, në të cilën u përfshinë edhe ushtarë të tjerë.

Së bashku, oficeri kujdestar dhe unë, kemi vendosur rregull duke përcjell ushtarët në dhomat e tyre. Pastaj, ndërmjet Kelmendit dhe Vukoviqit, dhe ushtarëve të tjerë, asgjë nuk ka ndodhur deri në natën fatale.

Në dosja gjyqësore ndodhen informatat në lidhje me atë që ndodhi natën fatale. Sidoqoftë unë deklaroj se nuk kishte asnjë marrëveshje midis meje dhe Rizah Xhaklit për dhënien e municionit Kelmendit. Ajo që në këtë drejtim gjatë procedurës kam pranuar është një “përpunim” i veçantë për të cilin isha i detyruar nga autoritetet hetuese. Ky “përpunim” u zhvillua nga sjellja kulturore me një kafe, pastaj me kërcënim dhe fyerje (nacionalist, irredentist, shovenist, etj.) se do të fajësohem si aktori kryesor e deri te maltretimi fizik (policia ushtarake vazhdimisht më rrahte pa ndonjë arsye, në izolim) pasojat e të cilës rrahje edhe sot i ndiej.

Kjo sjellje më theu-dërmoi, kështu që pas pranimeve dhe mohimeve të përsëritura përfundimisht kam pranuar atë që u duhej autoriteteve hetuese.

Gjithashtu, dua të përmend se Rizah Xhakli ishte një ushtar shembullor që dëshironte të kryente shërbimin ushtarak me nder dhe sinqeritet dhe asnjëherë nuk ka qenë i ftuar për të dhënë përgjegjësi dhe nga sjellja e tij ai fitoi admirues të tjerë të të gjitha nacionaliteteve dhe kurrë nuk ka treguar urrejtje ndaj ushtarëve të tjerë siç përshkruhen nga autoritetet në procedurat gjyqësore.

Dhe në fund vërtetoj se ushtari Aziz Kelmendi, veprën që ka kryer, nuk e bëri me motive nacionaliste, siç thuhet në aktgjykim, por nën ndikimin e një ngarkese psikike negative, të cilën e shkaktuan të tjerët duke e provokuar dhe ngacmuar vazhdimisht.

Në Graçanicë, më 27.04.1998

Deklaratën e dha: Rizo Alibashiq

Paraburgimi i gjashtë shqiptarëve, një romi dhe një myslimani-boshnjak

Pasi arritën të dalin të gjallë nga burgu të përvuajturit nga prangat e sistemit jugosllav janë munduar të dëshmojnë për ferrin e papërshkrueshëm, në të cilin kanë kaluar nëpër qelitë e përgjakura të burgut famëkeq të Nishit.

Rizah Xhakli: Më 7 shtator 1987 në Paraqin na mblodhën të gjithë ushtarëve shqiptarë. Pastaj, na futën në një autobus dhe na kanë dërguar në Nish. Atje na kanë shpërndarë nëpër kazerma të ndryshme. Mua më dërguan në një çetë, në Kazermën Ushtarake “Stefan Singjeliq” dhe sa herë që kishin nevojë për mua më ftonin te zyrat e oficerëve. Siç dihet mirëfilli, dita i ka 24 orë dhe mua mund të them lirisht prej datës 7 deri më 19 shtator 1987 më kanë marrë në pyetje 20 orë në ditë. Shpeshherë bukën ma sillnin në zyrë të tyre. Për këto dhjetë ditë nuk kam pasur asnjë maltretim fizik, por psikik kam pasur shumë. Aty afër ka qenë edhe burgu i vogël ushtarak, i cili ka pasur vetëm nëntë çeli. Një çeli ka qenë më e madhe, kurse tetë të tjera kanë qenë me nga një shtrat.

Më 19 shtator 1987 aty po i shoh disa oficerë të tjerë dhe policinë ushtarake. E mora me mend se do të më arrestojnë. Një oficer ma kumtoi arrestimin me zë të lartë duke më thënë: “Ngritu në këmbë, duart pas, kokën poshtë!” M’i lidhën duart, më shtynë dhe më futën në automjetin e tyre. Më kanë dërguar direkt te gjykatësi hetues, i cili ishte Marinko Radenkoviq, me gradë ushtarake kapiten i klasës së parë. Ka qenë pak para përfundimit të punës, diku rreth orës 16:00 dhe deri në ora 22:00 kam qenë te gjyqtari hetues. Më pyeste, por s’kisha çka t’i them. Më tha: “Kemi bërë masakër atje, e këtu nuk flet”. Kur më dërguan për herë të parë te gjykatësi hetues, më pyeti se a dua mbrojtës. Nuk desha të pranoj, i thashë se nuk më duhet, sepse nuk jam fajtor. Gjykatësi më caktoi për mbrojtës zyrtar majorin Spaso Stojkovski nga Garnizoni i Kumanovës, i cili asnjëherë nuk e ka çelë gojën për të më mbrojtur nga akuzat. Më vonë, në fund të hetimeve më lejuan të kam mbrojtës civil avokatin Isa Mustafa nga Gjilani. Kah ora 22:00 më futën në qeli. Prej hetimeve e deri në fund të dhjetorit në pyetje më ka marrë inspektori ushtarak nënkolonel Ante Kojungjiq (kroat) dhe një procesmbajtës ka qenë me të. Pas katër-pesë dite që më dërguan në qelin nr. 4, në Burgun Ushtarak të Nishit, erdhi koloneli Aleksandar Vasiljeviq, një njeri civil me një fytyrë shumë të rreptë që asokohe unë nuk e njihja. Në qeli kemi pasur të drejtë t’i pimë vetëm 7 cigare brenda ditës. Ai, fillimisht më dha një cigare “Kent” të gjatë. Duke biseduar, më dha edhe një tjetër cigare. Kështu rrjedha e bisedës me të shkonte shumë qetë e mirë. Ai bisedonte vazhdimisht por nuk e dija se kush ishte ky njeri. Insistonte që unë të bashkëpunoj, të pranoj veprën me qëllim që të dënohem më pak. Nëse nuk bashkëpunoj ekziston mundësia t’i marrë 20 vjet burg, ekziston mundësia për të më pushkatuar por nëse pendohesh e gjëra të tilla mund të kaloj më lehtë. Unë nuk kam çka pendohem, i thashë troç këtij njeriu të panjohur që më vonë mora vesh se kishte qenë shefi i Shërbimit Kundër-Zbulim (Kontra-Obaveshtajna Sluzhba-KOS).

Filluan të më rrahin çdo ditë. Një ditë, një polic i cili quhej Zdravko Blazheviq nga Zagrebi më mbylli në WC dhe më tha se do të më rrahë çdo ditë deri sa të pranoj. Një ditë po ai më nxori në shëtitje dhe në fund të çdo rrethi më godiste me shufër gome duke thënë: “Këtë e ke nga Begiqi, këtë e ke nga Simiqi…” dhe ashtu për secilin ushtar të vrarë merrja nga një goditje…

Me vizitonin shpesh disa oficerë të lartë… më mbanin “fjalime”, më kërcënonin më thonin se jam duke ia hapur vetës varrin. Deri sa më kanë marrë në pyetje inspektorët nuk kam pranuar asgjë (s’kisha çka të pranoja)… pastaj erdhi një gjykatës tjetër hetues majori Milorad Vukosav. Më mundonte, më detyronte të qëndroja gatitu me fytyrë nga dera, që të mos shikoja fotografinë e Titos… Më pyeti se kë e kam në familje, kur i thashë, ai ndërhyri më fjalët “E mjera nëna jote, dhe ajo do të qajë tërë jetën për ty sikur qajnë nënat e ushtarëve të vrarë”. Një ditë tha se do të më ballafaqojë me shokët dhe me pyeti se a dua të më sjellë dhe do të më thonë “Rizah, ti e ke bërë këtë dhe duhesh të pendohesh”. M’i dha deklaratat e shokëve me nënshkrimet e tyre, të cilët kishin folur për mua, por nuk besova, mendova se donte të më detyrojë t’i akuzoj edhe unë ata. Kërkova të më ballafaqojnë me Shefqet Paçarizin. Me shpien në dhomë tjetër, por në vend të Shefqetit ma ndezën televizorin me videorekorder ku paraqitet Shefqeti, foli duke më akuzuar. Pastaj u paraqitën fytyrat e Afrimit, Pajaziti… por pa zë… Gjykatësi hetues më tha se do të m’i sjellë nënat e ushtarëve të vrarë që të më shohin sa i vrazhdë jam, do t’iu them, ja ku është vrasësi i më të dashurve tuaj, do të lidhim që të dukesh vrasës i vërtet do të shohim çka do të thonë ata.

No description available.

Foto: Rizah Xhakli në pavijonin VII, në Burgun e Pozharevcit, gjatë vitit 1996. Ai nga burgu ishte liruar më 14 mars 2001 pasi kishte kaluar 13 vjet e pesë muaj e 25 ditë.

Për gjashtë muaj ditë, hetimet kanë qenë të rënda sepse kemi qenë në moshë të re. Maltretime fizike ka pasur shumë të këqija. Po çka është më rëndësi atje të gjitha ato të rrahura që i kam marrë mund të them që 90 për qind e të tyre i kam pasur nga gardianët dhe drejtori i burgut por jo nga hetuesit. Kur vinte drejtori i burgut, i cili quhej Stanko, për shembull nëse s’pranoja diçka çka nuk ka qenë, mirëpo u tregoja vetëm realitetin që s’kemi pas asgjë me rastin e Paraqinit dhe nuk jam bashkëpjesëmarrës i saj. Ata (gardianët) menjëherë reagonin duke i thënë drejtorit: “Çka u bë tash, nuk po flet ky!”. Ai në prezencën e tyre, jo me të rrah me shufër por me grushta, shpulla e shqelma qysh kanë dashur ata. Bile një herë e di, zyrat kanë qenë afër burgut hetues, i ndante vetëm një hapësirë në mes dy objekteve. Një herë më ka goditur me shqelm prapa. Më ka qëlluar me këmbë në testise. Nga dhimbja e madhe, aty jam rrëzuar dhe kam humbur vetëdijen. Ndërkohë e kam parë vetën në qelinë time duke më hedhur ujë. Atëherë erdha në veti. Kështu ka ndodhur disa herë. Mandej, gardianët sa herë është hapur dera e qelisë na kanë rrahur. Kur është dashur me na rrahur më shumë, na ka rrahur drejtori me disa gardianë ose oficerë që nuk i njihja e jo ky i imi që e njihja. Ata kërkonin që unë të pranoj se jam marrë vesh me Rizo Alibashiqin që Aziz Kelmendit t’i jepen dy karikator municion. Të pranoj që kur ka ardhur Azizi pak para orës 3:00, të 3 shtatorit, më ka thirrur mua të parin dhe unë i kam thirr të tjerët ushtarë shqiptarë. Pastaj gjojase kemi dalë nga Kazerma dhe e kemi pritur Azizi deri sa e ka kryer aksionin. Dhe, në fund kinse jemi përshëndetur me të edhe më pastaj jemi kthyer në kazermë. Këto kanë qenë ato më tepër që kanë insistuar dhe që kanë qenë akuzat më të rënda për mua që më janë bërë. Rizo Alibashiqi disa ditë nuk ka pranuar, mandej ka pohuar ashtu siç ka kërkuar gjyqtari hetues. Gjithashtu, Islam Mahmuti bënte çka i thonin ata. Thoshte po Riza më ka thirrë mua, kemi dalë kështu…, Shefqet Paçarizi e Pajazit Aliu nga dhuna kishin pranuar çka kërkonte gjykatësi hetuesi por unë nuk e pranoja. Më kumtonin nenin, me të cilin unë akuzohem. Ishte neni 122, me të cilin fillimisht jemi akuzuar “për bashkim dhe veprimtari armiqësore” mirëpo pas një muaji është ndërruar aktakuza, ku e bënë: “Ndihmë në vrasje nga ndjenjat armiqësore kundër Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë”. Me atë nenë minimumi i dënimit ishte 10 vjet, maksimumi pushkatim. Atë kohë, deri në vitin 1991 ka ekzistuar dënimi me vdekje. Pra, ata nuk na tregonin për një aline që kishte qenë, të cilën e kam kuptuar pasi më kanë dënuar, ku thoshte: “Nuk bëhet ekzekutimi me vdekje nëse i pandehuri në moshën kur e ka kryer veprën ka qenë nën moshën 23-vjeçare”. Mua personalisht dhe Abdylxhemil Alimanin, të cilët kemi qenë dy të akuzuarit e parë, na ka shpëtuar vetëm mosha e re sepse përndryshe edhe pse kemi qenë të pafajshëm dhe të paorganizuar për t’i ndihmuar Azizit, qysh na kanë dënuar edhe e kemi mbajtur burgun, ne do të ishim të pushkatuar por fatbardhësisht ata e kanë respektuar Kushtetutën e tyre.

Bënin trysni të madhe për të pranuar dokrra. Dikur kah fundi nuk më merrnin në pyetje, ndërruan taktikën filluan të mos vijnë shpesh por vinin çdo tri katër ditë ose pesë ditë. Me thënë të drejtën nisi të më kaploi një frikë sepse ekzistonte gjithmonë ai kërcënimi me vdekje. Tashmë isha lodhur në shpirt, erdhën njëherë dhe ju thash a dini çka krejt çka thoni ju unë kam për të nënshkruar veç le të përfundon kjo punë. Edhe krejt çka kanë pasur i kam nënshkruar të gjitha dhe pas një jave është caktuar data e fillimit të gjykimit tonë”.

