
Festivali i 64-t i Këngës në RTSh, afati për dorëzimin e këngëve mbyllet më 30 shtator
Kanë mbetur edhe pesë ditë deri në mbylljen e afatit për artistët që duan të marrin pjesë në edicionin e 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH.
Data e fundit për dorëzimin e materialeve muzikore është 30 shtatori dhe aplikimi bëhet vetëm përmes email-it zyrtar: [email protected].
Stafi drejtues i Festivalit ju kujton artistëve dhe krijuesve të sjellin vetëm krijime të reja dhe të papublikuara në asnjë formë tjetër. Në email çdo pjesëmarrës duhet të dërgojë:
Këngën e plotë në formatin MP3;
Orkestralen, bashkë me zërat shoqërues në formatin MP3;
Tekstin (poezinë) e këngës në formatin Word;
Minutazhi i këngës nuk duhet të kalojë 4 minuta;
Emrat e autorëve të këngës (kompozitor, poet, orkestrues, producent, studio realizuese);
Ditën e lindjes, vendlindjen dhe vendbanimin aktual të këngëtarit;
Një përshkrim të shkurtër të aktivitetit të këngëtarit, përfshirë pjesëmarrjet e tij në festivale, si Festivali i Këngës në RTSH, Kënga Magjike apo evente të tjera muzikore të rëndësishme (nëse ka);
Fotografi të artistit ose grupit performues, nëse është hera e parë që merr pjesë në festivalin e RTSH;
Artisti performues (këngëtari) duhet të ketë mbushur 16 vjeç;
Numër kontakti dhe email për komunikim direkt me stafin e Festivalit.
Një element i veçantë i këtij edicioni është se këngët e krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale do të skualifikohen menjëherë.
Festivali i Këngës në RTSH, që prej dekadash mbetet skena më prestigjioze e muzikës shqiptare, i jep fituesit mundësinë të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong.