
FFK-ja organizon kursin e radhës për Licencën A për trajnerë
Federata e Futbollit e Kosovës do të organizojë kursin e trajnerëve për Licencën – A. Kursi do të fillojë me datën 30 qershor dhe do të përfshijë fazën e ligjëratave, punën praktike, monitorimeve ne klube dhe atë të provimeve.
Kriteret e pranimit në kurs janë: dëshmi mbi shkollimin (minimum diploma e shkollës së mesme), vërtetim nga Policia rreth dosjes penale, certifikatë shëndetësore pranë QKMF-së, kopja e Licencës B, formular aplikimi.
Kursi kërkon pjesëmarrjen aktive në teori dhe praktikë, gjithashtu trajnerët duhet ta përgatisin vetveten fizikisht për këtë kurs. Në fazën e fundit të kursit (në dhjetor 2025) kandidatët do t’i nënshtrohen provimit. Trajnerët të cilët i përfundojnë me sukses provimet do të marrin UEFA A-Licencë. Licenca A është kriter për licencën e ardhshme – UEFA Pro.
“Trajnerët e interesuar janë të obliguar të aplikojnë online, ose të paraqesin dokumentet e nevojshme pranë zyrave të FFK-së deri më 6 qershor. Të gjitha aplikimet online ose informatat shtesë rreth kursit mund t’i merrni përmes email-it: [email protected]. Në total 24 do të jetë numri i të pranuarve në këtë kurs. Aplikimet e mëvonshme dhe të pakompletuara nuk do të merren parasysh”, thuhet në njoftimin e FFK-së.