Abdylxhemil Alimani: “Pastaj pësoi transferimi i të gjithë ushtarëve nga kazerma, me arsyetimin se ushtarët janë të traumatizuar. Mua më transferuan në kazermën e Zajeçarit. Atje qëndrova tri ditë gjatë të cilave vazhdimisht më merrnin në pyetje. Edhe aty nuk munda të vërej se bëhet fjalë për një akuzë që do të më ngarkohet mua. Nga aty, pa më komunikuar arsyet, më transferuan në kazermën e Nishit. Edhe atje filluan të më marrin në pyetje. Nga ora 5 e mëngjesit deri në ora 24. Edhe pas mesnate. Mirëpo tash, në pyetjet që më bënin, më ngarkonin se së bashku me ushtarë tjerë shqiptarë të Paraqinit i kemi ndihmuar Azizit në vrasjen e ushtarëve, se kemi bërë veprimtari armiqësore kundër RSFJ-së, nga neni 114 dhe 136. Ende pa na marrë në pyetje gjykatësi hetues, inspektorët e sigurimit na i kishin caktuar edhe nenet. Edhe pse isha i lirë, unë tërë kohën e kaloja në zyrat e inspektorëve ushtarakë të sigurimit. Kjo zgjati gati 20 ditë, kur më 19 shtator 1987, të njëjtit inspektor që më sollën nga Zajeçari në Nish, më dërguan në Gjyqin Ushtarak në Nish ku gjykatësi hetues, kapiten i klasës të parë Marinko Radenkoviq më kumtoi lajmin se prej ditës së sotme jam i privuar nga liria dhe ngarkohem për veprimtari armiqësore kundër RSFJ-së.

Gjërat rridhnin ashtu si dëshironin ata të cilët gjithçka e kishin përgatitur. Fillimisht, na akuzonin vetëm për veprimtari armiqësore kundër RSFJ-së, duke mos na e veshur “ndihmën” dhënë Aziz Kelmendit. Gjatë hetuesisë dhe gjatë angazhimit të inspektorëve ushtarakë të cilët bënin “punë të palodhshme”, pas katër muajve na ndërruan aktakuzën, duke na akuzuar për “vrasje nga gjendja armiqësore kundër RSFJ-së dhe “ndihmës në vrasje”.

Atëherë filluan hetimet edhe më të rrepta, me marrje më të shpeshta në pyetje. Edhe pse ishim nën hetuesi, ku gjykatësi hetues na merrte në pyetje, këtij i ndihmonin edhe inspektorët, të cilët edhe më tej na merrnin në pyetje dhe na detyronin që ta pranojnë aktakuzën e hartuar nga ata. Madje edhe një kapiten shqiptar që quhej Xhavit Teneqja nga ana e Kaçanikut, gjatë hetuesisë më ka maltretuar në formë psikike. Gardianët dhe inspektorët e sigurimit ushtarak kanë përdorur edhe dhunën, na kanë torturuar psikikisht, na kanë fyer moralisht që të na detyrojnë ta pranojmë veprën e tyre. Duke mos e ndier veten fajtor nuk pranova që të më caktohet mbrojtës, as civil e as ushtarak. Natën e Vitit të Ri (31 dhjetor 1987) më ka ardhur në qeli ish-kreu i Shërbimit Kundër-Zbulim të Ushtrisë Jugosllave, koloneli Aleksandar Vasiljeviq, i cili më tha: “Me veprimet e tuaja e ke rënduar vetën tënde. Po të kishe pranuar veprën do ta kishe shumë më lehtë!” Nuk kisha çka të pranoj sepse në natën kritike askujt nuk i kisha ndihmuar asgjë.

Gjatë kohës së marrjes në pyetje nga ana e gjykatësit hetues deklarova se nuk dëshiroj mbrojtës, mirëpo familja e shqetësuar me rastin tim, autorizon Sava Kocarev-in, avokat nga Shkupi. Por, atij nuk iu mundësua të takohet me mua dhe nuk i është mundësuar ta shqyrtojë mirë lëndën, me arsyetim se “Rasi i Paraqinit” është fshehtësi ushtarake. Pas refuzimit të ankesës së tij, mua më caktojnë një mbrojtës ushtarak, Argir Grebernakov i cili më tepër kryente punën e prokurorit se sa të mbrojtësit. Vetëm sa nuk më mundonte fizikisht.

Vetëm falë shtypjes së mjeteve të informacionit në gjuhën sllovene që gjykimi të jetë i hapur, kreu ushtarak një javë para fillimit, u detyrua që të lejojë të na mbrojnë avokatë civilë, të cilët për aq pak kohë nuk kanë mundur ta rishqyrtojnë gjithë lëndën voluminoze dhe me shumë dëshmitarë të ushtruar që të flasin kundër nesh.

Rrëfimi i Afrim Mehmetit për rastin e Paraqinit

Afrim Mehmeti: Isha 18-vjeçar kur nisa shërbimin e rregullt ushtarak, të cilin e kisha përfunduar më 14 shtator 1987 dhe më lejuan t’i vesh rrobat civile. Mirëpo, sapo dola nga porta kryesore e kazermës u bë arrestimi im nga Policia Ushtarake. Policët më kanë përplasur për një muri të një shtëpie, afër po të njëjtës kazermë, ku veç kisha qëndruar dhjetë ditë. M’i lidhën duart dhe më mbajtën të shtrirë në tokë për njëzet deri tridhjetë minuta. Gjatë kësaj kohe disa qytetarë serbë kalonin afër meje. Më kujtohet që disa nga qytetarët kërkonin nëse këta kanë nevojë për t’i ndihmuar policët ushtarakë. Por një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi ata nuk pranonin dhe për një moment erdhi një automjet me sinjale të Policisë Ushtarake, në të cilin më futën dhe më dërguan në paraburgim, ku ndodhej Burgu Ushtarak i Nishit. Futja në këtë burg u pasua me një dhunë fizike nga shufrat, shqelmat derisa zhvishesha nga rrobat civile, rroba këto që i kisha veshur para një ore dhe vesha po të njëjtat rroba ushtarake që veç i kisha hequr para një ore. Dallimi ishte se këto rroba ushtarake tani ishin pa rrip dhe këpucët pa lidhëse. Më dërguan në qeli pothuajse zvarrë duke më fyer në të gjitha aspektet familjare dhe kombëtare, duke potencuar gjithnjë si ndihmës i Aziz Kelmendit në serbisht “Pomagaq Aziz Kelmendija”. Me një gjysmë vetëdije, pasi u futa në qeli, i dëgjova disa këshilla nga drejtori i burgut për rregullat shtëpiake. Realisht një arrestim të tillë e prisja, sepse që nga 2-3 shtatori më kishin marrë në pyetje, deri një ditë para se të më lironin, ashtu siç më liruan dhe pastaj më arrestuan. Por unë ndryshe nuk pata mundësi të veproja, veç t’i vesh rrobat civile, ta pranoj fletëlëshimin dhe të dorëzohem kur ata më dolën përpara.
Ishin dy oficerë që filluan të më merrnin në pyetje, njëri ishte me gradën major e tjetri nënkolonel që tash emrat e tyre nuk më kujtohen. Hetimet e tyre bëheshin duke më marrë në pyetje gjatë gjithë ditës, ndonjëherë deri në orët e vona të mesnatës. Këta oficerë nuk përdornin dhunë fizike, përveç insistimeve për të pranuar ndonjë rol timin, në ndihmë dhe vrasje bashkë me Azizin. Ishte ngarkesë e rëndë psikike të jesh me dikë duke insistuar për diçka që nuk e kishe bërë. Për atë rezistencën time që bëja kishte një metodë tjetër që ata e praktikonin. Thërrisnin drejtorin e burgut, që quhej Stanko dhe i thoshin merre e dërgoje në qeli sepse ky s’po bashkëpunon. Çfarë ndodhte më tutje? Porsa hyja në korridorin e qelive, të ofronin një kovë me ujë dhe një peshqir, që edhe sot e mbajë në mend se çfarë ngjyre dhe sa i madh ishte. Përkulesha në gjunjë dhe nga fillimi i korridorit filloja ta pastroja. Gjatë pastrimit, unë pozitën e kisha në gjunjë e në duar kisha peshqirin, me të cilin detyrohesha ta pastroja korridorin që ishte nga betonit i lustruar. Gjatë pastrimit një gardian më qëndronte prapa, kurse një tjetër para meje. Këtu fillonte edhe dhuna fizike. Gardianët mbanin në dorë shufra gome, të cilat i përdornin gjatë gjithë kohës duke na rrahur. Njëri na godiste nga mbrapa, kurse tjetri nga para. Ishte dhunë e tmerrshme saqë ndonjëherë nuk arrija ta mbaja as peshqirin në dorë nga dhuna e përdorur me anë të shufrave të gomës. Lëvizja ime lejohej aq sa gardiani bënte lëvizje dhe ndonjëherë ky pastrim zgjatej deri një orë, për një korridor rreth 10 deri 15 metra i gjatë dhe i gjerë diku 2 metra. Lirohesha nga pastrami vetëm atëherë kur të njëjtin veprim kërkonin ta kryente dikush i radhës nga bashkë të burgosurit e tjerë të akuzuar për rastin e Paraqinit.
Të kuptohemi kjo formë e dhunës bëhej vetëm për një arsye që po nuk fole te hetuesit dihej çfarë të priste. Se kush ishte i radhës nuk e dinim. Edhe pse ishin në një burg të përbashkët, secili nga ne nuk e dinim për njëri-tjetrin se ku gjendeshim.

Gjatë këtyre veprimeve, ndonjëherë gardianët nuk arrinin t’i përmbahen vetëm dhunës me shufra gome dhe në një rast të caktuar për t’i kënaqur epshet e tyre shtazarake njëri nga gardianët më shqelmon me këmbë në pjesën e përparme të fytyrës, ku me këtë rast më pëlciti gjaku në nofullën e epërme të dhëmbëve dhe pjesën e hundës. Forma e goditjes në këtë pjesë ishte e lehtë për ta sepse unë isha në pozitën në gjunjë duke pastruar korridorin. Më është dhënë ndihma e parë diku në qytet dhe më kanë kthyer në qeli përsëri. E mbaj në mend se kisha dhimbje të mëdha. Pas një jave apo dhjetë dite, ky problem më kaloi. Me thënë realitetin, kjo ishte një e mirë në fatkeqësi sepse për katër ditë sa isha i sëmurë, nuk u mora në pyetje dhe nuk e pastrova korridorin. E vetëkuptushme nuk pësova as dhunë fizike. Por edhe qëndrimi në qeli ishte sfidues. Në një qeli kishte një shtrat dhe një tavolinë me një stol të vogël të mbështetur për muri. Gjatë qëndrimit në qeli, duhej të ishe i ulur, ku duart duhej të vendoseshin mbi tavolinë dhe kokën duhej të kishe të drejtuar nga muri. Lëvizjet nuk ishin të lejuara. Nuk ke pasur mundësi të lëvizje sepse ishe nën vëzhgim të vazhdueshëm nga gardianët e burgut dhe mosrespektimi i këtij rregulli pasohej me ndonjë ndëshkim që në këto raste zakonisht bëhej me përdorim të dhunës fizike.
Dhunë tjetër e vazhdueshme ishte kur të nxirrnin nga qelia për tualet apo për ndonjë nevojë tjetër ditore siç ishte dërgimi tek hetuesit etj. Isha i detyruar në çdo kënd të qelisë e të burgut të ndalesha, të mbajë kokën poshtë, duart mbrapa dhe lëvizjet duhej të bëheshin vetëm me urdhrin e gardianit. Përveç urdhrit për lëvizje pësonim edhe dhunë fizike duke na goditur me shufra në anën e majtë dhe të djathtë të trupit. Këtë dhunë fizike, gardiani e bënte me majën e shufrës duke mbajtur shufrën në mes të saj. Këto goditje ishin goxha të forta dhe gjithnjë për një periudhë të caktuar mbetnin njolla në trupin tim.

No description available.

