FILLIMI I NJË MEDITIMI PËR EMRIN

19 qershor 2020 | 11:11

Bedri Islami

Lavdia u takon atyre që flijohen për vizione të mëdha (10)

Pa as më të voglin dyshim që emri i Adem Jasharit është ndër më të njohurit dhe më të respektuarit në të gjitha trevat shqipfolëse dhe në bashkëkombësit e tij. Është ndër rastet e rralla të historisë njerëzore, jo vetëm të kombit tonë, kur emri i njeriut, në fare pak kohë, i dalë si nga legjenda, bëhet simboli i popullit të tij. Tashmë, ndryshe nga 5 marsi i vitit 1998, kur ishte e zakonshme të pyetej se “kush është Adem Jashari”, ( pyetja ngeli pa përgjigje vetëm në një ditë lufte) rreth emrit të tij është ngritur miti, legjenda dhe e vërteta. Sa lidhje kanë ato me njëra-tjetrën, ku është fillesa e njërit dhe vazhdimi i tjetrës, në cilin kufi ndahen ata nga njëra-tjetra apo, të tria së bashku, duke mos qenë, veçse vazhdim i njëra-tjetrës, përbëjnë atë që sot mund të quhet “çmimi Nobel i lirisë”, si është shprehur në ditët e para të pasluftës, ministri i sotëm i Jashtëm francez, Bernard Kushner.

Në historinë e kombeve, si dhe në historinë e kombit tonë, ka jo pak shembuj, për të mos thënë se ka mjaft të tillë, në të cilat sakrifica sublime, qëndresa, përkushtimi, janë shfaqur si simbole, nga të cilat është mbajtur gjallë historia. Kjo ka ndodhur edhe te ne. I janë dashur kombit tonë simbole të herëpashershme, të cilët kanë marrë pas vetes edhe të ardhmen, në një mënyrë ose në një tjetër ata janë bërë fatthënësit dhe dalzotësit e kombit që i kanë takuar. Mirëpo, ata kanë mbajtur një brez, një ngjarje, një qëndresë, një luftë, kanë pasur një përkushtim, janë ngritur mbi epokën e tyre, duke u bërë pjesë edhe e epokave që do të vinin. Brezat janë përkulur në nderim të veprës dhe qëndresës së tyre.

Sidoqoftë, në këtë plejadë qëndrese, në të cilat janë ndeshur burra që kanë zgjidhur hallet e popullit të tyre me armë dhe burra që u kanë paraprirë me pendë, ka qenë pa dyshim saktësisht e qartë, se miti i krijuar mbi jetën dhe luftën e tyre, aq sa ka qenë i vërtetë, aq ka qenë dhe njerëzor, aq sa ka qenë i saktë, aq ka pasur edhe përmasat e së panjohurës, në të cilat vitet dhe dekadat kanë sjellë zbehjen ose, jo rrallë, edhe rëndimin e kujtesës.

Ata që qëndruan në memorien e kombit si të përhershëm nuk e bënë vetë këtë, thënë të drejtën as nuk e deshën këtë, por gjithçka erdhi natyrshëm, deri sa njerëzit i bënë pjesë të jetës së tyre të përditshme.

Por rasti i Familjes Jashari ishte i një natyre krejt të veçantë. Për t’u ngritur miti i tyre nuk u deshën vite të shumta e as dekada, nuk u desh që të trasohej rruga, të qetësoheshin ngjarjet, të merrnin rrugë ato; miti i tyre u ngrit vetvetishëm dhe kjo ndodhi që të nesërmen e rënies së tyre.

Kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë, kjo nuk kishte ndodhur as në rastin e famëmadhit dhe burrit më të shquar të kombit tonë, Gjergj Kastriotit. Në rastin e mësipërm, të Gjergjit, ai kaloi përmes tri fazave, në të cilët kalojnë personalitetet e mëdha të historisë. Si e cilëson Fan Noli, në librin e tij mbi jetën dhe veprën e Skënderbeut, emri i tij kaloi përmes glorifikimit që i bënë bashkëkombësit e tij, pastaj përmes mohimit të plotë që i bënë ata që erdhën pas tij, dhe së fundi – në drejtpeshimin e gjërave dhe ngritjen e lavdisë së përjetshme.

