
Fillon numërimi mbrapsht, hedhet shorti për sezonin e ri në futbollin
Në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të hënën është zhvilluar ceremonia e tërheqjes së shortit për edicionin e ri të garave në futbollin kosovar, përkatësisht në Superligë dhe Ligën e Parë.
Ceremonia e shortit u mbajt në praninë e përfaqësuesve të klubeve pjesëmarrëse, ndërsa atmosferën e ngrohu shpresa për një sezon të mbushur me duele interesante dhe garë të fortë sportive. Fjalën e rastit e mbajti kryetari i Komisionit të Garave, Abdyl Bellopoja, i cili uroi një edicion të suksesshëm për të gjitha klubet dhe theksoi rëndësinë e organizimit dhe profesionalizmit gjatë zhvillimit të kampionatit.
Ai theksoi se gara e rregullt, “fair-play” dhe përgatitja maksimale janë shtyllat mbi të cilat duhet të ndërtohet suksesi i këtij sezoni. Pas hedhjes së shortit, është bërë e ditur se sezoni i ri në Superligën e Kosovës do të fillojë më 16 gusht, me ndeshjet e xhiros së parë që do të luhen më 16 dhe 17 gusht.
Kalendari i javës së parë premton përballje interesante. Ndërkohë, edhe Liga e Parë, që këtë edicion përbëhet nga 18 skuadra, do ta nisë sezonin në të njëjtën datë. Pritet një garë tepër e fortë për ngjitjen në elitën e futbollit kosovar, ndërsa ndeshjet e xhiros së parë sjellin duele mjaft interesante. Me shortin e hedhur dhe datat e konfirmuara, tashmë klubet kanë edhe rreth tri javë kohë për t’u përgatitur para nisjes së sezonit më 16 gusht.
Java e parë në Superligë
Dukagjini – Prishtina
Gjilani – Ballkani
Malisheva – Prishtina e Re
Ferizaj – Drita
Drenica – Llapi
Java e parë në Liga e Parë
Prizreni – Trepça ‘89
Trepça – Istogu
Ramiz Sadiku – 2 Korriku
Vëllaznimi – Feronikeli
Besa Pejë – Vushtrria
Kika – KEK-u
Suhareka – Vjosa
Dinamo – Tefik Çanga
Rilindja – Liria