Foto: Afrim Mehmeti, komandant i Qendrës për Stërvitje Kolektive në FSK

Pas një muaji apo dy, nuk jam i saktë në kohë, më nxorën nga qelia dhe më dërguan në njërën nga dhomat, ku pashë dy njerëz. Ata më thanë të ulem në këtë karrige. Unë u trishtova kur e pashë atë karrige, me disa tela të zgjatur rreth saj sikur doja të refuzoja të ulem. Pyeta pse çfarë është kjo? Njëri nga ata mu përgjigj duke më thënë se është detektorë i gënjeshtrave. Unë kam për të bërë disa pyetje, ti duhet t’i përgjigjesh pyetjeve te mija. Unë realisht nuk kisha pasur njohuri për këtë lloj aparature. Në mendjen time, thashë shumë mirë qenka kjo tash mund të tregoj saktë situatën. U ula, mi vendosën disa nga telat në kokë dhe disa në duar e këmbë. Më thanë, duhet veç të vërtetën të tregosh dhe fillojnë të më bëjnë pyetje që kishin të bëjnë më ngjarjen. Për një moment filloi të më dridhej trupi e veçanërisht duart dhe sytë të më lotojnë. Pata një ndjesi të trupit të lodhur apo të plogështisë ekstreme. Jam ngritur dhe me forcë kam larguar të gjitha telat, ndërsa personeli që ishin me këtë aparaturë filloj të kërkojë ndihmë nga gardianët kinse për mos dëgjueshmëri. Më morën dhe më futën në qeli dhe pas njëzet minutave në të dy duart sipër mu shfaqën disa plasaritje të vogla dhe kam kërkuar ndihmë. Shumë shpejt kanë ardhur një staf i tërë në qeli. Me ta ishte edhe njëri nga hetuesit e mi. Më pyetën se çfarë problemi kam dhe ju tregova për duart. Për një kohë të shkurtër më kanë dërguar në një objekt, ku kam parë personel mjekësor ushtarak, bashkë me mua ishin dy gardianë dhe drejtori i burgut. Më kontrolluan sytë dhe duart. Për duart nuk kishin ndonjë konstatim, ndërsa për sytë thanë që i ka të çrregulluar. Më dërguan prapë në qeli dhe mi kishin caktuar një lloj të barnave. Këto barna i përdorja në prezencë të personelit të burgut. Kisha shqetësim të veçantë për duar. Një mjek që bënte vizitë nganjëherë në burg, me një rast ishte bashkë me drejtorin e burgut dhe ai po e pyet mjekun: “Çfarë u bë me duar se akoma po i lëngojnë”. Unë vërtet nuk kisha dhimbje, por të lënduara i kisha akoma. Mjeku po i thotë drejtorit të burgut: “Nuk janë asgjë, i ka djegur me cigare!”. Që vërtet forma e plasaritjeve ngjasonte me djegie.
Përveç hetimeve që kishim çdo ditë, herë pas here na dërgonin edhe te gjykatësi hetues. Pas deklaratës që dhashë, më pyeti kinse për shëndetin, kishte dëgjuar për të gjitha ato që më kishin ndodhur dhe i tregova se jam duke përdorur terapi. Aty e kuptova se ajo terapi është e rëndë sepse gjykatësi i tha drejtorit të burgut nëse vazhdohet me përdorimin e këtyre branave ndaj tij, gjykimi nuk mund të mbahet. Unë pas një jave kam ndërprerë barnat. Nisa të mos i përdorë më, jo me dëshirën time, por nuk i sjellën më tutje. Fillova të mos bëjë gjumë të rehatshëm asnjëherë. Çdo natë ngrihesha nga gjumi duke ulëritur saqë nganjëherë nga gardianët e burgut pasonte edhe dhuna fizike, kinse për shqetësim të të tjerëve me qëllim.

Gjatë hetimeve, gjykatësi hetues Marinko Radenkoviq, kapiten i klasës të parë e kishte formuluar një deklaratë shumë mirë ku thuhej: “Aziz Kelmendi në tubime më së shumti ka folur për faktin pse Kosova duhet të bëhet Republikë. Ne jemi pajtuar me të dhe jemi marrë vesh si të realizohet kjo, tha Afrim Mehmeti”. Deklarata në fjalë është lexuar para meje dhe unë jam pajtuar plotësisht me te. Këtë deklaratë timen i gjithë personeli hetues nuk e kishte pritur mirë. Unë realisht e kam bërë për të vetmen arsye. E para nuk besoja se do t’i shpëtojmë pushkatimit dhe më keq e dija që nuk kishte ku të shkonte. Personeli i burgut, në shenjë revolte që edhe pas rastit të Paraqinit kam konsideruar se Kosova duhet të bëhet republikë, më kanë sjellë në qeli dy libra që kanë qenë për Enver Hoxhën, një ka qenë e shkrimtarit Ismail Kadare, e mbaj mend se ishte romani “Kështjella” dhe nja dy apo tri të tjera kam harruar çfarë ishin.
Sipas tyre, unë isha i helmuar rëndë me nacionalizëm dhe irredentizëm dhe se jam njeri i rrezikshëm për shoqërinë Jugosllave. Tani kinse unë mund të lexojë këtë literaturë veç në burgje, se ti je i papranueshëm për shoqërinë Jugosllave. Këtë literaturë e kam pasur në qeli diku tri ditë. Të them të drejtën asnjërën nuk e kam lexuar. Kush kishte vullnet për të lexuar kur gjatë gjithë kohës isha nën hetime me inspektorë!
Vetëm një javë para se të filloj gjykimi më është lejuar të kam avokat privat, ku familja ime kishte angazhuar avokatin Bajram Kelmendi, ndërsa avokat zyrtar kam pasur oficerin ushtarak, Novica Pejçiq nga i cili kurrfarë ndihme juridike nuk kam pasur.

Aziz Kelmendi ishte njeri i drejtë dhe i edukuar kombëtarisht

Eprori ushtarak Tafil Avdijaj në atë kohë ishte me gradën e togerit dhe shërbente në Kazermën e Leskovcit në Serbi. Përndryshe ishte epror ushtarak i Aziz Kelmendit, i cili ka rrëfyer hollësisht se si ishte njohur e takuar me të. Pastaj ka bërë përshkrimin e jetës ushtarake të Azizit gjatë trajnimit katërmujor në Leskovc dhe angazhimin e tij si përkthyes në procesin e Paraqinit: Në rrethanat e kohës unë kam shërbyer si oficer i APJ-së, kurse Azizi si rekrut në Garnizonin e Leskovcit. Ishte shtatori i vitit 1986, kur rrethanat dhe kushtet e shërbimit na takuan rastësisht në Leskovc. Unë në atë kohë u caktova në komisionin për pranimin dhe sistemimin e rekrutëve të rinj, të cilët vinin në shërbimin ushtarak në Garnizonin e Leskovcit. Në mesin e rekrutëve arriti edhe Azizi. Sipas procedurave në komision zhvillohej pranimi dhe sistemimi i rekrutëve. Pas bisedës së shkurtër me Azizin, me sa mbaj mend, ai kishte ardhur në ushtri i rekrutuar nga Sekretariati i KK Prizrenit dhe nuk kishte ndonjë pengesë apo evidencë për ndonjë vepër penale. E vërejta se ai nuk e njihte gjuhën serbokroate dhe vendosa që Azizin ta sistemoja pikërisht në njësinë time si pjesëtar i ekuipazhit të tankut, gjegjësisht shërbyes i mitralozit të tankut dhe kështu vazhduam për katër muaj njohjen dhe trajnimet, të cilat Azizi do t’i kryente në Leskovc. Me të përfunduar trajnimet themelore do të transferohej në Garnizonin e Paraqinit.
Gjatë shërbimit të Azizit në Leskovc, ai në shikim të parë të linte përshtypje se ishte njeri serioz dhe paksa i ngrysur në vete. Ndoshta nga hallet, mundimet dhe ndjekjet që e kishin përcjell qysh në moshë të re, gjë që më vonë është marrë vesh pasi që ka ndodhur rasti i Paraqinit. Me kalimin e kohës e vërejta se tek ky person ka shumë pozitivitet. Ai ishte i lexueshëm, recitonte poezi. Ishte kureshtar për të nxënë sa më shumë dije rreth armatimit, ku në shumë raste duke e zgjedhur me vëmendje momentin e duhur kërkonte t’i përkthehen në gjuhën shqipe pjesët e armatimit. Ishte njeri i drejtë dhe i edukuar kombëtarisht. Ishte paksa temperament por shumë i kujdesshëm që mos të ofendonte ndokënd, ndërkaq padrejtësitë, ofendimet nuk i ka duruar. Dallonte nga moshatarët si më i pjekur dhe më i qëndrueshëm e më i vëmendshëm. Nuk ankohej për ndonjë vështirësi sa ishte në shërbim në njësinë time. Me sa mbaj mend të vetmin shqetësim dhe që i pengonte shumë ishte ushqimi në kuzhinë por kuptohej edhe kujdesi e mërzitja për familjen. Nuk mbaj mend qe Azizi deri sa ishte në shërbim tek njësia ime që është thirrur ndonjëherë në përgjegjësi për ndonjë shkelje apo bisedë informative nga shërbimi siç ndodhte në atë kohë me ushtarët shqiptar.
Ishte një koincidencë, në ditën kur ka ndodhur rasti i Paraqinit, unë isha kujdestar në Kazermën e Leskovcit. Më kujtohet se rreth orës 4:00 të mëngjesit të hershëm të asaj dite, më kanë thirrur nga Garnizoni i Nishit, Komanda e Tretë e APJ-së së asaj kohe dhe kanë kërkuar dosjen e trajnimeve për Azizin dhe të dhëna të tjera për kohën sa ishte në Leskovc pa dhënë sqarime. Kur ju tregova se ai ishte ushtar i imi sepse ende e kisha në kujtesë, më kanë pyetur edhe një herë se si quhem dhe pas përgjigjes sime linja telefonike është ndërprerë menjëherë. Pas gjysmë ore isha i izoluar nga Policia Ushtarake dhe kanë filluar me marrje në pyetje për tri ditë radhazi në izolim të plotë.
Pas një muaji nga ngjarja e Paraqinit më kanë thirrur në Gjykatën e Ushtarake në Nish dhe më kanë angazhuar si përkthyes në rastin e Paraqinit.

No description available.

Foto: Aziz Kelmendi

Angazhim im ishte bërë padashur si përkthyes vetëm në gjykatë e jo në hetimet tjera, të cilat i bënin jashtë gjykate deri në gjykimin kryesor. Prandaj, kam ardhur në përfundim se hetimet fillimisht janë zhvilluar për shkelje të shumta të procedurave nga ana e eprorëve dhe mosdisiplinës së tyre në Garnizonin e Paraqinit (ka pasur dënime të eprorëve për shkelje të rregullave) por me të marrë vesh se Azizi kishte tentuar të arratiset në Shqipëri, para se të vinte në shërbim ushtarak e ndryshojnë plotësisht rrjedhën e hetimeve dhe fillojnë montimin e Procesit të Paraqinit. Këtë përfundim e nxjerr bazuar në pyetjet qe mi kanë parashtruar mua gjatë intervistimit tim, por edhe nga dokumentet që i kam parë sepse edhe Rizah Xhaklin fillimisht e kishin angazhuar si përkthyes në Paraqin gjatë vizitës së prindërve të Azizit.
Por jo vetëm kjo po edhe me vet faktin se e ndërrojnë komplet ekipin e hetimeve, sjellin hetues nga Beogradi, e ndërrojnë gjykatësin hetues dhe e sjellin gjykuesin hetues nga Beogradi, i arrestojnë të gjithë ushtarët shqiptarë në Garnizonin e Praqinit duke përfshirë edhe Islam Mahmutin, rom nga Gjakova, i cili ishte burgosur vetëm pse ishte shoqëruar me shqiptarë.
Te arrestuar ishin: Riza Xhakli, Afrim Mehmeti (e kam njohur se edhe ky ishte në shërbim ushtarak në Leskovc), Abdylxhemil Alimani, Shefqet Paçarizi, Pajazit Aliu, Enver Behluli, Rizo Alibashiq, mysliman-boshnjak i Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilin e përfshinë për arsye se nuk kishin mundur me i ikë arrestimit të tij për arsye se ishte komandat roje në natën kritike në Paraqin.
Për fund dua ta cek qëndrueshmërinë e djelmoshave të ri në moshë, të cilët i përballuan gjatë hetimeve një presioni tepër të madh siç ishin Abdylxhemil Alimani, Rizah Xhakli e Afrim Mehmeti.

Çfarë përmbante aktakuza e fabrikuar për tetë ushtarët e Kazermës së Paraqinit?

Për shtatë shokët e Azizit dhe të një ushtari nga Bosnjë e Hercegovina, periudha e hetimeve për hartimin e aktakuzës në Gjykatën Ushtarake të Nishit kishte nisur në fillim të shtatorit duke vazhduar deri në fund të muajit dhjetor të vitit 1997. Aktakuza e parë (dy faqe) ishte ndërtuar si “grup i organizuar me motive politike kundër Jugosllavisë”. Në këtë aktakuzë i pari në listë ishte përfshirë shoku i ngushtë i Azizit, Afrim Mehmeti e, pas tij, të tjerët. Diku pas një muaji kishte ndryshuar gjithçka. I pari ishte radhitur Rizah Xhakli e të tjerët pas tij. Kjo kishte ndodhur pas grumbullimit të të dhënave nga Kosova, ku familja Xhakli ishte në listën e familjeve të përndjekura në vazhdimësi nga regjimi serb, prandaj jorastësisht ishte vendosur të ndëshkohej në krye të grupit. Kësaj radhe aktakuza ishte ndërtuar për “vepër penale të vrasjes nga nxitjet armiqësore ndaj RSFJ-së – në ndihmë, nga neni 122, lidhur me nenin 24-t të Ligjit Penal të RSFJ-së…”.

Më 7 dhjetor 1987 (IK nr. 135/87) nga prokurori ushtarak, koloneli Zhivotije Bojiq, tetë të akuzuarve ua kishte dorëzuar aktakuzën e dytë, të shkruar me makinë shkrimi në 11 faqe të formatit A4.

