Femra shqiptare është themeli i ndryshimit politik në Maqedoninë e Veriut

27 gusht 2025 | 08:51

Shkruan: Astrit Gashi 

Roli i gruas shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka qenë një nga temat më të anashkaluara në diskursin politik të deritanishëm. Për dekada me radhë, politika patriarkale e reduktoi gruan në funksion dekorativ, e instrumentalizoi për votë, e shantazhoi përmes varësive institucionale e shoqërore, dhe e trajtoi si element periferik të pushtetit. Ky reduktim nuk është vetëm padrejtësi sociale por është tregues i një krize të thellë demokratike. Një shoqëri që përjashton gjysmën e vet nuk mund të pretendojë barazi, drejtësi apo përfaqësim të vërtetë.

Statistikat flasin vetë së mbi 60% e elektoratit shqiptar përbëhet nga gra. Kjo shumicë nuk mund të trajtohet më si “masa e heshtur”, e cila vetëm voton e nuk vendos. Çdo proces zgjedhor në dekadat e fundit është fituar ose humbur në bazë të mobilizimit të grave. Ato janë vula e rezultatit politik. Në këtë kuptim, përjashtimi i tyre nga vendimmarrja nuk guxon të ndodhë sepse është edhe vetëvrasje strategjike për çdo subjekt që pretendon të jetë përfaqësues.

Takimi i fundit i Forumit të Gruas në Çair me kandidatin për kryetar, Izet Mexhitin, nuk ishte thjesht një aktivitet partiak. Ai ishte një mesazh i qartë së gruaja shqiptare është uragan i ndryshimit është gati të marrë vendin që i takon. Ky moment i imponon koalicionit VLEN një detyrim të ri moral dhe politik të mos e përsërisë mëkatin e atyre që e shantazhuan dhe e margjinalizuan gruan shqiptare, por të ndërtojë një standard të ri përfaqësimi. Sot, kur shteti maqedonas ka një presidente, pse edhe shqiptarët të mos vendosin një grua si vulë të ndryshimit politik që tashmë po ndihet në çdo lagje dhe në çdo komunë?

Një femër shqiptare në majat e përfaqësimit politik nuk është më utopi por është domosdoshmëri historike. Historia tashmë e ka dëshmuar këtë që kur Shkupi i ka dhënë botës Nënën Terezë si simbol universal i humanizmit, kjo është dëshmi se gruaja shqiptare jo vetëm që ka kapacitete, por edhe autoritet moral për të transformuar politikën jo vetem vendore por dhe të jetë emblemë e humanizmit.

Në këtë kuadër, reflektimi është i pashmangshëm së pa përfaqësim real të grave shqiptare në institucione nga komunat deri në qeveri çdo premtim për barazi, drejtësi dhe demokraci mbetet i zbrazët. Fuqizimi i tyre është njëkohësisht strategji politike dhe moralitet shoqëror.

Në fund, filozofia e ndryshimit është e qartë. politika nuk mund të mbetet më arenë e burrave, ku gruaja shihet si figurë e dorës së dytë. Përkundrazi, vetëm duke e vendosur gruan shqiptare në qendër të procesit vendimmarrës, ndryshimi do të jetë i besueshëm, i qëndrueshëm dhe i përbashkët. Sepse janë gratë ato që jo vetëm votojnë por edhe vulosin ndryshimin dhe e bëjnë atë të pakthyeshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar…