FËMIJA I PALINDUR

27 shtator 2018 | 14:12

Adem Gashi

Një monografi për një ngjarje shumë të njohur nga një autor “i panjohur”. E, megjithatë, ne nuk i prekim kufijtë e njohjes, kufijtë e të dukshmes dhe të të padukshmes. Pikiata e hulumtimit të Afrim Hysenajt lëshon spirancën këtu e dy dekada më parë, pikërisht në Abri të Epërme, ku kishte ndodhur hataja, masakra e familjes Deliaj nga forcat serbe. Jehona e kësaj ngjarjeje, nga një fshat i vogël, kishte përthekuar globin.

Duke e lexuar sot këtë monografi ne bindemi se nuk dinim asgjë më shumë se një maje ajsbergu dhe ritmi i kohës, si një det veriu, mbulonte edhe më shumë me vellon e tij të akullt një vullkan që ziente përbrenda.

Hysenaj, duke qenë një nga dëshmitarët e parë të kësaj masakre, sikur i thotë vetes: lëviz ti një çikë mekanizmin e lëri të tjerët të flasin. Në këtë plan më vjen goxha i çuditshëm qëndrimi i tij dhe forca për ta disiplinuar vetveten, për ta ruajtur distancën emocionale, për ta fjetur subjektivizmin deri në shkallën e një vrojtuesi asnjënës. Sikur thotë, “unë po bëj vetëm regjistruesin e rrëfimeve tuaja”. Kjo është ajo që njihet si disiplinë shkencore e një shkalle të admirueshme, aq më tepër, kur në planin e kulturës shkrimore, ai vjen me një përvojë shumë modeste. Dikush nga cinikët mund të thotë, “po ç’iu desh kjo atij!?”, dhe ai, prapë me modesti olimpike, mund t’ua kthejë: “Ju ndaloi njeri ta bënit ju?”

Gjëra të arkivuara autori ka ruajtur tash e dy dekada, po ngulmimin hulumtues me përqendrim e bën tash e një vit. Në plan të strukturës ai ka vizatuar një kornizë sinopsisi prej shtatë kapitujsh, duke e nxjerrë në plan të parë MEMO-n, ku shpalon fabulën e tragjedisë thuaja në mënyrë telegrafike. Pastaj me rëndon një për një dëshmitë e drejtpërdrejta të atyre që e mbijetuan tragjedinë, të atyre që qenë ndër të parët që e panë, të atyre që bënë varrimin, të atyre që u dhanë zë edhe zërave të të vrarëve.

Në aspektin tipologjik, monografia “Toka skuq e qielli nxin” tejkalon modelin panoramik dhe metodikën teorike shkollore, duke i dhënë dorë ndërtimit në formë mozaiku, ku pleksën lirshëm fakti, arti, jeta.

Dëshmitë gojore të bashkëfolësve Hysenaj na i sjell me tërë autenticitetin, pa prekur e ndërhyrë në strukturën gjuhësore sintaktike, pa retushuar e korrektuar shprehjet, frazat e konstruktet sa dialektore, po aq edhe krahinarizmash; sa gjysmëstandarde, po aq edhe standarde. Një punë me durim e vullnet të skajshëm.

Ndoshta këtu qe e rendit të shtroja për diskutim, që në krye të herës, titullin e monografisë. Përse nuk e bëri thjesht “Masakra e Abrisë së Epërme”? Ndoshta nga mëtimi për ta thyer klishenë, skemën! Ndoshta nga përkushtimi për ta ngjyrosur skenën e atyre ditëve e netëve, kur të strehuarit nëpër tenda maleve s’shihnin tjetër veçse granata, predha, plumba që skuqnin tokën, nën një qiell të brustë e të nxirë!

Përtej punës-detyrë prej redaktori, me Afrimin kemi ndenjur shumë e jemi takuar shpesh gjatë kësaj kohe. Më kërkonte ai, e kërkoja unë. E shihja se si lëvizte labirintit të ferrit të Dantës për ta nxjerrë në ditën për diell atë të padukshmen, të panjohurën. Një hutim intelektual që i lexohej në sy, në gojë, në ballë, sikur pyeste: “A do t’ia dal?”

Ai na e solli këtu në tërë përmasën masakrën e Abrisë së Epërme: tragjedinë, dramën, vuajtjen, persekutimin, çmendinë njerëzore të pushtuesit; ai na e solli këtu listën e të vrarëve, e të masakruarve, të të mbijetuarve; ai na i solli këtu fotografitë e tyre, jetëshkrimet e tyre, varret e tyre; na e solli vogëlushen disajavëshe të mbijetuar nën trupin e nënës së vrarë; na e solli Valmirin me biberon, të vrarë pa i mbushur dy vjet; na e solli… Ah, mbani frymën! Na e solli FËMIJËN E PALINDUR që priste vetëm ditët të vinte në jetë. Një nuse në muajin e nëntë të shtatzënisë. Halla i thotë: “Moj bijë, unë e kam gjetë emnin e këtij fëmije. Do t’i them Malsor ose Malsore, se në mal e nisi jetën dhe ka me ardhë me emnin e vet”. Jo, ai nuk erdhi. E vranë pushtuesit mizorë duke ia masakruar të ëmën. Fëmija i palindur, “Malësori” ose “Malësorja”, nuk ka as varr, por ka djepin e përjetshëm në mitrën e nënës. Mjaft! Nuk mban më NJERIU.

Ja, këtë na e solli Afrim Hysenaj. Kjo është monografia, ndër më të veçantat për luftën, që na dëshmon se ku i ka rrënjët liria jonë sot.

 Prishtinë, shtator 2018

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me…