Më 11 janar të vitit 1988, në Gjykatën Ushtarake të Nishit, filloi procesi politik i montuar fund e krye me akuza të kurdisura, të sajuara dhe të trilluara, por tash e zgjeruar në 167 faqe të formatit A4. Me këtë rast u bë shqyrtimi kryesor rreth gjykimit të tetë ushtarëve të Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) të akuzuar për pjesëmarrje dhe ndihmë më 3 shtator 1987 në ngjarjen e zhvilluar në Kazermën e Paraqinit që shkaktoi ushtari Aziz Kelmendi. Në aktakuzën e ngritur nga prokurori ushtarak, koloneli Zhivotije Bojiq thuhet: “Të akuzuarit Rizah Xhakli, Abdylxhemil Limani, Afrim Mehmeti, Pajazit Aliu, Shefqet Paçarizi dhe Enver Behluli, derisa ishin në shërbimin e afatit ushtarak në garnizonin e Paraqinit, më 2 shtator 1987, rreth orës 19.00, në fushën e basketbollit, e cila gjendet në rrethin e kazermës, ku ishin edhe Islam Mahmuti e Aziz Kelmendi, kanë dëgjuar se si ky i fundit, ushtar në postën ushtarake 7518 do t’i vrasë atë natë ushtarët Safet Dudakoviq e Milorad Vukoviq dhe se do t’i vrasë të gjithë ushtarët e postës ushtarake 5313 në Paraqin, duke kërkuar me këtë rast ndihmë prej tyre. Edhe pse e dinin se edhe më parë ai para tyre shprehte urrejtje ndaj pjesëtarëve të kombeve dhe kombësive të tjera nga pozita e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, pranuan që t’i ndihmojnë në kryerjen e veprës së rëndë. Kur Azizi ka theksuar se nuk ka municion, Afrim Mehmeti i ka treguar se municion ka në dollapin që gjendet në korridorin e pavijonit, ndërsa i akuzuari Rizah Xhakli i ka thënë se lidhur me municionin do të bisedojë me komandantin e rojës Rizo Alibashiq, nga i cili do të sigurojë atë dhe se nuk do të ketë kurrfarë problemi. Kur Azizi ka theksuar se nuk di të përdorë pushkën automatike, Enver Behluli ka shkuar në çadrën e rojës dhe e ka sjellë pushkën automatike, ndërsa i akuzuari Pajazit Aliu i ka treguar Azizit se si përdoret ajo, si vihet e nxirret karikatori dhe si shtihet me të. Azizi edhe ka treguar se atë natë do t’i vijë baba nga Gjermania dhe se pas krimit do të ikë. Me këtë rast i ka pyetur të akuzuarit Abdylxhemil Alimanin dhe Enver Behlulin se në çfarë kohe do të jenë në roje atë natë të shkojnë kur t’i vijë babai dhe ta lajmërojë dhe pastaj ta lëshojnë të ikë. Këta janë pajtuar me këtë dhe me këtë rast janë marrë vesh që atë natë, kur Azizi ishte në detyrën e ndihmësit të kujdestarit të njësisë t’i zgjojë nga gjumi të akuzuarit Rizah Gjakli, Afrim Mehmeti, Pajazit Aliu dhe Shefqet Paçarizi në mënyrë që të mos gjenden në dhomën kur ai të hapë zjarr.

No description available.

Foto: Faksimile nga aktakuza e dytë, 7 dhjetor 1987

Të njëjtën natë, rreth orës 20:30 minuta, Rizah Xhakli shkon në çadrën e komandantit të rojës, Rizo Alibashiqit dhe i tregon se Azizi do të vrasë Dudakoviqin e Vukoviqin dhe nga i njëjti kërkon municion. Alibashiq pajtohet t’u japë municion Azizit, dhe merr vesh që marrja e municionit të inskenohet në atë mënyrë kinse ia ka marrë me dhunë dhe që në atë kohë të mos zgjohet nga gjumi kujdestari në çadrën e rojës, si dhe ndihmësi i komandantit të rojës. Rreth orës 21, në korridorin e pavijonit të njësisë, Rizahu, në praninë e Afrimit, Pajazitit dhe Shefqetit i lajmëron Azizit se ka biseduar me Alibashiqin dhe se ai do t’ia japë municionin, ndërsa pas kësaj një gjysmë ore më vonë, në të njëjtin vend Azizi para të akuzuarve të njëjtë përsëritë atë që tha edhe më parë se do të vrasë ushtarët e postës ushtarake 5313 dhe sipas marrëveshjes, rreth orës 2:30 minuta, Azizi i zgjon nga gjumi Rizahun, Afrimin, Pajazitin dhe Shefqetin.

Pas kësaj Rizahu zgjon të akuzuarin Islam Mahmutin dhe këta pastaj së bashku me Azizin, nga pavijoni shkojnë në vendrojën numër 1 të Abdylxhemil Alimani, të cilin Azizi e pyet se a mos i ka ardhur babai. Pasi i tregon se nuk ka ardhur, me kërkesën e Azizit, Afrimi e Shefqeti dalin nga rrethi i kazermës dhe shkojnë në autostradë për të shikuar kur do të vijë babai i Azizit. Në ndërkohë kthehet Azizi në pavijon ku then dollapin e metaltë dhe merr 10 fishekë të kalibrit 7,62 milimetra dhe në korridor merr pushkën automatike. Sërish shkon në vendin e rojës të Abdylxhemili ku merr një karikator me 30 plumba të kalibrit 7,62 milimetra. Me këtë rast Rizahu e pyet Azizin për se merr fishekë të Abdylxhemili kur ai i ka siguruar te Alibashiqi. Pas kësaj rreth orës 3:00 Azizi shkon me pushkë te Alibashiqi në çadrën e rojës dhe sipas marrëveshjes së mëparshme me Rizahun, Alibashiq i jep atij dy karikatorë me nga 30 fishekë të kalibrit 7,62 milimetra. Pasi që armatoset mirë Azizi shkon në pavijon dhe së pari hap zjarr në dhomën numër 42 ku vret Safet Dudakoviqin, Srgjan Simiqin, Goran Begiqin dhe plagosë Ante Jazhiqin e Nexhip Mehmedoviqin, pastaj shkon në dhomën numër 41 ku vret Hasim Gjananoviqin e plagosë Andrej Presherinin, Petar Gjekiqin e Huso Kovaçoviqin. Nazif Axhoviq për të shpëtuar nga më e keqja kërcen nga dritarja në një lartësi prej 6 metrash me ç’rast merr lëndime të lehta. Pas shkaktimit të krimit të rëndë Azizi shkon në rojën numër 1 dhe Abdylxhemilit ia kthen karikatorin me 30 plumba dhe pyet se mos ka ardhur babai i tij. Aty ishin edhe Rizahu, Afrimi, Pajaziti e Shefqeti, të cilët pastaj kthehen në pavijon dhe përzihen me ushtarë të tjerë. Vrasësi mizor ikën nga rrethi i kazermës, pastaj në malin e afërt bën vetëvrasje”, përfundon aktakuza.

Sipas kësaj aktakuze, të lartpërmendurit kanë bërë vepër penale të vrasjes nga nxitjet armiqësore ndaj RSFJ-së – në ndihmë, nga neni 122, lidhur me nenin 24 të Ligjit Penal të RSFJ-së, ndërsa Avdylxhemil Alimani edhe për vepër penale të cenimit të detyrës së rojës nga neni 209, paragrafi 1 i Ligjit Penal të RSFJ-së. Ndërkaq, Rizo Alibashiq akuzohet edhe për vepër penale të vrasjes në ndihmë nga neni 47, paragrafi 2, pika 1 dhe 3 i Ligjit Penal të Serbisë, lidhur me nenin 24 të Ligjit Penal të RSFJ-së për vepër penale të cenimit të rojës, ndërsa i akuzuari i fundit Islam Mahmuti, për vepër penale të moslajmërimit të përgatitjes së veprës penale nga neni 202, paragrafi 2 i Ligjit Penal të Serbisë.

Shqyrtimi kryesor vërtetoi se ishte gjykim i montuar politik

Gjatë shqyrtimit kryesor pothuajse të gjithë të akuzuarit shqiptarë e kanë kundërshtuar dhe mohuar atë që kanë theksuar në hetuesi. Në këtë gjykim të montuar politik nuk u vërtetuan veprat për të cilat u ngarkuan të akuzuarit për, kinse, se Aziz Kelmendi u mor vesh më parë me ushtarët që akuzoheshin se i ndihmuan. Qysh në ditën e parë të gjykimit, më 11 janar 1988, i akuzuari Rizah Xhakli, në mbrojtjen e tij kundërshtoi në tërësi thëniet e aktakuzës, duke potencuar se asgjë nuk është e vërtetë, pos asaj që në fushën e basketbollit është takuar me Aziz Kelmendin dhe ushtarë të tjerë. Ndërkaq, Shefqet Paçarizi ka potencuar se nuk ka ditur çka ka planifikuar Aziz Kelmendi, ndërsa Abdylxhemil Alimani ka treguar se nuk ka bërë vepër penale edhe pse ka qenë në fushën e basketbollit nuk ka dëgjuar kurrfarë bisede rreth vrasjes së ushtarëve. Në ditën e dytë të gjykimit, më 12 janar, Afrim Mehmeti ka pranuar se me ushtarët e përmendur në aktakuzë ka qëndruar në fushën e basketbollit në rrethin e kazermës, mirëpo aty nuk ka pasur kurrfarë bisede të Aziz Kelmendit se do të vrasë Safet Dudakoviqin e Milorad Vukoviqin. Mandej Afrimi para trupit gjykues ka deklaruar troç se për përdorimin e pushkës automatike, Azizi nuk ka pasur nevojë të bënë kurrfarë ushtrimi “meqenëse sa kemi qenë bashkë ushtarë me të në një qytet tjetër (Leskovc), ai katër muaj ka qenë i angazhuar me pushkë automatike”. Gjithashtu, Afrimi nuk ka pasur nevojë t’i tregojë Aziz Kelmendit se në dollapin në korridor të pavijonit ka municion, sepse pothuajse të gjithë ushtarët që shërbenin në këtë garnizon këtë e kanë ditur. Në vazhdim të kësaj seance gjyqësore, Pajazit Aliu ka thënë se nuk ka qenë në fushën e basketbollit, gjë të cilën e ka pohuar edhe Afrim Mehmeti. Në kohën kur Azizi ka zbrazur rafalët, ai ka qenë fjetur bashkë me ushtarë të tjerë, tregon Pajazit Aliu. Nga dhuna e terrori i madh i ushtruar gjatë hetuesisë ndaj të akuzuarit Rizo Alibashiq për të deklaruar rrejshëm kundër të akuzuarve shqiptarë, ai kishte rënë në depresion psikik dhe për një kohë ka qëndruar për shërim në Klinikën Neuropsikiatrike të Spitalit Ushtarak të Nishit, u tha në ditën e tretë të gjykimit, më 13 janar 1988. Kjo më së miri tregon se në çfarë gjendje kanë qenë të akuzuarit tjerë gjatë kohës sa ishin në hetuesi. Megjithatë dhjetari Alibashiq para trupit gjykues e tha të vërtetën për municionin që ia kishte dhënë Azizit: “Para orës 3 të mëngjesit më zgjoi Azizi, i cili kishte pushkën me municion. Ia dhashë dy rrathë me nga 30 plumba. Për pushkën automatike nuk kisha më tepër municion. Ai më urdhëroi të shkoj me të në dhomën e fjetjes. Unë ecja përpara e ai pas meje, duke ma drejtuar pushkën në shpinë. U ktheva në pistë dhe atëherë dëgjova rafalët, kur edhe i dhashë rojës alarm”, tregon rrjedhën e ngjarjes së asaj nate Alibashiq. Mirëpo deklarata e tij, ku inkuadronte posaçërisht Rizah Xhaklin ishte krejtësisht e pavërtetë, të cilën gjë sy më sy ia tha troç Xhakli, më 13 janar 1988 në sallën e Gjykimit. Ai ia përsëriti për të satën herë se më 2 shtator 1987 nuk ka ndejur me Alibashiqin. Po në këtë seancë, ushtari Abdylxhemil Limani gjatë gjykimit ka treguar se organet e sigurimit kanë shfrytëzuar forcën gjatë kohës së hetuesisë për të detyruar atë në ndryshimin e deklaratës, gjë të cilën nuk e bëri asnjëherë. Ai nuk ka lëkundur qëndrimin e tij gjatë hetuesisë por as në shqyrtimin kryesor në Gjykatë. Kjo dëshmon se Alimani gjithnjë e tha vetëm të vërtetën duke treguar se nuk i ka premtuar kurrfarë ndihme Aziz Kelmendit, nuk ka sjellë pushkën në fushën e basketbollit dhe as që i ka dhënë karikatorin me fishekë. Me vet faktin që Azizi kishte në dispozicion 70 fishekë, prej të cilëve është dëshmuar se 26 janë shkrepur në dy dhoma dhe me një plumb është vetëvrarë, shtrohet pyetja çka i duhej municioni shtesë kur në realitet i ka pasur rezervë edhe 43 fishekë tjerë!?