Adem Jashari nuk kaloi përmes një rruge kaq të gjatë. Ai e kishte pasur një fat tjetër, ai e kishte pasur mohimin para se të vinte dita e 5 marsit dhe rrethimi për herë të tretë i Kullave të Jasharëve. Ai, si të thuash, kishte kaluar përmes së keqes që vinte nga zyrat e Velanisë, nga mallkimet e përbaltjet që i hidhnin prej andej, kishte fshirë me mantelin e tij të luftës përbuzshëm gjithë mllefin dhe helmin që rridhte si ujërat e shirave dhe kishte bërë më tutje. Në se kishte qenë i lëçitur nga politika e ditës së Prishtinës, Adem Jashari kishte pasur fatin, që duke i takuar një populli që i kishte besuar, kishte ecur në rrugën e tij, e cila ishte tejet e pakrahasueshme me rrugëzimet e pafund, herë gjysmë sllave dhe herë gjysmë përçarëse të njeriut që kishte lëçitur luftëtarët. Përpjekjet që bëhen sot, për të vënë një linjë barazimi mes njeriut lëçitës, të cilit nuk i përmend emrin për të mos e vënë pranë emrit të Jasharëve, janë veçse dështime të tjera të politikës ditore. Për më tepër ata janë të dhimbshme, kur bëhen nga njerëz që i kanë takuar një mendimi të ri politik dhe filozofie të re politike në Kosovë.

Rikthim tek ideja e ujëvarës, lumit dhe deti të lirisë

Kam shkruar më sipër se fillimisht Adem Jashari do të jetë një ujëvarë lirie, do të kthehet pastaj në lum që rrjedh drejt lirisë, për t’u kthyer në det lirie.

Si ndodhi kjo?

– Përse ndodhi, menjëherë pas rënies, mitizimi i Adem Jasharit dhe ngritja e legjendës së tij?

– Ishte një rastësi, një thirrje e kohës, pasi populli kishte nevojë për një mit dhe për një legjendë, ishte kërkesë apo gjithçka ishte e vërtetë dhe kjo e vërtetë po fillonte të bëhej qartësisht e lexueshme për të gjithë, për pasuesit e tij, por edhe për mohuesit e tij?

Që pas 8 marsit të vitit 1998 emri i Adem Jasharit, bacës Shaban, Hamzës, dajës Osman dhe i gjithë atyre që luftuan në atë fillim marsi, i kullave që u shkrumbuan, i jetës që u dha, i pushkëve që u ngritën, i luftës deri në sublimitet, u bënë fillesa e simbolit të popullit që i takonin. Për këtë nuk u desh asnjë dekret, dhe si të tillë askush nuk mund ta nxirrte, nuk u mor asnjë vendim, nuk u bë asnjë mbledhje e veçantë, gjithçka rrodhi krejt natyrshëm, tepër njerëzore, sublime do të thosha, deri në atë kufi ku kufiri mes mitit, legjendës dhe të vërtetës, nuk është kurrë qartësisht i përcaktuar, sidomos në ditët e para.

A kishte një shkak tjetër, po ashtu aq madhor dhe sublim, sa edhe rënia e tyre, që solli mitizimin e menjëhershëm të Adem Jasharit?

– Sigurisht që po. Në ditët e para të pasrënies së tij dhe bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë e natyrshme që ana figurative, emocionale, e prekshme, e dhimbshme, më e kapshme – lufta, qëndresa dhe sakrifica, të ishin më evidentet.

Mirëpo këto nuk mjaftojnë për të bërë një mit, ata shumë – shumë mund të bëjnë një shembull, një prijës të ditës, një emër për t’u ndjekur, ata mund të bëjnë një këngë ose shumë këngë – por nuk mund të bëjnë mitin Njeri, nuk mund të hedhin bazamentin e legjendës, e cila në këtë rast, nuk është asgjë tjetër, veçse e vërteta.

Për të kaluar nga emri i njeriut luftëtar, jo shumë i njohur jashtë Drenicës dhe jo shumë i njohur jashtë strukturave të organizuara të luftës, Adem Jasharit nuk iu deshën më shumë se 48 orë. Që nga dita kur kishte vendosur të zgjidhte çështjen e Kosovës përmes pushkës dhe deri në ditën e rënies së tij, ishin më shumë se dhjetë vite aktivitet ilegal, legal e gjysmë legal, mirëpo edhe kjo nuk do të ishte e mjaftueshme për të shpjeguar mitin e jashtëzakonshëm të Jasharëve. Që nga dita kur ishin hedhur themelet e para të Fisit të Jasharëve në Prekaz dhe deri në ditën kur do të digjeshin për herë të fundit kullat e tyre do të kishin kaluar treqind vite – mirëpo edhe ky autoktonitet, nuk i ka të gjitha në vete.