Foto: Faksimile nga aktakuza e zgjeruar prej 167-faqesh në gjuhën serbokroate

Trillimi tjetër i prokurorit se “para se të zbrazë rafalët, Azizi tërhoqi nga dhomat të gjithë ushtarët e kombësisë shqiptare”, gjatë shqyrtimit kryesor është dëshmuar se nuk është e vërtet kjo akuzë ngase në dhomën nr. 41 ishin bashkërisht me Rizah Xhaklin dhe Islam Mahmutit edhe ushtarët e nacionaliteteve tjera: Petar Gjekiq, Nikola Vidoviq, Huso Kovaçoviq, Andrej Preshern, Mishko Zeliq, Goran Vidakoviq, Milorad Vukoviq, Stipe Miliq etj, kurse në dhomën nr. 42, krahas ushtarëve shqiptarë: Pajazit Aliut e Shefqet Paqarizit ishin në të njëjtën dhomë edhe ushtarët e komuniteteve tjera: Ante Jazhiq, Petar Popiq, Davor Staniq, Florijan Atanaso e të tjerë. Ndërkaq, dy ushtarë të kësaj dhome: Abdylxhemil Alimani dhe Shemsudin Selimoviq, në natën kritike ishin në roje prej orës 2:00 – 4:00, kurse në këtë kohë te porta e kazermës ishte ushtari Goran Kegel. Ndërkaq, në natën kritike,në përbërje të rojës ishin të vendosur në çadrën e rojës:Enver Behluli, rekrutë i dhomës 42, bashkë me ushtarët tjerë: Sebastijan Bexhedoviq, Shuçko Omeragiq, Ivica Shkoriq e Vladimir Milutinoviq, të cilët në atë kohë ishin duke fjetur. Në dhomën e tretë, numër 40, ku flinte edhe Aziz Kelmendi ishte vetëm një ushtar shqiptar, Afrim Mehmeti, pranë të cilit flinte Zoran Gjokiqdhe ushtarët tjerë: Zvonko Zatkovski, Branko Vujoviq, Zhelko Rokiq, Damir Mariq e të tjerë. Me një fjalë, kjo është krejtësisht absurde dhe pamundshme që Azizi të zgjonte nga gjumi ushtarët shqiptarë në dy dhomat e fjetjes dhe të mos i diktojë ata askush duke dalë nga dhomat!

Në aktakuzën e fabrikuar gjithashtu përmendet se Sadik Kelmendi është dashur të vijë natën kritike nga Gjermania në Paraqin për të marrë Azizin dhe të ikë. Gjatë dëshmisë së tij, më 15 janar 1988, Sadiku, babai i Azizit tregoi: “Më 24 korrik të vitit 1987 jam kthyer nga vendlindja në Gjermani, ku isha në pushim mjekësor. Brenda kësaj periudhe (24 korrik – 1 shtator 1987) kam folur me telefon vetëm me anëtarët e familjes”. Ndërkaq, me Azizin: “Kurrë nuk kam biseduar me telefon sa ka qenë ushtarë, e brenda kësaj periudhe as letër nuk i kemi shkruar njëri-tjetrit”, tha Sadik Kelmendi para trupit gjykues. Kjo tregon më së miri se vizita e Sadikut dhe Salës atë mëngjes në Paraqin ishte e rëndomtë si herëve të tjera dhe pa kurrfarë prapavije gjë që prokurori ushtarak nuk pati asnjë fakt për të akuzuar babanë e Azizit. Me një fjalë, të akuzuarit shqiptarë të vërtetën e thanë gjatë gjykimit, të cilës duhej t’i besohej e jo asaj çka kanë deklaruar gjatë hetuesisë ngase kanë qenë të shtrënguar nga gjykatësi hetues dhe nga pjesëtarët e sigurimit shtetëror. U vërtetua se të gjitha deklaratat e tyre gjatë hetuesisë janë dhënë nën presion e dhunë. Kjo ishte e dhënë plotësisht e saktë. Një gjë është e vërtet se Azizi gjatë kryerjes së aksionit ka kursyer të gjithë bashkëkombësit e vet, madje në dhomën e tij nuk kishte shtënë fare. Po ashtu e vërtet ishte se Azizi shoqërohej vetëm me shqiptar, gjë që të njëjtën gjë e bënin edhe ushtarët tjerë shqiptarë kudo që ishin në shërbim ushtarak. Domethënë, nuk kishte diçka risi në këtë aspekt. Nuk është e vërtet që Azizi urrente popujt tjerë përpos atyre që përdornin aparatin shtetëror kundër popullit shqiptar.

Trupi gjykues, më 20 janar 1988, si dëshmi ka prezantuar fletoren e Aziz Kelmendit të gjetur më 5 shtator 1987, me rastin e kontrollimit të shtëpisë së prindërve të tij në Dushanovë. Në këtë fletore, Azizi kishte shënuar disa vargje, të cilat një pjesë e tyre ishin në formë të kujtimeve. Pothuajse në çdo vjershë të tij janë shkruar me germa të mëdha fjalët “Kosova Republikë”. Ndër të tjera, në vargjet e tij thuhet:

“Në Prishtinë së pari u dha betimi dhe nga të gjitha anët në Kosovë si lumi u përhap “Kosova – Republikë”

“Më lindi ideja!

“Kjo është rruga e luftës”.

“Rroftë Kosova – Republikë”

Më 25 janar 1988, në fjalën e tij përfundimtare prej 20 faqesh prokurori ushtarak, Zhivotije Bojiq për Azizin theksonte: “Ishte verbërisht përkrahës i idesë “Kosova – Republikë” dhe për atë se për realizimin e kësaj ideje duhet të zhvillohet luftë e armatosur”. Me këtë, Prokurori në fjalë, nuk ka zbuluar asgjë të re sepse në realitet është dëshmuar ajo siç ka menduar atëbotë Azizi.

Më 6 dhe 24 nëntor të vitit 1987 nga gjykatësi hetues ishte rikonstrukuar ngjarja e ndodhur ndërmjet 2 dhe 3 shtatorit të vitit 1987, në kazermën “Branko Krsmanoviq” në Paraqin. Para kamerave i kanë detyruar të akuzuarit e Procesit të Paraqinit t’i japin dëshmitë e tyre filmike dhe tonike se si gjoja kanë bërë marrëveshje te fusha e basketbollit dhe duke instruktuar rrejshëm rolin e tyre në ngjarjen e zhvilluar brenda kazermës, ku u vranë katër ushtarë e u plagosën pesë të tjerë. Më 20 janar 1988, këto pamje filmike dhe tonike u prezantuan nga prokurori si dëshmi në gjykatë, mirëpo këtë rikonstruktim të montuar e hodhën poshtë të akuzuarit: Rizah Xhakli, Abdylxhemil Alimani, Afrim Mehmeti e Pajazit Aliu.

Në Gjykatën Ushtarake të Nishit, gjatë shqyrtimit kryesor, kryetari i trupit gjykues, koloneli Velko Miliq, duke parë aftësitë dhe zotësinë profesionale të avokatit Bajram Kelmendi, i kishte dhënë atij dy vërejtje me shkrim. Kjo bëhej me qëllim për ta frikësuar avokatin Kelmendi i cili gjatë zhvillimit të këtij procesi të montuar politik kishte arritur të çmontuar aktakuzën e konstruktuar nga KOS-i jugosllav. Ndërkaq, vajza e avokatit në fjalë, Kosovarja, në librin “Mbrojtësi” të gazetares Valbona Mehmeti kishte treguar: “Për sa kohë ka zgjatur ai gjykim, unë çdo natë e kam pritur babanë te dritarja, afër pianos. Na ishte mbjell frika në familje se për shkak të mbrojtjes që ai e bënte, mund edhe të pësonte, pasi vazhdimisht ishte në përcjellje. Një herë, derisa kishte qenë në sallë të gjykimit, në gjykatoren e Nishit ia kishin shpuar të katër gomat e veturës…”, rikujton Kosovarja, atëbotë 16 vjeçe.

Një përshkrim i shkurtër për Kazermën Ushtarake “Branko Krsmanoviq” në Paraqin

Paraqini është qytet në Serbinë qendrore dhe shtrihet në luginën e lumit Morava, në veri të Krushevcit dhe në juglindje të Kragujevcit. Nëpër këtë qytet kalon autostrada (E75) Beograd – Nish. Pranë saj, në të djathtë, gjendet Kazerma Ushtarake “Branko Krsmanoviq”. Deri pak ditë pa ndodhur ngjarja e Paraqinit, rekrutët tanë e përshkruajnë vendin ku shërbyen në këtë mënyrë. Garnizoni në fjalë e kishte portën hyrëse të ngjashme si shumë porta kazermash të tjera në ish-Jugosllavi. Me ngjyrë “es-em-be”, e metaltë, në të cilën domosdoshmërisht bëhej kujdestaria me ndërrime nga ushtarët dhe kishte zyrën e regjistrimit për hyrje-dalje. Pasi që ato ditë objekti i muratuar për roje po rregullohej dhe ngjyrosej, roja ishte zhvendosur në dy çadra, ku në njërën pak më të vogël ishte vendosur komandanti i rojës, kurse në tendën tjetër ushtarët që ishin në përbërje të rojës. Rreth tridhjetë hapa nga hyrja në kazermë ndodhej ndërtesa ushtarake e banimit, kati përdhes dhe kati i parë. Njësitë ishin të vogla sa i përket formacionit ndërsa, për arsye të tjera, e gjithë ushtria ato ditë mund të akomodohej në tri dhoma të fjetjes, numër 40, 41 dhe 42. Përballë tyre, në të majtë, ishte hyrja në të parën, në të djathtë në dhomën e dytë dhe tretë.

Midis dy hyrjeve ishte një dollap me renditje për peri të armëve të këmbësorisë dhe gjësende të tjera ushtarake. Në të djathtë të derës së dhomës 42, ishte dollapi metalik (ku ishin 10 fishekë për nevoja emergjente), për të cilin e dinin pothuajse të gjithë ushtarët se çka ka brenda kjo arkë. Mbi të ishte gazeta e murit me një nga fotografitë e njohura të luftës së Titos, në mes. Në skajin tjetër të simetrisë boshtore ishte fotografia me një tufë fytyrash të rinjsh të qeshur…

Në dhomën numër 40 flinin ushtarët që i përkisnin postës ushtarake 7518, domethënë njësisë së ndarë depoistë, e cila njësi ishte e stacionuar në Nish. Ushtarët e kësaj njësie ushtarake me ndërrime bënin roje në vendin “Karadjordjevo Brdo”, rreth 3 kilometra larg kazermës. Atje një javë bënin roje duke u kujdesur për sigurinë e 28 depove të mëdha të armatimit dhe municionit të llojllojshëm. Mandej një javë tjetër këta ushtarë e kishin të lirë, të cilët gjatë kësaj jave janë marrë kryesisht me ngarkim-shkarkim të municionit dhe mirëmbajtje të objekteve ushtarake. Ndërsa në dhomën numër 41 dhe 42 ishin pjesëtarët e postës ushtarake 5313 të Paraqinit, të cilët kryesisht kanë qenë logjistikë, që janë marrë me punë të kuzhinës, roje brenda kazermës si dhe kanë kryer punë të rëndomta ushtarake. Përndryshe, në kohën kur ka ndodhur rasti i Paraqinit që lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë, Kazerma Ushtarake e Paraqinit ishte nën komandën ushtarake të Kazermës së Zajeçarit (Serbi), ku komandant i këtij garnizoni ishte kolonel Ramadan Qehaja. Kazerma e Paraqinit pas Luftës së Dytë Botërore ishte pagëzuar me emrin e Branko Krsmanoviqit (1915-1941), i cili ishte pjesëmarrës në Luftën Civile Spanjolle dhe Luftën e Dytë Botërore.

Kush ishin mbrojtësit e të akuzuarve në Procesin e Paraqinit?

Sipas ligjit, të akuzuarit kishin të drejt të kenë avokatë mbrojtës zyrtar dhe të angazhuar nga familjet e tyre. Me këtë rast, Abdylxhemil Alimani kishte avokat privatë Sava Kocarevin nga Shkupi, ndërsa mbrojtës i tij sipas detyrës zyrtare ishte eprori Argir Grebernakov. Ndërsa, Shefqet Paçarizi, sipas detyrës zyrtare kishte mbrojtës eprorin Svetisllav Trajkoviq, kurse mbrojtësi i Enver Behlulit, ishte eprori Milisav Gjorgjeviq. Ushtari, Islam Mahmuti, mbrojtës sipas detyrës zyrtare kishte eprorin Radisav Vuçetiq. Mbrojtës i Rizah Gjaklit ishte avokati privatë Isa B. Mustafa nga Gjilani, ndërkaq mbrojtësi i tij zyrtar ishte eprori Spase Stojanovski. Rekruti Afrim Mehmeti për mbrojtës privatë kishte angazhuar avokatin e njohur kosovar, Bajram Kelmendi nga Prishtina dhe mbrojtësi i tij sipas detyrës zyrtare, ishte eprori Novica Pejçiq. Ndërkaq, avokatin privatë nga Prishtina, Metush Sadikun kishte angazhuar Pajazit Aliu, ndërsa dhjetari Rizo Alibashiq, mbrojtës sipas detyrës zyrtare kishte, eprorin Nedelko Saviq. Të gjithë avokatët privatë veç e veç u angazhuan në mbrojtjen e klienëve të tyre dhe kërkuan që në mungesë të fakteve ata të lirohen nga aktakuza, ndërsa avokatët ushtarak të caktuar sipas detyrës zyrtare më shumë ishin në shërbim të prokurorisë sesa të të akuzuarve.

Gjatë hetuesisë, në muajin dhjetor të vitit 1987, avokati Bajram Kelmendi së bashku me avokatët e tjerë kishte vizituar të akuzuarit në Burgun Ushtarak të Nishit dhe gjatë një interviste dhënë revistës “Zëri” më 28. 9. 1991 kishte përshkruar në këtë mënyrë gjendjen e të pandehurve shqiptarë:

“Kur shkuam ditën e parë në Nish për t’i vizituar të akuzuarit nuk na lejuan duke na thënë se ata, të burgosurit, janë në pushim. Të nesërmen na lejuan, por me ne ishte një oficer me gradën major.

Hyra në burg dhe sollën klientin tim, Afrim Mehmeti. Ai ishte kërrusur, dhe rrinte me duart prapa shpine. E përshëndeta dhe i thashë se mua më ka caktuar familja e tij për ta mbrojtur. Oficeri më tha serbisht: “Jo nuk mundesh kështu…” Shihej ashiqare se, përmes presionit, donin të na bënin ne avokatëve privatë të heqim dorë nga mbrojtja e të pandehurve.

Dikur arrita t’i them Afrimit se “nëna jote më ka angazhuar të të mbroj”. Mirëpo, oficeri i tha, po ashtu serbisht: “Dëgjo Afrim, ky është avokati Bajram Kelmendi. A e do ti mbrojtësin që ta kemi caktuar ne, apo këtë?”

Pasi mendoi pak, pranoi të jam mbrojtësi i tij. Pastaj kërkova nga oficeri që të më linte vetëm me Afrimin.

Kërkova prej Afrimit të ma thoshte të vërtetën, por ai më tha: “Shok avokat nuk mund ta tregoj të vërtetën, sepse nëse ta tregoj të vërtetën, të marr në qafë, se do të të burgosin edhe ty…”

Afrimi ishte i lodhur e i tjetërsuar, ia kishin shkelur personalitetin. Fillova ta pyes butësisht dhe më në fund më tha se asnjëri prej tyre nuk e kishte kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin dhe se të gjitha ato që i kishin pranuar në hetuesi ishin të pavërteta.

Në pyetjen time se si e pranuan një gjë të tillë m’u përgjigj se s’kanë pasur rrugëdalje tjetër, se u kanë thënë se i vetmi kusht për t’i shpëtuar dënimit me vdekje është që ta pranonin bashkëpjesëmarrjen në vrasje. Të gjitha ato që thuhen në aktakuzë janë trillime: Pohimet për ushtrimin me pushkë të Azizit, marrëveshjen në fushën e sportit, për ikjen nga dhomat e fjetjes etj. etj.

Por, pasi që i kanë marrë në pyetje me dhjetëra e dhjetëra herë, ditën dhe natën, janë detyruar të pranojnë se e kanë bërë veprën e pabërë.

Megjithatë, deklaratat e tyre nuk janë përputhur. Edhe pas ballafaqimit të të akuzuarve nuk është arritur te harmonizimi i deklaratave. Pastaj, ata janë nxjerrë në “vendin e ngjarjes” dhe është bërë “rikonstruktimi” (dhe incizimi me kamerë) i ngjarjes. Prapë nuk janë përputhur përshkrimet dhe deklaratat…”

Shkalla e Parë në Nish: Ushtarët e pafajshëm dënon me 67 vjet burg

Pas 12 ditë shqyrtimi kryesor, në Gjykatën Ushtarake të Nishit (IK-135/87, 28 janar 1987) , në kolegjin e përbërë nga gjykatësi, kolonel Velko Miliq (serb), kryetar i kolegjit, gjykatësi nënkolonel Ramo Selimoviq (mysliman-boshnjak) dhe nga gjykatësit porotë: Kapiteni Sadik Mulaj (shqiptar), togeri Zvonimir Pazhin (kroat) dhe nga flamurtari i klasit të parë, Dimitrije Stojkovski (maqedonas), si anëtarë të kolegjit me pjesëmarrjen e Desanka Spasiqit, procesmbajtëse, shpalli aktgjykimin për tetë ushtarët e pafajshëm duke dënuar në “Emër të popullit”, me gjithsej 67 vjet burg. Me këtë rast janë dënuar:

  1. Rizah Xhakli – 15 vjet burg
  2. Abdylxhemil Alimani – 14 vjet burg
  3. Afrim Mehmeti – 10 vjet burg
  4. Pajazit Aliu – 10 vjet burg
  5. Shefqet Paçarizi – 5 vjet burg
  6. Enver Behluli – 4 vjet burg
  7. Rizo Alibashiq – 7 vjet burg
  8. Islam Mahmuti – 2 vjet burg

Në dënimin e shqiptuar është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim. Gjashtë të parëve që u dënuan me mbi 5 vjet u është vazhduar paraburgimi, ndërsa Enver Behluli dhe Islam Mahmuti u liruan nga paraburgimi. Trupi gjykues obligoi të gjithë të dënuarit që veç e veç t’i paguajnë shpenzimet e gjyqit në shumë prej 411 000 dinarësh. Gjatë shqyrtimit kryesor, më 28 janar 1988, në Gjykatën Ushtarake të Nishit, gjykatësi Velko Miliq dhe kolegji që përfaqësonte ky nuk u interesonte zbardhja e të vërtetës për ngjarjen e Paraqinit, por ata kishin vetëm një qëllim: të dënoheshin me çdo kusht shokët e Aziz Kelmendit. Madje dëshira e flaktë e tyre dhe prokurorit Zhivotije Bojiq ishte nxjerrja e të akuzuarve shqiptarë përpara kordonit të pushkatimit, por këtë nuk ia mundësonte Kushtetuta e RSFJ-së.

Shkalla e Dytë në Beograd ua ngrit dënimet në 94.6 vjet burg

Të pakënaqur me vendimin e shkallës së parë të Gjyqit Ushtarak të Nishit, të akuzuarit parashtruan ankesë, e të njëjtën gjë e bënë edhe avokatët e tyre, të cilët kishin propozuar që të abrogohet aktgjykimi i shkallës së parë dhe e tërë lënda të kthehet në rishqyrtim, ndërsa disa kishin kërkuar lirimin e të akuzuarve dhe dënime të vogla për ta. Ndërsa prokurori ushtarak i Zonës Ushtarake të Nishit, Zhivotije Bojiq, në ankesën e tij (nr. 122/87, më 26. 02. 1988), prej tetë faqesh kishte thënë se gjyqi bëri gabim në përcaktimin e gabimeve ngaqë ato ishin të vogla në krahasim me veprën dhe kërkonte dënime më të rënda për të pandehurit.

Me këtë rast, trupi penal i Gjyqit Suprem Ushtarak në Beograd, më 18-19 prill 1988, ka bërë shqyrtimin publik gjatë dy ditëve lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Gjyqit Ushtarak të Nishit. Seancën publike e kryesonte mr. gjeneralmajor Vojislav Shushunjar, kryetar i Gjyqit Suprem Ushtarak në Beograd. Në përbërje të trupit gjykues ishte edhe gjykatësi referues, koloneli dr. Jovan Buturoviq, ndërsa gjyqtarë porotë ishin: Kolonel Marjan Debelak, kolonel Ali Aliu dhe kolonel  Ervin Kovaçeviq. Në këtë gjykim, prokuror ushtarak, ishte gjeneralmajor Ahmet Hoxhiq.

Në këtë seancë publike ishin të pranishëm edhe gjashtë të akuzuarit e parë: Rizah Gjakli, Abdylxhemil Alimani, Afrim Mehmeti, Pajazit Aliu, Shefqet Paçarizi e Rizo Alibashiq, të cilët në gjykatore po merrnin pjesë me rroba civile, pasi në mars të vitit 1988 u kaloi koha e shërbimit të afatit ushtarak. Dy të akuzuarit e tjerë, Enver Behluli e Islam Mahmuti, të cilët po ashtu ishin ankuar e të cilët po mbroheshin në liri, nuk u paraqiten në gjykatore edhe pse kishin qenë të ftuar.

Trupi penal i Gjyqit Suprem Ushtarak në Beograd (II-K Nr. 98/88, datë 20 prill 1988), në vend se të merr vendim për përsëritjen e gjykimit, “u ime naroda” (në emër të popullit) kishte shqiptuar dënime drakonike ndaj ushtarëve të pafajshëm shqiptarë:
  1. Rizah Xhakli – 20 vjet burg
  2. Abdylxhemil Alimani – 20 vjet burg
  3. Afrim Mehmeti – 13 vjet burg
  4. Pajazit Aliu – 13 vjet burg
  5. Shefqet Paçarizi – 7 vjet burg
  6. Enver Behluli – 5.6 vjet burg
  7. Rizo Alibashiq – 14 vjet burg
  8. Islam Mahmuti – 2 vjet burg

Dënimi i ushtarëve të pafajshëm në grup me gjithsej 94.6 vjet burg për “krim” të pabërë, pa pasur asnjë provë materiale, përveç dëshmive (deklaratave) të rrejshme edhe atë marrë me dhunë gjatë hetuesisë nga të akuzuarit, kishte qëllim vetëm e vetëm për ta përmbyllur këtë proces gjyqësor me dënime drakonike.

Për procesin gjyqësor të Rastit Paraqini, në librin “Mbrojtësi” të autorë Valbona Mehmeti thuhet: “Në ankesën 29 faqe të cilën e dorëzoi, Bajram Kelmendi i zbërtheu aktakuzën dhe aktgjykimin duke i shpërfaqur aty të gjitha shkeljet ligjore, shtrembërimin dhe fshehjen e fakteve, dënimin e të akuzuarve mbështetur në deklaratat e marra me dhunë dhe në dëshmi të rrejshme. Me një fjalë, aty e çmontoi inskenimin që i kishin bërë gjithë rastit organet e ndjekjes”. Megjithatë as kjo ankesë nuk bëri punë fare ngase Gjykata Supreme Ushtarake në Beograd kishte vendosur t’i dënonte mizorisht tetë djem të pafajshëm vetëm e vetëm për të kënaqur apetitet e nacionalistëve serbë.

Shkalla e Tretë në Beograd konfirmon dënimet

Duke pasur parasysh se ndaj këtij vendimi të Gjykatës Supreme Ushtarake në Beograd, brenda 15 ditësh kanë pasur të drejtë të bëjnë ankesë dy të akuzuarit e parë shqiptarë: Rizah Xhakli e Abdylxhemil Alimani kanë shfrytëzuar këtë mundësi të ankohen në Shkallën e Tretë. Avokati i Rizah Xhaklit, mbrojtësi Isa Mustafa dhe avokatët e Abdylxhemil Alimanit, mbrojtësit: Savo Kocarev, Bekir Hyseni e Toma Fila, kanë bërë ankesë në gjykatën kompetente.

Për ta shqyrtuar ankesën e dy të dënuarve me 20 vjet burg, Rizah Xhaklit e Abdylxhemil Alimanit, pa praninë e tyre më 13 tetor 1988 (III K – 2/88) është mbajtur seanca e kolegjit të Gjykatës Supreme Ushtarake në Beograd, e kryesuar nga kolonel mr. Miroslav Stevanoviq, nënkolonel mr. Dimitrije Pavloviq, gjyqtarët porotë: Nënkolonel Xhemail Bejta, nënkolonel Aleksander Krstevski, nënkolonel Kristo Kneziq dhe majori Josip Farçiq, të cilët kanë vërtetuar aktgjykimin e Shkallës së Dytë, në 59 faqe, ku procesmbajtës ishte kapiteni Goran Daloviq.

Rishqyrtimi i jashtëzakonshëm në Gjykatën Federative në Beograd

Ndërsa avokatët e të dënuarve në Procesin e Paraqinit kishin shfrytëzuar mjetin e fundit juridik duke bërë kërkesë për rishqyrtimin e jashtëzakonshëm të aktgjykimit të formës së prerë. Me këtë rast, Gjykata Federative në Beograd, më 30 qershor 1989 (Kps – 129/88), në një panel të përbërë nga gjyqtarë: Obrad Cvijeviq, kryetar i trupit gjykues, Petar Gvozdenoviq, mr. Stefan Horvat, Faruk Presheva dhe Rajko Nishaviq, anëtarë të trupit gjykues, me këshilltarin gjyqësor mr. Olga Borçiq, si procesmbajtës, kanë konfirmuar dënimet për Rizah Xhaklin dhe Abdylxhemil Alimanin, me arsyetimin (10 faqe) se kërkesat për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimeve të plotfuqishme janë të pabaza.

Me gjithë dënimin e rëndë që kishte marrë i riu Rizah Xhakli bashkë me shokët tjerë, organet e atëhershme komunale në Ferizaj nuk ishin të kënaqur me kaq por Sekretariati për Punë të Brendshme i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, më 11. 11. 1987, Rizah Xhalit ia merr edhe pasaportën për udhëtim. Atij, pasaporta i ishte marrë në bazë të urdhëresës së Gjykatës Ushtarake në Nish, nr. KI-105/87, më 19. 10 1987, bëhet e ditur nga Aktvendimi i lëshuar nga Drejtorati për Eliminimin e Kriminalitetit, i nënshkruar nga Stanojko Staletoviq.

Gjithashtu, Xhakli ishte përjashtuar edhe nga Njësiti Profesional i Zjarrfikësve në Ferizaj. Në këtë vend të punës ai punonte para se të shkonte ushtar, mirëpo është larguar nga vendi i punës. Ky vendim ishte nënshkruar nga sekretari i Sekretariatit, Hysni Islami.