Në Drenicë, por edhe jashtë saj, kishte pasur Kosova burra të mëdhenj, të ndritur do të thosha, të cilët ishin sakrifikuar deri ku nuk mbante më, dhe këtë e kishin bërë krejt natyrshëm, duke dhënë pasurinë, bijtë e bijat e tyre, duke e shkuar gjithë jetën luftërave dhe në fund duke dhënë edhe jetën e tyre. Ata e kanë lënë emrin e tyre në historinë e kombit – mirëpo, kjo që po ndodhte në rastin e mitit të Jasharëve do të ishte diçka krejt e re dhe krejt ndryshe në historinë tonë.

Një shembull i përjetuar: me 9 mars 1998, pra dy ditë pas përfundimit të luftës në Prekaz, në qytetin e Shtutgartit, Lëvizja Popullore e Kosovës, do të organizonte një manifestim të madh kundër dhunës dhe pushtimit serb të Kosovës. Ishte manifestimi i parë i madh që bëhej. Organizatorët kryesorë të tij ishin Kushtrim Hadergjonaj, Sheradin Berisha, Gëzim Avdimetaj e të tjerë. Së bashku me profesor Hasan Ukhaxhajn ishim ftuar, si drejtues të Lëvizjes, për të folur në këtë Manifestim. Në sheshin e madh ishin më shumë se njëzet mijë vetë.

Ende nuk dihej saktësisht se çfarë kishte ndodhur në Prekaz, lajmet vinin të paqarta deri në fund, as në familjen Jashari që jetonte në Mynih, ende asgjë nuk ishte e qartë. Pikërisht në këtë shesh, për herë të parë, pa kaluar as 48 orë nga vrasja e tyre, emri i Adem Jasharit gjëmoi. Kam parë njerëz që e thërrisnin emrin e tij me gjithë shpirt duke valëvitur flamurin kombëtar, sikur shpirti i tij ishte tashmë në palët e flamurit. Ishte një thirrje e re, krejt e veçantë, nga askush e orientuar, e dalë nga thellësia e shpirtit, megjithëse ende kishte shumë e shumë njerëz që pyesin se “kush është Adem Jashari”.

Një javë më vonë, Lidhja Demokratike e Kosovës, në qytetin e Mynihut, nuk lejoi të vihej fotografia e tij në qendër të manifestimit dhe kjo do të ishte nga përpjekjet e fundit të hapura për prishjen e mitit dhe çlegjendizimin e emrit të Adem Jasharit. Pak kohë më vonë, kam parë të njëjtët njerëz duke u përbetuar se kanë qenë miqtë më të mirë të tij dhe të familjes së tij. Por kjo është një histori tjetër.

Unë kthehem edhe një herë tek pyetja ime:

– ishte rastësi, kërkesë e kohës apo ishte gjithçka e natyrshme, njerëzore dhe saktësisht e merituar?

Ne jemi mësuar ta shohim në fotografi të ndryshme Adem Jasharin, gjithnjë me armë në dorë, me pelerinën e luftës hedhur krahëve, me mjekrën e derdhur si ujëvarat e bjeshkëve të Sharrit, me shikimin e tij të papërsëritshëm – sytë e tij flasin më shumë se qindra deklarata, jemi mësuar edhe ta përfytyrojmë një njeri që vetëm ka luftuar, ka organizuar aksione, ka qëndruar, ka mposhtur armiqtë, ka ngrohur zemrat e njerëzve. Kështu jemi mësuar dhe të gjitha këto, duke qenë të vërteta, janë njëkohësisht edhe të paplota.

Njerëz që e kanë shkuar jetën me armë kemi pasur gjithnjë, me pelerinën hedhur krahëve kemi pasur po ashtu, që janë vrarë burrërisht me gjithë njerëzit e fisit të tyre, ka ndodhur edhe kjo; sepse na është dashur të luftojmë në shumë dekada. Ka pasur burra si Isë Boletini që në një thirrje të tyre ngrinin në këmbë deri në 15 mijë vetë dhe hynin në Shkup si në shtëpinë e tyre. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka raportuar në Komisionin për…