Pas nëntë vjetëve lënda e Paraqinit është dëshmuar se ka qenë montim

Zbardhja e së vërtetës për dhe rreth çështjes së rastit të Paraqinit ka vazhduar edhe pas nëntë vjetëve, gjë që është dëshmuar se Procesi i Paraqinit ka qenë një nga proceset gjyqësore më skandaloze jo vetëm të asaj kohe, por edhe sot e kësaj dite. Do të mbahet mend gjithmonë si një ndër proceset e inskenuara dhe më enigmatike sepse kemi të bëjmë me një proces krejtësisht të montuar politik, fund e krye të konstruktuar me perfiditetin ushtarak të KOS-it jugosllav. Procesi i Paraqinit ishte vërtet i tmerrshëm dhe me pasoja të rënda për të dënuarit dhe familjarët e tyre. Përndryshe në histori procesi gjyqësor për rastin e Paraqinit do të jetë turpi më i madh i shekullit XX. Për të dëshmuar se të akuzuarit janë dënuar pa asnjë faj, po publikojmë si dëshmi letrën e ish-gjyqtarit referues dr. Jovan Lj. Buturoviq, i cili ishte pjesë përbërëse e kolegjit të Gjyqit Suprem Ushtarak në Beograd që kishte dënuar ushtarët e pafajshëm me dënime drakonike. Me këtë letër, Buturoviq i ishte drejtuar:

Prokurorit Suprem Ushtarak, Beograd

Më 9 dhjetor 1996 Budimir Gjorgjiq, kolonel në pension, ish prokuror ushtarak në Sarajevë, Avokat pranë Gjorgje Dozetos, ish gjykatësit të Gjykatës Ushtarake në Beograd, tani avokat, para meje ka deklaruar si vijon:

Procesi në të ashtuquajturën Lëndë e Paraqinit ka qenë i montuar. Organet e sigurisë ushtarake nga Nishi kanë nxjerrë nën presion nga të akuzuarit pranim fajësie të rrejshme. Deklaratat e rrejshme mbi fajësinë e të dënuarve janë nxjerrë edhe nga dëshmitarët. On-Budimir Gjorgjiq e ka ditur këtë gjatë gjykimit, dhe këtë e ka kuptuar nga organi i sigurisë ushtarake gjatë kohës së gjykimit. Ai e ka të qartë edhe mënyrën se si organet e sigurisë ushtarake me detyrim kanë nxjerrë pranime të rrejshme nga persona të gjykuar dhe deklarata të rrejshme nga dëshmitarët e intervistuar.

Budimir Gjorgjiq shumë vite (thotë 16 vite) ka punuar në organet e sigurisë. Pastaj ka vazhduar me këtë bashkëpunim edhe deri sa ka punuar në Gjykatën ushtarake edhe deri sa ka qenë në detyrë të prokurorit ushtarak në Sarajevë. Tani mbanë lidhjen me organe të ndryshme në drejtorinë e sigurimit dhe këtë nuk e fshehë, madje, edhe në gjykimin e Velko Miliqit dhe të tjerëve ka folur për këtë. Ai ka shprehur habinë kur i kam thënë se për herë të parë po dëgjoj se e ashtuquajtura Lëndë e Paraqinit është e montuar. Pastaj, më 10 dhjetor 1996 e kam pyetur se a është i gatshëm që deklaratën nga dita e mëparshme ta përsërisë në vendin e caktuar. Ka thënë se është i gatshëm.

Si gjykatës i Gjykatës Supreme Ushtarake kam qenë anëtar i Këshillit, i cili në shkallën e dytë ka vendosur për ankesat në aktgjykimin e Gjykatës Ushtarake në Nish për të ashtuquajturën Lëndë e Paraqinit. Njëkohësisht kam qenë gjykatës raportues për këtë lëndë. Normalisht që kam marrë pjesë në marrjen e aktgjykimit të shkallës së dytë dhe kam qenë për aktgjykimin që është marrë. Për nxjerrjen nën dhunë të fakteve as tani dhe as më vonë, deri më 9 dhjetor 1996, nuk kam ditur asgjë por as në shkresat e lëndës nuk ka asnjë gjurmë të tillë.

Në bazë të asaj që u deklarua ekziston dyshimi se të gjykuarit janë njerëz të pafajshëm, të cilët nuk kanë kryer kurrfarë vepra kriminale për të cilat janë gjykuar. Për këtë arsye propozoj që të paraqitni kërkesën e përsëritjes së procedurës penale ose këtë t’i urdhëroni gjykatësit më të ulët kompetent ushtarak. Konsideroj që për çdo rast duhet të bëhet ekspertiza sipas nenit 407, paragrafi 2 i Ligjit për Procedurën Penale dhe të dëgjohen të gjithë personat, të cilët në çfarëdo forme kanë marrë pjesë në procedurën penale si dhe personat e tjerë në çfarëdo forme mund të ofrojnë çfarëdo informate e veçmas personat nga Drejtoria e sigurisë së atëhershme e APJ-së, sektorët e sigurisë nga sektorët e atëhershme të sigurisë të komandës së II A, pastaj personat që në atë kohë kanë punuar në burgun hetimor të Gjykatës Ushtarake në Nish, mjekët që i kanë vizituar personat etj.

Theksoj që në atë kohë udhëheqësi i Departamentit të Sigurisë i komandës II A, ka qenë koloneli dhe tani gjeneral nënkolonel Geza Farkosh.

Theksoj se në atë kohë ka qenë e krijuar atmosferë linçuese në mjetet e informimit në RSFJ dhe se nga ana e kreut të ushtrisë së APJ-së dhe kreu i RSFJ-së është kërkuar që me çdo çmim të zbulohen dhe të dënohen fajtorët për masakrën në kazermën e Paraqinit. Ju lutem që për këtë iniciativë timen të deklaroheni dhe të merrni vendim konform ligjit.

Dr. Jovan Lj. Buturoviq, rruga “Jurija Gagarina” 174/39, Novi Beograd. (E përktheu nga origjinali: Ibrahim Demiri)

No description available.

 “Nasha Borba”, dëshmi e re për rastin e vrasjes në kazermën e Paraqinit: “Procesi ka qenë i montuar”

Ish-prokurori ushtarak në Sarajevë ka deklaruar se procesi në Lëndën e Paraqinit ka qenë i montuar, ndërsa avokati Jovan Buturoviq i është drejtuar prokurorit suprem ushtarak që të paraqesë kërkesë për përsëritjen e procedurës penale.

Deklarata e kolonelit në pension, ish prokurorit ushtarak në Sarajevë se procesi në Lëndën e Paraqinit ka qenë i montuar është shkas i shkresës së avokatit dr. Jovan Buturoviqit prokurorit suprem ushtarak që të paraqesë kërkesën për përsëritjen e procedurës penale. Rikujtojmë se kemi të bëjmë me vrasjen e 4 dhe plagosjen e 6 ushtarëve në kazermën e Paraqinit 1988, vepër e kryer nga Aziz Kelmendi, pas të cilës, siç është raportuar, ka bërë vetëvrasje. Pas kësaj janë dënuar 8 shqiptarë, kinse bashkëpjesëmarrës, me dënim burgimi nga 4 deri në 20 vjet.

Avokati dr. Buturoviq, i cili në atë kohë ishte gjyqtar raportues në shkallën e dytë, pasi ka arritur deri te njohuritë e reja, ka vendosur që t’i drejtohet prokurorit suprem ushtarak. Në këtë letër ai së pari citon deklaratën e këtij dëshmitari shtesë (i cili ka dashur të jetë anonim për shkak se procedura ishte duke u zhvilluar): Procesi në të ashtuquajturën Lëndë e Paraqinit ka qenë i montuar. Organet ushtarake të sigurisë nga Nishi me detyrim kanë nxjerrë nga të dënuarit pranimin e fajit. Pranimi me detyrim për fajësinë e të dënuarve është nxjerrë edhe nga dëshmitarët.

Dr. Buturoviq deklaron se koloneli vet ka pasur njohuri për këtë gjë edhe gjatë gjykimit dhe se këtë e ka kuptuar nga organet ushtarake të sigurisë. Atij i ishte bërë e qartë edhe mënyra se si organet ushtarake të sigurisë kanë nxjerrë me detyrim pranimin e rrejshëm nga të dënuarit dhe deklaratat e rrejshme të dëshmitarëve të intervistuar. Ky kolonel shkruan, dr. Buturoviq, ka theksuar se gjithashtu ka punuar 16 vite në organet e sigurisë dhe se me këtë bashkëpunim ka vazhduar edhe deri sa ka punuar në prokurorinë ushtarake madje dhe në detyrën e prokurorit ushtarak në Sarajevë dhe se edhe tani mban lidhjen me organet e caktuara në drejtorinë e sigurisë duke mos e fshehur këtë. “ai ka shprehur habinë”, thekson avokati Buturoviç, “kur unë i kam thënë se për herë të parë po dëgjoj për të ashtuquajturin proces të montuar të Paraqinit. Më pas, saktë më 10 dhjetor 1996 e kam pyetur se a është i gatshëm që këto dëshmi t’i përsërisë në vendin e caktuar. Ka thënë se është i gatshëm”. “si gjykatës i gjykatës supreme ushtarake kam qenë anëtar i këshillit, i cili në shkallën e dytë ka vendosur për ankesat ndaj aktgjykimeve të Gjykatës Ushtarake në Nish për të ashtuquajturën Lëndë e Paraqinit”, shkruan Jovan Buturoviq, “njëkohësisht kam qenë gjyqtar raportues në këtë lëndë.

Normalisht që kam marrë pjesë në marrjen e aktgjykimit të shkallës së dytë dhe kam qenë për aktgjykimin që është marrë. Për nxjerrjen nën dhunë të fakteve as tani dhe as më vonë, deri në dhjetor të vitit të kaluar, nuk kam ditur asgjë por as në shkresat e lëndës nuk ka asnjë gjurmë të tillë”.

“Duke marrë parasysh këtë që u tha” avokati Buturoviq i bënë me dije prokurorit suprem ushtarak se “ekziston dyshimi i bazuar se të dënuarit janë njerëz të pafajshëm, të cilët nuk kanë bërë vepra penale, vepra për të cilat janë dënuar. Për këtë propozoj që të paraqitni kërkesën për përsëritjen e procedurës penale ose t’i urdhëroni prokurorisë më të ulët kompetente ushtarake një gjë të tillë. Konsideroj që në çdo rast duhet të bëhet ekspertiza sipas nenit 407, paragrafi 2 i Ligjit për procedurën penale dhe të dëgjohen të gjithë personat që në çfarëdo forme kanë marrë pjesë në procedurën paraprake penale si dhe të tjerët të cilët mund të ofrojnë çfarëdo informatash.

E veçmas personat nga Drejtoria e Atëhershme e Sigurisë së APJ, sektorit të sigurisë të komandës së atëhershme II A, pastaj personat që në atë kohë kanë punuar në burgun hetues, të Gjyqit Ushtarak në Nish, mjekët që kanë vizituar të burgosurit etj. Theksoj që në atë kohë drejtori i repartit të sigurisë pranë kësaj komande ka qenë koloneli e tani gjeneral nënkolonel Geza Farkash.

Në fund dr. Jovan Buturoviq thekson: “Rikujtoj që në atë kohë u krijua atmosfera linçuese në mjetet e informimit në RSFJ dhe që nga ana e kreut ushtarak të APJ-së dhe kreu shtetëror i RSFJ-së është kërkuar që me çdo çmim të zbulohen dhe të dënohen fajtorët për masakrën në kazermën e Paraqinit”.

Këtë shkresë prokurorit suprem ushtarak, dr. Buturoviq, i ka drejtuar më 6 janar të këtij viti. Deri tani përgjigje nuk ka. B.O. Iliq

“Nasha Borba”, më 9. 5. 1987, fq. 17 (E përktheu nga origjinali: Ibrahim Demiri)

Nacionalistët serbë sulmojnë punëtoritë e shqiptarëve në Serbi

Ngjarja e Paraqinit kishte ardhur si rrjedhojë e revoltimit të Aziz Kelmendit me regjimin e atëhershëm jugosllav që ushtronte dhunë e terror të përditshëm ndaj popullatës shqiptare kudo që jetonte në ish-Jugosllavi. Ky veprim i Kelmendit përkon shumë me ngjarjen e 7 nëntorit të vitit 1938, kur një djalosh i ri hebre polak Herschel Grynszpan (16-vjeçar) qëlloi për vdekje diplomatin gjerman Ernst vom Rath, në Ambasadën e Gjermanisë në Paris. Asokohe akti kishte ardhur si pasojë e revoltimit të të riut për shkak të dëbimit të familjes së tij nga Hanoveri në Poloni dhe si pasojë e torturave që kishte filluar të shfaqte regjimi nazist ndaj popullatës hebreike. Mandej, kjo vrasje u përdor si pretekst nga autoritetet naziste për t’i nisur torturat dhe shfarosjen e komunitetit hebre duke filluar nga nata e 9 nëntorit të vitit 1938, kur nazistët gjermanë organizuan demolimin e dyqaneve të hebrenjve në Gjermani. Përndryshe ky veprim i tyre njihet si Kristalnacht (Nata e Kristaltë).

Një veprim të tillë e bëri edhe pushteti serb përmes fushatës së egër mediale. Lajmi për vrasjen e katër ushtarëve dhe plagosjes së pesë të tjerëve kishte zënë vend në të gjitha ballinat e gazetave ditore serbe. Kjo vrasje u përdor si pretekst nga autoritetet serbe për ta nxitur fushatën e madhe antishqiptare, e cila po merrte tiparet e fashizmit dhe çonte drejt fundit politik të Jugosllavisë federale dhe shumetnike. Disponimi antishqiptar i nxitur nga këto media rezultoi me veprime vandale të grupeve nacionaliste serbe. Ditëve në vijim, shumë nga ëmbëltoret, furrat e bukës, kioskat dhe punëtoritë në Serbi, Vojvodinë dhe Mal të zi, pronarë të të cilave ishin shqiptarët, u demoluan. Ky vandalizëm ta kujton “Natën e Kristaltë” të nazistëve gjermanë, por tash të organizuar nga nacionalistët serbë.

Në kumtesën e lëshuar në Beograd më 11 shtator 1987 nga Sekretariati Republikan për Punë të Brendshme të Serbisë, thuhet se vetëm në periudhën prej 3 deri më 11 shtator 1987 në territorin e Republikës së Serbisë u bënë 27 sulme në objekte e persona të kombësisë shqiptare. Në vazhdim po përmendim vetëm disa raste të tilla që janë shkaktuar në Serbi, Vojvodinë dhe Mal të Zi:

Më 6 shtator 1987 në Paraqin u thyen vitrinat e dy ëmbëltoreve “Sport” dhe “Pelivan”. Pronarë të dyqaneve ishin shqiptarë, Demir Menasa dhe Bermedin Ademi. Më 7 shtator 1987 në Valevë u thye vitrina e furrës private e Osman Shaipit. Më 8 shtator 1987 në qendër të Leskovcit u thye me gurë vitrina e ëmbëltores “Egipat”, pronar i së cilës ishte Abdulla Ilijazi.

Më 9 shtator 1987, në Suboticë u thyen xhamat në dy objekte, pronar të të cilave janë shqiptarët. Në shënjestër ishin kafeneja e pronarit Abdi Nishat Abdiut dhe ëmbëltorja e Remzi Abdyl Rufatit. Kjo vepër është bërë si formë e manifestimit të disponimit antishqiptar.

Më 11 shtator 1987 u thye në Valevë vitrina e ëmbëltores “Tip-top”, pronë e Mesut Memetit. Më 13 shtator 1987, në Suboticë nga huligan u thye vitrina e dyqanit privat të bukës të Isuf Fetahut. Ndërkaq, në Nikshiq u thyen vitrinat e tri ëmbëltoreve, njëri nga pronarët e tyre ishte shqiptar ndërsa dy tjerët myslimanë.

Në mëngjesin e 14 shtatorit të vitit 1987, në Smederevë nga Zhivoin Joksiq u thye vitrina e qebaptores së Mehmet Dautit. Në Smederevë, asokohe kishte mjaft dyqane, pronarë të të cilave ishin shqiptarë.

Në natën ndërmjet 16 e 17 shtatorit të vitit 1987, në qendër të Aleksincit, u thyen me gurë vitrinat e ëmbëltoreve të Xhemail Musës nga rrethi i Prizrenit dhe Anastasie Topçevskit nga Maqedonia.

Dënime për kundërvajtje për solidarizim me Aziz Kelmendin

Meqenëse Serbia historikisht gjithmonë ka ushtruar dhunë e terror ndaj popullit shqiptar sidomos pas ngjarjeve të vitit 1981 kishte ashpërsuar fushatën propagandistike dhe veprimet e drejtpërdrejta kundër institucioneve të Kosovës. Kjo bëri që shqiptarët në mënyra të ndryshme të vetorganizohen kudo që ishin në mbrojtje të qenies së vet kombëtare. Është interesante se rasti Paraqinit nga institucionet dhe mediet e atëhershme të Kosovës dënohej publikisht mirëpo populli në heshtje e kishte mbështetur veprën heroike të dëshmorit Aziz Kelmendi, meqë nga zullumi i madh që u bëhej ushtarëve shqiptarë që shërbenin në armatën jugosllave u kishte ardhur shpirti deri në majë të hundës. Madje edhe në atë kohë shumë të vështirë që kalonte populli ynë kishte individ nga të gjitha trojet shqiptare në ish-Jugosllavi që u solidarizuan me Aziz Kelmendin. Edhe pse deklaratat e tyre ishin delikt verbal janë dënuar me nga 60 ditë burgim. Ndonëse kishte shumë, po përmendim vetëm disa raste të tilla:

Më 9 shtator 1987, Gjyqi Komunal në Nikshiq, Bilall Avdylaj (29-vjeçar) nga Çitaku, afër Skënderajt, punëtor i organizatës ndërtimore “Prvoborac” në Nikshiq u dënua me 60 ditë burg për shkak të solidarizimit me Aziz Kelmendin. Menjëherë është dërguar në vuajtjen e dënimit në Shtëpinë Korrektuese – Përmirësuese “Vele Brdo” në Spuzh, afër Podgoricës së Malit të Zi.

Më 11 shtator 1987, Gjykata Komunale për Kundërvajtje në Hercegnovi ka dënuar me 60 ditë burg, Sherif Koliqin (23-vjeçar) nga Peja. Menjëherë ishte dërguar në vuajtje të dënimit. Koliqi ndodhej përkohësisht në Hercegnovi dhe për shkak se më 7 shtator 1987 në restorantin “Privnica” gjatë lajmeve në radio ishte folur për Aziz Kelmendin dhe për te kishte thënë: “Unë atij do t’ia kisha dhënë një dekoratë rreth qafe”.

Më 11 shtator 1987, Nezir Dalipi (59-vjeçar) nga Ohri, punëtor i shkritores së OP “Zastava – Heroi Toza Dragoviq” në Ohër u pezullua nga puna ngase u solidarizua me Aziz Kelmendin. Neziri, më 4 shtator 1987, duke punuar në ndërresën e dytë, kishte komentuar ngjarjet lidhur me rastin e Paraqinit dhe me atë rast shoqës në punë, Vesela Rajkoviqit, i kishte thënë: “Kështu duhet vepruar me gjithë ju”. Krahas pezullimit nga puna, SPB-ja e Ohrit kishte dorëzuar fletëparaqitje për kundërvajtje.

Më 12 shtator 1987 në Gjyqin Komunal të Plavës u dënua me 60 ditë burg Musli Hakanjini, inxhinier i repartit në KPI “Bor” për shkak të solidarizimit me Aziz Kelmendin. Inxhinieri Musliu në praninë e drejtorit të vet Millomir Millosheviq për rastin e Paraqinit kishte thënë: “Edhe unë do ta bëja këtë!”

Në mbledhjen e Shoqatës numër 2 të Bashkësisë Lokale të Korreticës së Epërme (Drenas), të mbajtur në mbrëmjen e 18 shtatorit të vitit 1987, pensionisti Vesel Balaj nga Korretica e Epërme, kishte shprehur publikisht qëndrimin e vet për rastin në Kazermën e Paraqinit, i cili asokohe ishte solidarizuar me ushtarin Aziz Kelmendi duke thënë: “Ndoshta Azizi nuk ka pasur kah t’ia mbajë”. Për këtë, anëtarët e Shoqatës në fjalë, ishin kacafytur me te dhe me dhunë e nxjerrin nga tubimi. Të nesërmen pasdite, më 19 shtator 1987, me procedurë të shpejtë, Gjykata për Kundërvajtje e Gllogovcit, kishte dënuar pensionistin Vesel Balaj me 60 ditë burg për “eksponim destruktiv” dhe menjëherë e kishin dërguar në vuajtje të dënimit.

Më 30 shtator 1987 në Gjykatën Komunale të Tetovës iu shqiptua dënimi me 60 ditë burg Qatig Ismajlit (39) nga Tetova vetëm pse ka përkrahur haptazi Aziz Kelmendin në praninë e punëtorëve të kantierit të gjashtë të “Betoni”-t në Tetovë, duke thënë se edhe ai do të vepronte ashtu.

Më 19 janar 1988 Gjykata Komunale për Kundërvajtje e Tetovës ka dënuar me 60 ditë burgim Gani Ibrahimin (19-vjeçar) për shkak se më 13 janar 1988 në vendin e tij të punës “Makedonia Tabak” në Tetovë në praninë e punëtorëve të tjerë ka arsyetuar veprimin e Aziz Kelmendit në Kazermën e Paraqinit.

Aziz Kelmendi shpallet dëshmor i kombit dhe emërohen disa rrugë me emrin e tij

Në shenjë nderimi dhe kujtimi të qëndresës fisnike të dëshmorit Aziz Kelmendi, Kuvendi i Komunës së Shtimes, më 5. 4. 2013 ka pagëzuar një rrugë me emrin e tij. Një gjë të tillë e ka bërë edhe Komuna e Prishtinës, Prizrenit, Kamenicës, Lipjanit, Ferizajt etj. Ndërsa, më 2 shtator 2002 Unioni i Pavarur i Studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, me rastin e përkujtimit të përhershëm të studentit tonë të nderuar Aziz Kelmendi, në 15-vjetorin e rënies nga armata serbo-sllave, në shenjë respekti dhe nderimi dekoron me “Student Martir”.

Ndërkaq, më 13 prill 2017, nr. prot. 0/2873, Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të Internuarit të UÇK-së, pas tridhjetë viteve shpalli Dëshmor të Kombit Aziz Sadik Kelmendin. Certifikata e dëshmorit në fjalë është nënshkruar nga kryetari i Komisionit, gjenerallejtënant Agim Çeku, komandant i ShP të UÇK-së.

Me rastin e 30-Vjetorit të ngjarjes së Paraqinit, më 3 shtator 2017, Shoqata e Dëshmorëve e Luftës së UÇK-së në Prishtinë i kishte dhënë Mirënjohje familjes së Dëshmorit të Kombit Aziz Kelmendi.

No description available.

Foto; Besim Kelmendi, me armë në dorë në vija të frontit gjatë luftës së UÇK-së

Porosia e Aziz Kelmendit u çua në vend

Gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar për rastin “Paraqini” u tha se Aziz Kelmendi ishte për idenë që Kosova të fitojë statusin e Republikës, për realizimin e së cilës kishte potencuar se duhet të zhvillohet luftë e armatosur. Prandaj, për ta çuar amanetin e tij në vend, pas 12 vjetëve Besim Sadik Kelmendi (vëllai i Azizit) në vitin 1999 nga mërgimi iu bashku luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ishte pjesëtar i Brigadës 138, ku mori pjesë në mënyrë aktive në Betejën e Kosharës.
No description available.

Foto: Afrim Mehmeti, komandant i Kompanisë së Parë të UÇK-së në Mollopolc (ZON)

Ndërkaq, Afrim Mehmeti, i frymëzuar si i ri me ide përparimtare nga shoku i tij i ngushtë i ushtrisë Aziz Kelmendi, në gusht të vitit 1998 ishte rreshtuar përkrah radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Nerodimes. Ai në ZOP ishte komandant i Kompanisë së Parë të UÇK-së në Mollopolc të Shtimes, në Batalionin e Parë të Brigadës 161 “Ahmet Kaçiku”. Ndërsa nga viti 1998 në Zonën Operative të Llapit, pjesë e lavdishme e UÇK-së ishte bërë edhe Pajazit Aliu, që dikur ishin së bashku në shërbim me Aziz Kelmendin në Paraqin. Falë luftës së lavdishme, më 12 qershor 1999 Kosova është çliruar përfundimisht nga Serbia dhe më 17 shkurt 2008 është bërë shtet i pavarur ashtu siç dëshironte edhe vet Aziz Kelmendi.

Gjatë kohës sa zhvillohej lufta në Kosovë, Rizah Xhakli ishte ende në vuajtje të dënimit në burgun e Pozharevcit, ndërsa Abdylxhemil Alimani e ka përjetuar masakrën e Dubravës më 19-24 maj 1999, ku ishte plagosur rëndë në një pusetë, deri sa aty ishte strehuar së bashku me nëntë shokë tjerë. Mbi ta gjatë natës nga gardianët dhe paramilitarët serbë ishin hedhur bomba dore. Katër nga ata kishin shpëtuar nga plagët, mirëpo pesë të tjerë, kishin mbetur të plagosur rëndë, njëri nga të cilët pas dy-tri dite kishte vdekur. Alimani kishte marrë shumë plagë në tërë trupin e tij, mirëpo ai kishte pasur një kurajë të pashoqe saqë as gjëmë nuk kishte lëshuar, tregojnë shokët e tij.

No description available.

Foto: Rizah Xhakli gjatë vuajtjes së dënimit më 1990 në KPD “Zabela” – Pozharevc

Pas luftës së Kosovës, Alimani nga Burgu i Pozharevcit ishte ekstraduar në Burgun e Idrizovës në Maqedoni, ku nga atje ishte liruar defenitivisht më 22 tetor 1999.

Në biseda me shokët shqiptarë që shërbenin si ushtarë në Kazermën e Paraqinit, Azizi gjithmonë kishte potencuar se shqiptarët në Jugosllavi nuk kanë të drejta të barabarta, me theks të veçantë kishte thënë se shqiptarët në Maqedoni po jetojnë nën presion. Andaj, për t’i gëzuar këto të drejta të barabarta si gjithë popujt tjerë, në maj të vitit 2001 Abdylxhemil Alimani kishte çuar porosinë e Azizit në vend duke iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, ku si rezultat i kësaj lufte çlirimtare, më 13 gusht 2001 është nënshkruar Marrëveshja e Ohërit, përmes së cilës është konfirmuar se shqiptarët në Maqedoni janë etni shtetformuese.

No description available.

Foto: Abdylxhemil Alimani gjatë shërbimit në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në “Anfield Road” Manchester City i dha një leksion futbolli…